Braktisja e librit, efekt domino gjer në absurd...në rendjen drejt devolucionit - Arbëria News

Braktisja e librit, efekt domino gjer në absurd…në rendjen drejt devolucionit

Nga Arbër Zaimi

Statistikat e INSTAT tregojnë se në Shqipëri mbi 1 milion veta nuk e kanë lexuar asnjë libër në vitin e fundit, ndërsa rreth 320.000 veta kanë lexuar më pak se 5 libra, rreth 100.000 kanë lexuar 5 – 10 libra, e mbi 44.000 më shumë se 10 libra.

Por, duke gjykuar nga tirazhet e botimit të librave të mirë, del se jo më shumë se 300 – 1000 veta kanë lexuar diçka për së mbari.

Pra çka prodhoi lënia e kulturës në mëshirë të tregut, është se qindra mijëra ose s’kanë lexuar fare, ose kanë lexuar pleh e sende pa vlerë.

Kjo shpjegon se pse kapacitetet kumtuese e kuptuese të banorëve të Shqipërisë janë për t’u vajtuar. Gjuha e tyre nuk është më e kultivuar, ajo po bën regres dhe po reduktohet në 6-700 fjalë, me gramatikë e sintaksë të dobët. Edhe në vendet ku do të duhej të përdornin një regjistër të lartë gjuhësor, në media, në politikë, në akademi, në segmentet ku prodhohet kulturë, e përgjithësisht në publik, gjuha që përdoret ngjan me atë të shtëpisë, të rrugës a të zanatit (kur ka zanat). Mjaft të lexosh a të dëgjosh si flitet prej shumicës në media, rrjete sociale, por edhe në botime akademike, tekste të administratës, tekste kuratoriale, apo shpesh edhe në libra të përkthyer apo autorialë, për të parë se si po lëngon shqipja.

Mungesa e raportit me tekstin është mungesë e raportit me politiken. Mungesa e leximit përveç se cungon aftësitë shprehëse e kuptuese, cenon edhe vëmendjen e përqendrimin, kësisoj zvogëlon drejtpërdrejt aftësitë sociale e socializuese, e sidomos ato politike e politizuese. Njerëzit nuk zotërojnë fjalët e duhura për të menduar e kuptuar, as veten private e as atë publike, sigurisht as interesat e saj. U mungon edhe përqendrimi e vëmendja e nevojshme për të këmbëngulur në synime politike. Prandaj, edhe kur janë “njerëz të mirë”, rrallëherë dinë të kenë synimet e mira a të duhura. Njerëzit e mirë pa synime të mira janë njerëz të manipulueshëm a të manipuluar.

Në përgjithësi e gjithë kjo prodhon një mjedis anti-intelektual, të cilit tregu i përgjigjet duke i ofruar “atë që do populli”. Kështu, tregu mediatik i përgjigjet kërkesës së një publiku mendjerrafshët duke publikuar më shumë tituj bombastikë që mpijnë ndjeshmëritë publike, më shumë pornografi e sidomos rrena njëpërdorimëshe që gërryejnë dallimin mes të vërtetës e rrenës duke prodhuar te njerëzit gjendjen që Kanti e quante “ligësi rrënjësore (radikale)” pra gjendjen ku njeriu nuk e ka asnjë koncept të moralit çfarëdo qoftë ai. Tregu politik i përgjigjet kërkesës me më shumë fotoshop dhe video të doktoruara ku realiteti duket më i këndshëm a më i frikshëm se ç’mund të jetë ndonjëherë, si dhe me më shumë statuse me emoticona fëminorë dhe më shumë konspiracion e paranojë. Tregu kulturor i përgjigjet kësaj kërkese poshtë me më shumë tallava lart me më shumë snobizëm.

Skëterra mbi tokë nuk ka nevojë për shëmti të tjera. Është bërë e pamundur kritika thuajse për këdo, e sidomos për pushtetin. Braktisja e librit vijon efektin domino gjer në absurd, të rinjtë braktisin facebookun sepse “ka shumë tekst” dhe shkojnë te instagrami, se “një foto vlen sa një mijë fjalë”. Prej fotografisë si kapje e një imazhi momental të vetes, kalohet te fotografia si një vete përjetësisht imazhore. I rrituri magjepset me imazhe, si dikur fëmija parashkollor në librat me ngjyra. Tek rendja drejt fëmijërizimit fshihet rendja drejt devolucionit, nga njeri në qenie pa gjuhë, që për të qenë i qetë (jo i lumtur se lumturia është dimension intelektual) kërkon përmbushje të menjëhershme të dëshirave e nevojave primitive.

Në fakt, në rrethana të tilla bëhet e pamundur jeta e mirë, apo jeta e vetëmenduar, dhe bëhet shumë i vështirë, por i domosdoshëm një organizim, një lëvizje që do të mund ta mundësonte atë.

*Titulli i artikullit është vendosur nga Arbëria News

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × four =