Akademia e Shkencave jep nominimet për konkursin e çmimeve për 550-vjetorin e Skënderbeut - Arbëria News

Akademia e Shkencave jep nominimet për konkursin e çmimeve për 550-vjetorin e Skënderbeut

Më datën 30 qershor 2018, juria realizoi mbledhjen e saj të dytë, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave. Pas diskutimeve, Juria vendosi me votim, që të nominojë si më poshtë (renditja e të nominuarve është në rend alfabetik):

a. Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë shqiptarë.
– Aurel Plasari, për veprën “Skënderbeu – një histori politike”, Tiranë, 2010;
– Kasem Biçoku, për veprën “Toponimet mesjetare për studimin e historisë së Skënderbeut”;
– Petrika Thëngjilli, për veprën “Skënderbeu: arritje, mangësi, pikëpamje të ndryshme”, Prishtinë, 2012.

b. Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë të huaj, shqip, ose në gjuhë tjetër:

– Jose Manuel Floristan, “Marrëdhëniet mes Mbretërisë së Napolit me Shqipërinë”, seri studimesh botuar në revistën shkencore “Erytheia”, me mbi 25 artikuj shkencore në 1990-2017.
– Lucia Nadin me veprën “Shqipëria e rigjetur”, Onufri, 2012;
– Oliver Schmitt me veprën “Shqipëria Venedikase”, K&B, 2007, sjellë në shqip nga Ardian Klosi.

c. Për realizimin më të mire në fushën e bukinistikës e të botimeve anastatike të dorëshkrimeve të rralla, juria, pasi shqyrtoi botimet e paraqitura, vlerësoi dhe arriti në përfundimin se prurjet nuk përmbushin kriteret e përcaktuara, dhe për këtë arsye nuk do të ketë asnjë nominim.

Nga fjala e prof. Floresha Dados në konferencën e shtypit për konkursin e veprave dhe botimin më të mirë shkencor kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe epokës së tij, shpallur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me vendimin nr. 24, datë 22.12.2017, në kuadrin e vitit 2018, shpallur “Viti i Skënderbeut”.

Vendimi për të zhvilluar disa aktivitete shkencore në 550-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u shpall nga Akademia që në nëntor të vitit 2017, dhe ky konkurs ishte vetëm një prej aktiviteteve të parashikuara.

Aktiviteti i parë i planifikuar ishte zhvillimi i një konferencë ndërkombëtare. Kjo konferencë, me vendim të qeverisë, u konceptua si një konferencë ndërshtetërore, ndërinstitucionale, ku Akademia është bashkorganizatore.

Aktiviteti i dytë: çmimet e veçanta.

– Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare, shkruar nga autorë shqiptarë.

– Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare, shkruar nga autorë të huaj (shqip ose në gjuhë tjetër).

– Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare në vlerësimin e rrallësisë bukinistike, me përparësi botimet diplomatike-anastatike, çmim i cili nuk do të jepet, pasi juria nuk ka cilësuar që ka një prurje të tillë në konkurrim.

Aktiviteti i tretë do të jetë botimi i një vëllimi të posaçëm kushtuar Skënderbeut, ku janë ftuar të kontribuojnë, personalitete të shquara të shkencave albanologjike, me temë Skënderbeun dhe epokën e tij.

Aktiviteti i katërt është promovimi i dhjetë vëllimeve të akad. Kristo Frashërit. Janë botime me përmbledhje dokumentesh, mbledhur dhe përkthyer nga gjuhë lindore e perëndimore, që përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme për të gjithë historianët.

I bëjmë thirrje me këtë rast APP-së, që të përshpejtojë procedurat e tenderimit, pasi ka një pezullim, që ky botimi i rëndësishëm të realizohet në kohë.

Programi i jurisë për shpalljen e çmimit është ky:

Në fillim, të gjithë të nominuarit do të prezantojnë shkurtimisht ligjëratat e tyre, seanca e dytë do të jetë një seancë nderimi për personalitetet që nuk jetojnë më dhe e treta, seanca e ndarjes së çmimeve.

Më poshtë fjala e prof. Pëllum Xhufit, kryetar i jurisë së çmimeve të konkursit

Në kuadrin e “Vitit të Gjergj Kastriot Skënderbeut”, në përmbushje të detyrave funksionale të përcaktuara me ligj, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, shpalli konkursin për akordimin e çmimit kushtuar emrit të Heroit tonë Kombëtar:

– Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare të realizuar nga autorë shqiptarë.

– Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë të huaj (shqip ose në gjuhë tjetër).

– Për realizimin më të mirë në fushën e bukinistikës e të botimeve anastatike të dorëshkrimeve të ralla ose të pasurive numizmatike, filatelike etj., që lidhen me figurën dhe epokën e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Për vlerësimin e botimeve të paraqitura në këtë konkurs, të ndara sipas tri kategorive të mësipërme, Akademia e Shkencave, me vendimin e datës 03.04.2018 shpalli krijimin e jurisë për ndarjen e çmimeve që Akademia në fjalë akordon për 550-vjetorin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, me këtë përbërje:

Prof. dr. Pëllumb Xhufi, Instituti i Historisë, Tiranë – kryetar

Akad. Luan Starova – anëtar

Akad. asoc. Shaban Sinani – anëtar

Akad. Rezvan Teodorescu – anëtar

Prof. Matteo Mandala – anëtar

Juria bëri një mbledhje të parë në muajin prill, në të cilën u diskutuan dhe u vendosën kriteret mbi bazën e të cilave do të gjykohet për vlerën e secilës vepër të paraqitur në konkurs.

Me angazhimin e anëtarëve të jurisë, u identifikuan botimet e realizuara, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në këto dy dekada të fundit me subjekt jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit dhe epopenë e lavdishme të popullit shqiptar në shek. XV. Ndërkohë u ftuan institucionet këkimore-shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe autorë të interesuar për të paraqitur në konkurrim vepra të realizuara e që përputhen me kërkesat e konkursit.

Ishte një befasi pozitive, që u krijua një masë e konsiderueshme botimesh, e cila e angazhoi jo pak jurinë që të dalë në vlerësime të bazuara për çdonjërën nga veprat e përzgjedhura e të paraqitura për konkurrim.

1. Juria u pajtua uninimisht me propozimin në këtë mbledhje për t’i propozuar Kryesisë së ASH-së organizimin e një seance të posaçme (in honorem) për të nderuar personalitete të shquara shqiptare dhe të huaja, veçanërisht ato që i kanë dhënë kontribute të veçanta nëpërmjet studimeve të tyre mbi figurën e Skënderbeut dhe epokën e tij, duke propozuar personalitetet më poshtë, pjesë e të cilëve nuk jetojnë më:

a. Franz Babinger

b. Halil Inalcik

c. Aleks Buda

d. Kristo Frashëri

e. Alain Ducellier

f. Peter Bartl

Për këto personalitete do të përgatiten prezantimet në seancën e veçantë in honorem. Kryesisë se Akademisë së Shkencave i janë propozuar edhe emrat e studiuesve shqiptarë e të huaj, që do të flasin për veprën e meritat në albanologji të personaliteteve të mësipërme (Oliver Schmitt, Ferit Duka, Luan Malltezi, Floresha Dado, Pëllumb Xhufi, Bardhyl Demiraj).

2. Juria i propozoi Kryesisë së Akademisë çeljen me këtë rast të “Librit të artë të meritës në albanologji”, ku të jenë emrat e personaliteteve.

3. Juria gjithashtu propozon që për figurat e shquara që do të jenë pjesë e “Librit të artë të meritës në albanologji”, t’i përcjellë një propozim bashkisë së Tiranës, për të nderuar emrin dhe veprën e tyre nëpërmjet emërtimeve të rrugëve, shesheve, objekteve apo institucioneve të qytetit.

Për jurinë:

Kryetar Pëllumb Xhufi

Anëtar Luan Starova

Anëtar Shaban Sinani

Anëtar Matteo Mandala

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two + nine =