Berisha dhe njerëzit e Bin Laden në Tiranë - Arbëria News

Berisha dhe njerëzit e Bin Laden në Tiranë

Nga: Mero BAZE

 

mero2

Unë nuk besoj që Bin Laden ka qenë në Shqipëri. Nuk ishte e rëndësishme për të. Kur ai mori rrugën e islamit radikal të Al-Qaeda-s pas viteve ‘90, abortion Shqipëria ishte vend i pasigurt për të. Por, doctor Shqipëria ishte një bazë e sigurt e njerëzve më të afërt të tij, të cilët u lidhën ngushtë me pushtetin e asaj kohe.

Sali Berisha nuk besoj se është takuar fizikisht me të, por ai ka një problem ende të pasqaruar politik që i rëndon shpesh herë në raportet diplomatike me SHBA-në, sa herë që bie fjala për lidhjet e tij me këtë grup njerëzish. Sali Berisha dhe Bin Ladeni janë takuar në rrugëtimet e tyre përmes njerëzve të afërt të Bin Laden, me të cilët Berisha ka punuar dhe i ka mbështetur.

Ekzaktësisht, Sali Berisha ka një problem me dy persona kyç të Al-Qaeda-s, Dr.Abdyl Latif Salehu, një financues i rëndësishëm i këtij rrjeti, i futur në listat e zeza të SHBA dhe Dr.Ayman Zawahiri, një inxhinier, vëllai i Al Zawahirit, liderit të fundit të Al-Qaeda-s që vdiq javën e kaluar. Të dy këta persona kyç të  Al-Qaeda-s u vendosën në Shqipëri në kohën e pushtetit të Sali Berishës, iu dha shtetësia me dekret prej tij dhe përfunduan si personat më të kërkuar nga CIA në vitin 1999.

Nga kërkimet që më është dashur të bëj, ndërsa po shkruja në një nga librat e mi për këto lidhje të Berishës me këta njerëz kyç të Al-Qaeda-s, më rezultoi se Dr. Abdyl Latif Salehu kishte edhe pasaportë shërbimi të shtetit shqiptar, edhe pasaportë të zakonshme me këto të dhëna.

PASSPORT (Albania) 314772  8 March 1993 dhe PASSPORT (Albania) 0334695  1 December 1995

Pra, ai ishte njeri shumë familjar me pushtetin. Merrej në dukje me një fondacion humanitar dhe ndihma modeste pranë spitaleve tona, nisi të ndërtojë një spital në Sauk që Berisha e përuroi bashkë me të në mes të fushatës elektorale në vitin 1996, por që nuk u hap kurrë dhe arriti të largohet nga Shqipëria në verën e vitit 1999, pak para se të niste një operacion i gjerë spastrimi ndaj tyre, koordinuar nga CIA dhe Shërbimi Sekret shqiptar.

“Doktori”, siç njihej gjerësisht prej Berishës dhe Gazidedes, dukej se ishte bërë njeriu kyç në investimet e nëntokës së botës arabe në Tiranë. Ai ishte pjesë e investimit në dy Kullat Binjake në qendër të Tiranës, zanafilla e ndërtimit të të cilave nis me pushtetin e Berishës dhe kompensimin e disa figurave të larta të pushtetit në atë kohë, përfshi edhe Tritan Shehun.

Në gjyqin e zhvilluar në Egjipt ndaj tyre, shihet se “doktor” Salehi kishte mundësuar futjen në Shqipëri të Ahmed Ibrahim Al Nagarit, i cili u dënua me vdekje dhe u ekzekutua si pjesëmarrës në atentatin e dështuar ndaj ish-kryeministrit të Egjiptit në vitin 1995.

Në dëshminë e vet në gjyq, Ahmed Ibrahim Al Nagari thotë se, pas atentatit ndaj kryeministrit të Egjiptit, ai u fsheh disa kohë në Siri dhe pastaj u dërgua në Shqipëri. Në mënyrë banale, korrupsioni i doganierëve shqiptarë ka dështuar për futjen e tij në Rinas. Doganieri ynë i ka kërkuar një bakshish dhe Ahmed Ibrahim Al Nagari nuk ia ka dhënë. Kaq i ka mjaftuar që të kthehet mbrapsht në Stamboll. Pas një peripecie disa javore, ai kaloi në Damask ku siguroi një biletë tjetër dhe u përcoll në doganën shqiptare nga Abdyl Latifi.

Më pas, Ahmed Ibrahim Al Nagari tregon se ka punuar në fondacionin “Haraman” në Tiranë me punë të ndryshme, derisa e arrestuan në vitin 1999.

Personi tjetër kyç Dr. Ayman Zawahiri, vëllai i pasardhësit të Bin Ladenit, ishte martuar me një shtetase shqiptare nga Kavaja, jetonte në Tiranë dhe drejtonte në fakt operacionet logjistike pro ushtrisë së muxhahedinëve në Bosnjë. Ishte po ashtu familjar me strukturat e shtetit shqiptar.

Sipas një dëshmie tjetër në gjyq në Egjipt, Muhamet Zawahiri, i cili ishte kreu i krahut ushtarak të Xhihadit, drejtonte Organizatën Islamike të Ndihmave me qendër në Tiranë. Ai ishte inxhinier, ndërsa vëllai i tij, Dr. Ayman Zawahiri ishte njeriu kryesor i xhihadit dhe më pas njeriu më i rëndësishëm pas Bin Ladenit në Al Qaeda. Emri i tij shfaqet po ashtu në Bosnjë, në trajnimin e celulave të xhihadit atje.

Berishës iu kthye në kompleks ky njeri dhe mbaj mend se shpenzonte shumë kohë që ta hiqte nga vetja përgjegjësinë pse ai kishte marrë shtetësinë dhe pse amerikanët dyshonin se ishte lidhja e Berishës me klanet e errëta të botës arabe.

Në një shpjegim privat që më ka dhënë mua vite më parë, ngrinte tezën se Dr. Salehu ishte agjent i dyfishtë i CIA-s dhe Al-Qaeda-s dhe informonte për elementët e rrezikshëm të botës arabe që vinin në Shqipëri dhe për këtë shkak i kishte dhënë shtetësinë, me miratim të amerikanëve. Po të ishte kështu, është e çuditshme përse amerikanët donin ta arrestonin dhe ta ekzekutonin. E njëjta gjë dhe për vëllain e kryetarit të fundit të Al-Qaeda-s, Al Zawahiri.

Të gjitha shpjegimet zyrtare dhe jo zyrtare që Berisha jep rreth këtyre personave kyç për lidhjet e tyre me Al-Qaeda-n dhe Bin Ladenin, janë tërësisht të paqarta, konfuze dhe asnjëherë të drejtpërdrejta. Shpejtësia me të cilën ai përgënjeshtron faktin që nuk ka takuar Bin Laden, është në shpërpjestim me mërmërimat që lëshon për dy personat më të besuar të Bin Ladenit, me të cilët ka ndarë miqësi të gjata, foto dhe takime të shumta dhe pse jo ndihma financiare të deklaruara dhe të padeklaruara. Mania e tij për të vrapuar të përgënjeshtrojë lajme të forta, por pa përmbajtje dhe të heshtë për gjëra konkrete që e damkosin, është një shkollë e vjetër e tij. Por dita-ditës raportet e CIA-s dhe shërbimeve të tjera po deklasifikohen për këtë çështje dhe do të ketë më shumë shanse për të parë se ku janë takuar realisht Sali Berisha me Bin Laden. Nuk ka rëndësi fare takimi i tyre fizik. Njerëzit e Bin Laden kanë qenë në paradhomën e Sali Berishës dhe kjo ka qenë një taksë e rëndë për Shqipërinë, për vite të tëra.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 − thirteen =