Banorët e “Astirit”, nga protesta te kafja me kryebashkiakun Veliaj - Arbëria News

Banorët e “Astirit”, nga protesta te kafja me kryebashkiakun Veliaj

E enjtja ka qenë një ditë ndryshe e punës për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Nuk nisi si zakonisht nga zyra e tij, por nga një prej kafeneve në zonën e “Astirit”, shoqëruar nga banorët që deri dje protestonin të shqetësuar për prishjen e banesave të tyre, ndërsa tani kanë liruar banesat pa leje dhe po bashkëpunojnë me autoritetet lokale për t’i hapur rrugë projektit të zhvillimit të “Unazës së madhe”.

 “Ishte një kënaqësi e veçantë që të takoja të gjithë miqtë këtu në ‘Astir’ e ta filloja ditën me një kafe dhe një raki të mirë Skrapari. Siç u takuam me miqtë nga Tropoja, sot u ndalëm me miqtë nga Tepelena, Korça, Skrapari, sepse besoj që është shumë e rëndësishme të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Ajo që kemi sot është pikërisht konsensusi me të gjithë se ky projekt duhet të vijojë dhe ne duhet të ecim përpara me zhvillimin e Tiranës”, tha Veliaj.

Duke falënderuar banorët që janë distancuar nga politika dhe kanë filluar të zbrazin vullnetarisht objektet që janë në gjurmën e “Unazës së madhe”, Veliaj theksoi se ky projekt nuk do të ndalet.

“Dua t’i falënderoj për bashkëpunimin. Shumica prej tyre kanë zbrazur vet, vullnetarisht, të gjitha asetet që kanë, dyqanet apo shtëpitë që do të preken nga projekti. Dua të falënderoj masivisht banorët e ‘Astirit’ që janë distancuar nga politika. Secili po shikon hallin e vet, të familjes së vet, që të zgjidhë punët e veta. Politika i ka zgjidhur punët e veta, ndaj jam shumë i kënaqur sot për këtë bashkëpunim”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Në fund, Veliaj theksoi se beson se kjo punë do të ketë marrë fund para Vitit të Ri dhe, për të gjithë ata që besojnë se mund ta pengojnë qytetin, ose mund t’i përdorin protestat si ‘mish për top’ për interesat e tyre politike, tha se “e kanë davanë e humbur”.

Top Channel

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen + 4 =