30 ditë kohë për ndihmat, OKB kalon rezolutën për Sirinë - Arbëria News

30 ditë kohë për ndihmat, OKB kalon rezolutën për Sirinë

30 ditë kohë për të ndihmuar njerëzit e ngecur në grackën e konfliktit civil në Siri.

Kjo është rezoluta e miratuar unanimisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke i thënë fund kështu një zvarritjeje që zgjaste që nga dita e enjte.

Rusia kërkoi ndryshime në draftin që bën thirrje për një armëpushim 30-ditor, në mënyrë që t’u jepet mundësi ndihmave mjekësore dhe evakuimeve të civilëve. Diplomatët e Perëndimit akuzojnë Rusinë, aleatin kyç të Sirisë, se po përpiqet të fitojë kohë. Franca tha se dështimi për të vepruar shpejt mund të përcaktojë fundin e vet Kombeve të Bashkuara.

E gjithë vëmendja është fokusuar mes zemërimit mbi gjendjen e civilëve në enklavën rebele të Ghoutës Lindore.

Aktivistët thonë se 462 persona kanë humbur jetën tashmë atje, brenda kësaj jave. Avionët luftarakë sirianë kanë vijuar bombardimet edhe gjatë së premtes, sipas dëshmitarëve në vendngjarje.

Douma dhe Hamouriyeh janë mes zonave të goditura më rëndë. Fuqitë perëndimore dyshojnë se Moska po kërkon t’i japë kohë Sirisë për t’i dhënë goditjen përfundimtare forcave që mbrojnë enklavën e kontrolluar prej rebelëve në periferitë e Damaskut.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca bënë thirrje që rezoluta të miratohej pa vonesa. I dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Staffan de Mistura tha se paqja duhej arritur urgjentisht, e rrjedhimisht të lejohej edhe qasja e pakontestuar e ndihmës në Ghoutën Lindore.

Duke komentuar situatën gjatë pasdites së të premtes, presidenti amerikan Donald Trump drejtoi gishtin e fajit vetëm te Siria dhe aleatët kyç të saj, Rusia dhe Irani, për krizën humanitare.

“Ajo çfarë kanë bërë këto tri shtete për popullin gjatë kësaj periudhe të fundit e të shkurtër kohe është një fatkeqësi për të ardhur turp”, tha ai, duke folur në krah të kryeministrit australian, Malcolm Turnbull, që ndodhej për vizitë në Uashington. /topchannel/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

ten + one =