“Balili”/ Artan Hoxha: Pse Meta donte të mblidhte Këshillin e Sigurisë - Arbëria News

“Balili”/ Artan Hoxha: Pse Meta donte të mblidhte Këshillin e Sigurisë

Tetë operacione të dështuara për kapjen e Klement Balilit, link i etiketuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”. Gazetari Artan Hoxha në rubrikën “Opinion” në “News 24”, ka folur lidhur me 4 operacionet më të fundit të zhvilluara për kapjen e tij në Sarandë, Fier dhe Tiranë.

Sipas gazetarit Hoxha, fakti që këto operacione zhvillohen brenda vendit, tregojnë se Balili nuk është larguar nga Shqipëria.

Si e gjykoni mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për rastin Balili?
Deputeti i LSI, Petrit Vasili, deklaroi se kërkesa e Metës për Balilin është bërë pas një takimi në SHBA me një personalitet shumë të njohur. Në këtë takim, mes çështjeve për Shqipërinë, në veçanti kishte theksuar rastin Balili, dhe kishte kërkuar që autoritetet shqiptare të ushtronin të gjithë ndikimin e mundshëm, në mënyrë që ky person të arrestohej, dhe të vihej para drejtësisë. Mbas këtij takimi, Meta me të ardhur në Shqipëri i është drejtuar me një letër Kryetarit të Shtetit. Megjithatë ka patur mënyra të tjera për të vepruar. Por kjo është bërë për të treguar se Balili nuk ka mbrojtje politike, as nga LSI, dhe as nga Meta si kryetar i Kuvendit. Meta e gjeti këtë lëvizje si të duhurën për t’u bërë për këtë rast. Presidenti e ka pranuar këtë kërkesë, dhe Këshilli i Sigurisë do të mblidhet. Kjo bëhet në raste të veçanta. Megjithatë për rastin Balili ka diçka që bën përshtypje, aktivizohet çështja, bëhet zhurmë për disa ditë, dhe pastaj ka heshtje.

Policia ka njoftuar disa herë operacione për kapjen e tij, dhe herë pas here në media kanë dalë foto e video, ku Balili shfaqet në disa zona të Shqipërisë…
Në të gjitha rastet që kanë dalë foto dhe video, jemi përpjekur për të bërë verifikime për kohën kur janë bërë ato. Për Klement Balilin janë bërë 4 operacione, por kanë dështuar, jo thjesht për shkak të rrjetit të informatorëve që ka Balili, por edhe për shkak të informacioneve që kanë rrjedhur nga brenda strukturave policore. Nga muaji dhjetor e deri sot janë bërë në dijeninë time, të paktën edhe 4 operacione të tjerë. Janë bërë deri tani 8 operacione për kapjen e Balilit, por kjo nuk është realizuar. Operacioni i 5 është bërë në një zonë në Sarandë ku mendohej se ai qëndronte, pasi ishte parë prania e disa personave që mendohej se bënin mbrojtjen e tij. Operacioni i 6 është bërë në Fier, në një zonë ku mendohet se janë bashkëpunëtorë të Balilit. Për këtë gjë informacioni ka ardhur edhe nga vende partnere, por kapja e tij nuk u bë e mundur. Dy operacionet e tjera janë bërë në Tiranë ku familjarët e Balilit kanë banesa e biznese. Fakti që janë bërë disa operacione brenda një kohe kaq të shkurtër në disa zona të vendit, dëshmon se Balili nuk ka dalë nga Shqipëria, por është brenda vendit. Policia e Shtetit i është adresuar për ndihmë, me pajisje speciale survejimi, DEA-s, po ashtu edhe autoriteteve policore greke.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nine − 2 =