Spartak Ngjela: Historia e Shqipërisë po hyn në fazën e katërt të saj - Arbëria News

Spartak Ngjela: Historia e Shqipërisë po hyn në fazën e katërt të saj

Historia e Shqipërisë po hyn në fazën e katërt të saj: në fazën e shtetit të riinstitucionalizuar brenda parimeve perëndimore.

Faza e parë ka qenë faza e shtetit të vogël shqiptar të shpëtimit kombëtar. Kjo fazë fillon në vitin 1912 dhe mbaron në vitin 1920.

Faza e dytë ka qenë faza e krijimit të shtetit instucional shqiptar mbi principe perëndimore ose oksidentale. 
Kjo fazë fillon në vitin 1921 dhe mbaron në vitin 1939.

Faza e tretë ka qenë faza e izolimit oriental të shqipërisë, që kaloi nga Moska në Pekin, dhe nga Pekini në barbarinë vetëizoluese antiperëndimore hoxhiste. Kjo fazë fillon në vitin 1944 dhe mbaron në vitin 1991.

Nga viti 1992 e deri në vitin 2013 nuk ka fazë: kjo ka qenë inercia e totalitarizmit oriental hoxhist, që, nën influencën e Beogradit dhe Athinës, nëpërmjet çiftit Berisha- Nano kërkoi shpërbërjen e shtetit shqiptar me anë të korrupsionit të liderëve politikë dhe të gjithë jetës ekonomike e të vendit.

Faza e katërt ka filluar në vitin 2014, dhe është faza e riinstitucionalizimit perëndimor të shtetit shqiptar nëpërmjet Reformës në Drejtësi, ku spikat ndihma e ndërhyrjes direkte të Uashingtonit dhe Berlinit, dhe, bashkë me ta, edhe e Brukselit.

Për tre fazat e para, nuk është vendi që të merremi këtu në këtë artikull, se ato unë do t’i botoj në një punim të veçantë.

Atëherë: çfarë po ndodh aktualisht me fazën e katërt të shtetit shqiptar?

l. 
Kur politika globale e konstatoi se konflikti midis Rusisë në një krah dhe Uashingtonit e Berlinit, në krahun tjetër, arriti gati në pikën e Luftës së Ftohtë, atëherë, nga analet e historisë, e sidomos nga analitika e politikës austro-hungareze, u formua bindja amerikane që, në këtë konflikt, Ballkani Perëndimor do të ishte një pikë e nxehtë, sepse kjo zonë, të dyja palëve ndërluftuese iu duhet në funksion të luftës globale Lindje – Perëndim.

Në funksion të këtij konstatimi, që në vitin 2010, politika amerikane kërkoi ndërhyrjen për ristrukturimin e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Por nuk e arriti dot se politika e qeverisë së atëhershme Berisha ishte nën influencën e vjetër të Beogradit.

Gjithsesi kryeministri shqiptar Berisha mbeti i izoluar, dhe, për faktin që e gjithë politika amerikane ishte mbështetur te shteti i ri shqiptar i Kosovës, politika kundërshtuese e Berishës nuk pati forcë që t’i kundërvihej futjes së Shqipërisë në NATO, shtu siç kishte dalë hapur kur bllokoi bombardimet e Natos kundër Beogradit në vitin 1995-1996.

Ristrukturimi i shtetit të Kosovës me principe perëndimorë; ndryshimi i politikës serbe drejt Berlinit me ardhjen në pushtet të Vuçiçit në Beograd, dhe; me rrëzimin e Sali Berishës në vitin 2013 – filloi ndërhyrja direkte politikës amerikane për ristrukturimin institucional të shtetit shqiptar.

Sipas eksperiencës së tyre, dhe pas konstatimit të korrupsionit mbarëqelizor Nano-Berisha të shtetit shqiptar, amerikanët me forcë filluan të kërkonin nga qeveria Rama reformën në Drejtësi.

Ata, siç duket, kishin konstatuar se ky ishte kryeministri i parë shqiptar që nuk ishte vendosur nga fqinjët në Tiranë, dhe vepruan me të. Dhe Rama e pranoi bashkëpunimin amerikan dhe gjerman pa lëkundje për Reformën në Drejtësi.

Amerikanët dhe gjermanët e dinin që reforma e riinstitucionalizimit të shteti modern antikorrupsion fillon nga reforma në drejtësi.

Në fakt kjo ishte shumë e vështirë, sepse nga Reforma rrezikohej Berisha, Basha dhe Meta, dhe Reforma duhej të niste si reformë kushtetuese me ndryshimin e kushtetutës, ku në Parlament duheshin 94 vota.

Por Meta ishte në koalicionin qeverisës dhe me votat e tij bënin maxhoranca e cilësuar në Parlament. Ai nuk i lëvizi koalicionit.

Gjithsesi, forca e politikës amerikane ia doli që të votonte me vota të plota në Parlament reformën kushtetuese, megjithëse deri këtu ajo kishte plotësisht me vete vetëm Ramën dhe socialistët. Qëndrimi i këtyre, sigurisht që do të ketë vlerë historike në të ardhmen.

Il.
Pas miratimit të reformës kushtetuese, politika amerikane e fitoi pjesën e parë të luftës së saj antikorrupsion në Shqipëri.

Faza e dytë e kësaj lufte ishte ligji i vetingut.

Berisha për të ndaluar implementimin e ligjit të vetingut që ishte miratuar vetëm me votat e maxhorancës, krijoi lojën e Çadrës: ai me një varg deputetësh kukulla dhe të rrezikuar nga ndëshkimi si të korruptuar, bojkotoi Parlamentin, dhe me një Çadër të improvizuar kërkoi të sillte destabilizimin e Shqipërisë, me kërkesën për votën e lirë në Shqipëri.

Që në Shqipëri nuk kishte votë të lirë, kjo ishte e vërtetë, por, ai që po e kërkonte, ishte pikërisht varrosësi i votës së lirë në Shqipëri.

Gjithsesi, Berisha, për të sjellë destabilizimin e Shqipërisë kërkoi ndihmën ruse. Dhe Moska iu përgjigj. Ajo menjëherë, nëpërmjet të gjitha pikave kufitare të Shqipërisë, futi këtu mbi 400 oficerë rusë të specializuar, për të krijuar një situatë të brendshme konfliktuale

Politika amerikanë që e pati gjendjen në dorë, në muajin maj ndërhyri në një mënyrë tejet të ashpër dhe shkatërroi përfundimisht çerdhen ruso-berishiane në Shqipëri; por duke neutralizuar ndërkohë edhe Metën në zgjedhjen e tij si President.

Meta u zgjodh President nën influencën e forcës politike amerikane, se kishte shumë mundësi që edhe ky të futej në Çadrën ruse të Saliut. Gjithsesi Meta bëri politikë për të ardhmen e tij.

lll.
Pas kësaj erdhën zgjedhjet që u fituan nga socialistët, të vetëm dhe pa koalicion.

Pikërisht me këtë maxhorancës, politika amerikane kërkon të fillojë realisht atë që më sipër në i thamë “faza e katërt e historisë së shtetit shqiptar”.

Në lidhje me këtë, po kuptohet se amerikanët nuk i pranojnë Ramës asnjë lloj aleance tjetër, me përjashtim të asaj që do t’i thonë ata.
Por ndërkohë politika amerikane e shkatërroi plotësisht pengesën Berisha që pritej të vinte nga Gjykata Kushtetuese, dhe në shtator fillon aplikimi i Reformës në Drejtësi si vrting, ku nis spastrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe fillon implementimi i SPAK-ut, domethënë i të tre institucioneve të reja shqiptare: Gjykata e Posaçme, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Por a ka mundësi që korrupsioni të bashkohet tani për të bllokuar Reformën?

Kjo është një pamundësi absolute se Shqipëria tani ka hyrë institucionalisht me kushtetutën e re në fazën e katërt historik e që përfundon ndërkaq procesin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian, si një aleat i veçantë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe kjo e mbyll me sukses maratonën e gjatë të sakrificës shqiptare në ruajtje të identitetit shqiptar dhe identitetit europian të popullit shqiptar, që, në pesëqind vjet, ai realisht ka qenë në një proces të egër mbijetese.

lV.
Por çfarë pritet të ndodhë tani në këtë fazë të katërt deri në antarësimin e Shqipërisë në BE?

Në vija të përgjithshme pikërisht kjo:

1. Krijimi i SPAK-ut

2. Eliminimi i gjyqtarëve të korruptuar dhe i politikanëve të korruptuar, sipas hetimit të pasurive në bazë te ligjit të Vetingut.

3. Reformimi i ligjit për administratën e lartë shqiptare sipas frymës së Reformës në Drejtësi.

4. Konkurset striktligjorë për administratën shtetërore, të monitoruarë nga ndërkombëtarët.

5. Reformë në Kodin Elektoral, për eliminimin përfundimtar të administrimit të procesit zgjedhor nga partitë politike.

6. Ristrukturimi i gjykatës shqiptare në të tria shkallët e saj, sipas principeve të Bashkimit Europian: gjykatën e Asizit, ose jurinë.

6. Ristrukturimi i prokurorisë normale sipas qarqeve.

7. Përfundimi i reformës së pushtetit vendor dhe krijim i katër rajoneve, kuvendeve të tyre sipas rajonit, dhe zgjedhja nga populli e presidentit të rajonit.

Për të gjitha këto që shprehëm, duhet theksuar veçanërisht një gjë:
Nuk ka më kthim mbrapa.

/Spartak Ngjela

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × five =