Agron Çobani, magjistari i radios - Arbëria News

Agron Çobani, magjistari i radios

Nga Agim Xhafka

Ende nuk e besoj që ai nuk jeton më. Se pati aq gjallëri,humor e gaz sa mendoja që ky njeri do kapte 150 vite. Por siç duket vleka shprehja që të mirët na lenë të parët.

Mbase shumica e miqve të mij në fb mund të mos e dinë kush është Agron Çobani,nga që janë të rinj e nga që shumë e shumë vite ky personalitet ushtroi funksione drejtuese,deri drejtor i pergjithshëm i RTSH. Por mosha ime e di që Agroni ka qënë magjistari i Radio Tiranës,ndoshta i vetmi që u rendit aq para të tjerëve sa shpesh i thoja se ti je si gjuha angleze. Ke gjashtë shkallë bosh e pastaj renditet frëngjishtja. Unë në keto radhë dua të jem si Beluli i Pëllumb Kullës. Nga që dua të lavdërohem që isha mik me të dhe nga që ai më ka ndihmuar në ditë të vështira.

Ishte Nasi Lera ai që më ofroi te Radio Tirana kur isha ende student. Kërkoi që të bëja ca sprova me ndonjë radiodramatizim dhe pas një rezultati të mirë që arrita më ngarkoi dhe me shkrimin e ca cikleve. Ndjehej disi rehat se për fat edhe i shkruaja mirë,por edhe i lexoja mirë. Kisha zë radiofonik. Në një nga ditët kur montoja diçka në studiot e zérit hyn Agron Çobani. Më shmangu me arrogancë se ishte drejtor i lajmeve dhe kur unë e desha në çdo fjalë që i dëgjoja ai më nxorri përjashta. Prita i nxehur e sa doli më thirri në zyrën e vet.

-I kam ndjekur emisionet e tua. Student je? Ke dashnore? Je me bursë?

I thashë që isha i fejuar dhe jo vetëm që isha pa bursë,por edhe vëllai im student ishte pa bursë.

-Po ç’rri me Nasin. Eja me mua dhe bëj reportazhe në qytetet e Shqipérisë. Njeh vendin,merr dieta të jap dhe honorare.

Kaq ishte takimi i pare e deri sa mbarova universitetin Agroni u bë mecenati im. Më mësoi si të shkruaj,si të lexoj,si të mbledh para. Në qytetin Studenti isha ndér më të kamurit. Pa nisa të shkoj në restorante,pa i blija fustane e këpucë nuses,pa në verë bëja dhe plazh e në plot shérbime merrja dhe të fejuarën me vete. Agron Çobani u bë çobani im. Me trajtonte me aq respekt e dashuri sa zemrën e kisha plot mirënjohje për të.

Më pas fati ma solli që unë të nisja punë në gazetë në Tiranë e Agroni të internohet në Burrel,mësues në shkollat e minierave të kromit. Nuk u pamë disa vite deri sa kur po nisnin revoltat mora një përgjigje pozitive se Agroni mund të vinte në gazetën time. U nisa i lumtur në Burrel,hipa mbi skodat e kromit,takova mësues Agronin dhe kur i propozova se mund të niste pune në gazetë në Tiranë u pérlot.

-Të falenderoj që mendove pér mua. Flasim pas një jave në Tiranë.

Më pas mësova se e kërkonin të gjithë,por ai shkoi te dashuria e tij,te Radio Tirana e më pas drejtor i Përgjithshëm.

Vitet e demokracisë më shumë na lidhën në kafe se në punë. Ai ishte mezeja dhe rakia e çdo tavoline. Fliste saktë jo si artikulim,por si mendim. Fjalitë e tij ishin të qarta kristal. Edhe kur pérdorte figura i kishte fare,fare të goditura. E donin të gjithë dhe e respektonin të gjithë. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që ka bërë fjalë me këtë talent.

Një ditë mësova se kishte kancer. Shkonte çdo ditë nga liqeni e kur e pashë një ditë në kafe andej u turbullova,po më pérdridhej gjuha.

-E paske mësuar dhe ti!- kaq tha dhe bënim biseda pér çdo fushë,pérveç shëndetit.

Pas disa ditësh mësova se kishte shkuar në Sarandë. Është pér marshallah,më thanë. U gëzova,por siç duket vdekja bën më parë rregullim para se të të marrë.

E Agroni na iku pa kthim. Shkova te ceremonia e pércjelljes. Plot miq,shokë e të aférm. Te të gjithë kishte pikëllim me bollëk,por pas ca minutash të gjithë kujtonin jetën e tij. Mbushur me vlera,me art,me teknikë,me magji. Iku shtérgu i fundit,u pëshpérit. Saktë.

Sot hap ndonjëherë radio Tiranën e askush nuk i vjen te thembra. Dëgjoj deri në Vorë se më tutje Tirana zhduket. Dhe më vjen majë gjuhës shprehja se bashkë me lisin rrëzohet dhe hija.

Agroni më vjen shpesh ndër sy. Ashtu simpatik,shoqëror,me gjalléri e plot sjellje të kultivuar. Mbi të gjitha si bamirësi im,si profesori im,si shoku im.

Agron mos u mërzit se pér andej jemi nisur të gjithë,do plotësohet ekipi yt i bisedave dhe humoreve. Mos na nxit,e mos na prit shpejt se kemi ca punë ende këndej. Nuk rrimë kot…

Pafshim ikonë,kalofsh sa më mirë!

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 − 8 =