Ahmetaj, një fjalim optimist për arsye të detyrës - Arbëria News

Ahmetaj, një fjalim optimist për arsye të detyrës

ahmetaj-300x225

Ministri i Financave, click Arben Ahmetaj, ka deklaruar gjatë raportimit në Kuvend se ndryshimet në buxhet përmes aktit të fundit normativ synojnë përshpejtimin e projekteve publike, shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, sidomos në sektorin e transportit dhe reflektimin në buxhet të të ardhurave të arkëtuara nga privatizimi i INSIG sh.a. Kjo e fundit, tha Ahmetaj, sjell uljen e nivelit të huamarrjes së brendshme sa 50% e të ardhurave të privatizimit tregon për përgjegjshmërinë e kësaj qeverie të materializuar në Ligjin Organik të Buxhetit ku për cdo aset të privatizuar strategjik ose jo, 50% e të ardhurave të përfituara nga privatizimi i kthehen shoqërise duke shlyer borxhin publik dhe 50% shkojnë për investime publike.

Ahmetaj tha se treguesit ekonomikë janë përmirësuar, kërkesa e brendshme është rritur. “Tremujori i tretë 2015, T4 2015, T1 2016, të gjitha indikacionet tregojnë që edhe T2 2016, do të kenë rritje konsekutive të konsumit privat. Politika nuk duhet ta njollosë këtë lajm të mirë për ekonominë. Mos harroni që reforma më e mirë në ekonomi është optizimi”, tha ai.

Investimet bruto, sipas tij, janë rritur në tremujorin e parë 2016 me 7.33%.

Deflacioni, tha ai, ishte një goditje e përkohshme e ofertës dhe sot po riekulibrohet në nivelet normale të 2%. Kemi një ekuilibër të ofertës dhe kërkesës që materializohet te rritja ekonomike.

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, në tremujorin e dytë 2016, shënoi përmirësim të ndjeshëm me 6.2%.

Eksportet, duke përjashtuar mineralet dhe lëndët djegëse, të cilat kanë pësuar një rënie drastike me 1/3 e cmimit të tyre për shkak të ofertës dhe kërkesës globale, e cila nuk ndikohet nga ne, po të heqim pra efektet e këtyre dy kategorive, rritja e eksporteve në shtatëmujor është 7.5%. Eksportet e ushqimeve u rritën me 24.1% dhe tekstile e këpucë me 21.4%, pohoi ministri i Financave.

Importet e mallrave në gjashtëmujorin e parë u rritën me 6.9%. Rritje e konsiderueshme u shënua në makineri dhe pajisje, duke treguar gjenerim të brendshëm të ekonomisë dhe zhvillime të linjave të reja të prodhimit dhe produkteve nga ana e kompanive.

Kreditë, portofoli i kredisë bankare shënoi rritje mesatare vjetore rreth 3%, falë zgjerimit vjetor me 6.4% të kredisë në lek, ndërsa në valutë është thuajse i pandryshuar nga një vit më parë.

Kredia konsumatore ka një rritje të qëndrueshme gjatë këtij viti në tremujorin e parë prej në 12.6% dhe 3.6% në T2 kurse për individë u rrit 1% në shtatë muaj.  Patjetër që kemi problem në kredinë korporative që vjen nga disa elemente. Kredia e keqe ishte 25% në 2013, ka ende probleme me ekzekutimin e kolateralit prandaj e nisëm atë reformë legjislativo-financiare për të zgjidhur këtë pjesë të kthyer në gangrenë në sistemin financiar.

Papunësia, kemi rënie të mëtejshme dhe trendi është vetëm rënës në tre vite rresht. Shkalla e papunësisë u ul në 16.9% duke rënë gjatë tremujorit të parë 2016 me 0.8%.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT)  për 7-mujorin e vitit 2016 u realizuan në vlerën 201.7  miliardë lekë, që do të thotë 19.3 miliardë lekë më shumë se 7 -mujori i vitit 2015, ose +10.6%  dhe  1.3 miliardë lekë më shumë se plani, ose  +0.6%.

Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 19.5 miliardë lekë, 17% më shumë se 7- mujori i vitit 2015 dhe me një realizim të planit të periudhës në masën 95.5%.  Faktor që ka ndikuar në këtë rezultat ka qenë rritja e rimbursimeve me 19.1% ose +0.7 miliardë lekë si rezultat i masave përmirësuese për thjeshtëzimin dhe reduktimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së. Këtu dëshiroj të ndaj me ju që shumë shpejt do të sjellim në Parlament ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore me thjeshtësime në favor të tatimaguesve.

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 18.1 miliardë lekë, 19.2% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 22.2% më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka pasur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve. Faktorë të tjerë përmendim: fazën e dytë të planit të veprimit kundër informalitetit të orientuar drejt kontrolleve bazuar në analizën e riskut dhe në vazhdimësine e proçeseve. Thjeshtëzimi i procedurave të deklarimit dhe instalimi i një komunikimi permanent me operatorët e biznesit po gjeneron performancë më të lartë.

Sidoqoftë, për të pasur një garanci më shumë në arritjen e pritshmërive për këta tregues jetikë për ekonominë tonë në tërësi, e ndiejmë të nevojshme ndërmarrjen e hapave ligjorë për miratimin e këtij Akti Normativ, duke konsideruar faktin që çdo formë tjetër rishikimi buxhetor nuk do të prodhonte të njëjtin impakt pozitiv në kohë.

Gjithashtu një tjetër parim që do të ndjekë tashmë qeveria ka të bëjë me vendosjen e disa rregullave fiskale të ligjëruar, që do të mundësojnë uljen e nivelit aktual të borxhit publik, në një trend gjithnjë rënës që i jep shumë më tepër frymëmarrje financave publike dhe një shtysë të mëtejshme ritmeve të rritjes ekonomike.

Vlen për t’u theksuar gjithashtu, se përmes këtij Akti shmanget çdo risk i mundshëm i krijimit të detyrimeve të reja të prapambetura nga institucionet buxhetore. Gjë që, jo vetëm përmbush një nga objektivat kyç fiskal të kësaj Qeverie, por njëkohësisht respekton rigorozisht edhe një nga shtyllat më të rëndësishme të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Në këto kushte, lidhur me investimet publike, që janë edhe synimi kryesor i këtij Akti, dëshiroj t’ju sjell në vëmendje se nëpërmjet rialokimeve të burimeve të financimit të investimeve publike në masën 3.5 miliard LEK nga projektet me financim të huaj tek ato me financim të brendshëm, synojmë mbylljen/përshpejtimin e projekteve të rëndësishme në sektorët prioritarë. Më konkretisht:

 

Në sektorin e infrastrukturës rrugore dhe portuale:

  • Janë akorduar rreth 1.1 miliard LEK për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura, të krijuara rishtazi, në sektorin e infrastrukturës rrugore, përmes së cilave sigurohet financimi i kontratave në vazhdim të rrugëve nacionale, dhe mbyllja e punimeve për një pjesë prej tyre.
  • Sigurohet përfundimi i segmentit Komuna e Parisit-Rruga e Kavajës, pjesë e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, me vlerë rreth 396 milion LEK;
  • Garantohet financimi i projekteve të emergjencës rrugore me një vlerë 390 milion LEK, që përfshjn disa akse të riskuara, të tilla si: Elbasan-Librazhd, Milot-Skurraj dhe Burrel-Qafë Buall;
  • Sigurohet pagesa e TVSH-së për projektin me financim të huaj “Rehabilitimi i kalatës së Portit Vlorë”, me vlerë 340 milion LEK;
  • Sigurohet pagesa e TVSH-së për projektin e ndërtimit të terminalit të pasagjerëve në Portin e Durrësit, me vlerë 58 milion LEK.

 

Në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizime:

  • Sigurohet financimi në masën 260 milion LEK, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të projekteve të ndërtimit të ujësjellsave për periudhën 2012-2014, në kuadër të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve;
  • Sigurohet financimi i TVSH-së për projektin e kanalizimeve të Tiranës së Madhe, me financim të huaj të Bankës Botërore.

 

Në sektorin e arsimit dhe sportit:

  • Është akomoduar përmes rialokimeve, financimi i projektit të Parkut Olimpik, në masën 202 milion LEK, në programin “Zhvillimi i Sportit”;
  • Është siguruar shlyerja e kontratave të prapambetura të vitit 2014, të projekteve të investimeve publike në kuadër të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, në masën 136 milion LEK.

 

Në sektorin e mjedisit:

  • Është siguruar financimi i projektit të ndërtimit të Inceneratorit Elbasan, në masën 225 milion LEK;

 

  • Për më tepër, është me rëndësi të theksohet që ndryshimet e propozuara, edhe pse e prekin defiçitin buxhetor me 1.3 miliard lekë si pasojë e përdorimit të gjysmës së vlerës së privatizimit të INSIG sh.a. për investime publike, nuk ndikojnë aspak në nivelin e huamarrjes dhe të borxhit publik, miratuar në fillim të vitit 2016. Përkundrazi, ky nivel ulet me 1.3 miliard LEK (sa 50% e të ardhurave nga privatizimi) , krahasuar me nivelin e miratuar në buxhetin fillestar.
  • Njëkohësisht, dëshiroj të theksoj se ulja e të ardhurave prek vetëm dy kategori: 2 mld të ardhurat nga pushteti vendor dhe 3 mld nga dividenti. Pra nuk ka ulje të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, ka vetëm një korrigjim prej 5 mld tek të ardhurat nga pushteti vendor dhe dividienti. Pra nuk kemi prekur atë pjesë të të ardhurave që është përgjegjësi e qeverisë për t’I mbledhur, përfundoi ministri.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 + five =