ATDHEU I TRADHËTUAR - Arbëria News

ATDHEU I TRADHËTUAR

Nga Agim Shehu:

Kreu i shkrimit mund të duket disi i tejzmadhuar e fatalist i ashpër, por ne e morëm aq sa mundëm nga frymëmarja tanimë e lodhur e popullit e nga ngjarjet zinxhir të ditës që po ziejnë nga të gjitha anët me vulën e tradhëtisë së krerëve tanë politikë nga të dy anët. Të tillë, ia lëmë dëshmi tonën historisë për t’i gjykuar saktë e përfundimisht fajtorët, viktimën dhe paralajmëruesit.

Shqipëria ndodhet para një tragjedie kombëtare si në Jug me Greqinë dhe në veri me Serbinë. Shqiptarët janë të njohur si për atdhetarizmin prej superherojsh dhe për tradhëti të madhe e të çuditëshme. Sa më i zjarrtë të jetë dielli, aq më të errët e ka hijen (kryetradhëtarit Spiro Milo nga Progonati im nuk i dihej i ati e njerzit filluan t’ia thonë mbiemrin me ironi të hidhur “Spiro dobiçi”. Ai nga turpi e inati malsor u hakmuar po aq hidhur, iku u bë agjent i parë i Greqisë kundër Atdheut).
Dikur Naimi kundër kësaj fare shkroi: “Shokë, kemi në mes tënë/ shumë armiq e tradhëtorë/. Pupu, mos u qoftë thënë!/ Veç që s’kanë gjë në dorë…”. Ahere fatin e Atdheut, kundër tradhtarëve të njohur e kishin në dorë tërë Rilindasit që duke luftuar të keqen, mbanin të ndezur dhe shpirtin atdhetar të shqiptarëve kudo që qenë, Sot, tradhtarët “kanë në dorë” t’i bëjnë të zezën Shqipërisë pasi kanë arritur të jenë dhe në krye të shtetit e të partive kryesore vendimmarrëse. Ata janë të tillë dhe kur vetemërohen “Rilindas” dhe ecin kundër rilindasve.

Shpallin me mburrje se po bëjnë “Shqipëri Europiane” pa e bërë më parë Shqipërinë – Shqiptare! (simotra tjetër dihet që në tërësi është antishqiptare).
Këtë shkrim modest e të pikëllueshëm e nisa pas skenës prej rrugaçërie politike që u bë në sallën e Kuvëndit e jashtë saj prej deputetëve të caktuar.
E shihnim e nuk na e besonin sytë atë estradë të përçudnuar sa dhe të dehurit apo të çmëndurit do t’i kishin zili! Si është e mundur të arrinin gjer në këtë shkallë. Cili qe motivi apo shqetsimi i karnavalit të tyre! Sigurisht nuk qe shqetsim për fatet e vëndit pasi skena të tilla i mbulojnë me tym e me zhurmë hallet e atdheut sot. Në debatet e tyre dëgjon çdo llogari e poshtërsi, veç s’dëgjon kurrë shqetsimin “Shqipëri”! Dhe kur i sheh që vinë në Kuvënd, hyjnë si sorkadhe, dhe menjëherë çduken si kunadhe.
Në të vërtetë, me skenën prej majmunësh e firaunësh ata janë vetëm aktorët që përdhosin skenën, duke zbatuar skenarin që u japin qëndrat përkatëse si vatrat ushqyese të tradhëtisë mbi të zezën Shqipëri. Është e njohur pyetja që bëri në Kuvëndin e vet deputeti serb, se ku vajtën 17 miljonë dollarët caktuar për prishjen e Shqipërisë që me fillimin e të vetquajturës “demokraci”.

Dhe përgjigjia triumfuese për ta ishte “shikojeni si është katandisur fqinji jugor”. Pas një takimi me poetin e njohur Jevtushenko në Ambasadën ruse, ai si vizitoi Jugun e vëndit tha me humor e keqardhje “sidoqoftë, ata që e kanë shkatërruar kështu vëndin, kanë qënë shumë të talentuar”.Nuk di, a e kish në mëndje dhe të vërtetën se më të talentuar qenë vatrat e tyre që ushqenin agjentët tanë zinxhir që nga fillesat e para të tradhëtisë e gjer te estrada e shëmtuar dje e deputetëve të Shqipërisë.

Le të citojmë shkurt diçka të tyre, duke ia lënë dhe porosi vazhdimësie njëri tjetrit.
Gjeorgjeviç, akademik e kryeministër serb: “Sa më e përgjithëshme të jetë përplasja mes krerëve të tyre, aq më afër i jemi arritjes së qëllimit tonë…”
Ivo Andriç, nobelist; “Ne e duam një Shqipëri të pavarur, por një Shqipëri të dobët e të paformuar. Me marrjen e Shqipërisë do çdukej qëndra nxitëse për pakicën shqiptare në Kosovë e cila në të ardhmen do tretej lehtë”.
Cubriloviq, kryeministër: “Kjo punë në Tiranë do ecte me vështirësi, por të hollat bëjnë shumë punë. Me anë të fijeve të fshehta mund të vihen në lëvizje njerzit tanë kyç në Tiranë…” etj…
Nuk ka më qartë. Socialdemokrati human e objektiv serb te vepra për shqiptarët dhe Serbinë thotë mes të tjerash: “Habitesh sesi në Shqipëri lëvrijnë kaq shumë agjentë të huaj, si askund tjetër”.
Nuk më harrohet një debat në TV, shtator 1998. Azem Hajdari pyet me këmbëngulje kundërshtarin e Partisë në fuqi, se ku vajti dosja me emrat e 250 spiunëve serbë që ai e ruante kur qe në pushtet!..As Dosja e zezë nuk iu tregua, as sqarimi. Si përgjigje, pas dy dite iu dhanë plumbat (për mendimin tim, kjo është arsyeja e çdukjes së tij prej fijeve të fshehta ogurzeza).

Ajo Dosje, si shumë shoqe të saj vazhdon jetën e vet nga një tjetër duke u shitur e këmbyer në vatra të reja të interesuara Beograd, Athinë, Moskë e gjetkë. Ku ndodhet tani ajo gjëmëzezë diplomacie mafioze? S’e përcakton dot, veç fytyra e saj duket qartë te dukuri të tilla si ajo që u shfaq aq shëmtuar në Kuvëndin e shtetarëve e politikëve tanë të shfytyruar.

Tymi mafioz që mbuloi sallën, në të vërtetë jepte përfytyrimin e mbulimit nën të të akteve të tradhtisë së fshehur ndaj Atdheut si shitja e tij përmes varrezave greke, falja pjesë pjesë e detit shqiptar, dhurimi Malit të Zi i truallit të Kosovës, tradhëtia ndaj Camërisë …e me radhë.
Kjo dramë agjentësh kthyer tanimë tragjedi në rritje do vazhdojë gjersa shqiptarët të ndërgjegjësohen se ç’po ndodh me Atdheun dhe dinjitetin e tyre, të mos kufizohen vetëm me fjalë pa bukë.

E thotë saktë e dhimbshëm Mit’had Frashëri se disa njerës kanë marrë kazmën dhe po shkatërrojnë Ndërtesën të cilën mezi e ngritën të parët tanë të ndritur. Është koha që çdo shqiptar të mendojë se si e do përgjigjen e saktë e keqja që na ka zënë, si të ndalohet shpërbërja e Shqipërisë. Jemi para gjyqit të historisë – thoshnin Rilindasit e vërtetë. Gjyqin që ata e fituan dhe me therori, ia kanë lënë brezit të sotëm.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × two =