Bruksel, zgjedhjet test me shumë rëndësi për integrimin në BE - Arbëria News

Bruksel, zgjedhjet test me shumë rëndësi për integrimin në BE

Është mbajtur dje në Bruksel Këshilli i 7-të i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, visit web ku dialogu konstruktiv politik mes partive në pushtet dhe në opozitë është vlerësuar thelbësor për qëndrueshmërinë e reformave që lidhen me integrimin europian.

Në deklaratën e përbashkët përfundimtare BE-Shqipëri theksohet rëndësia e standardeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, approved të cilat ofrojnë një mundësi shtesë për Shqipërinë, që të tregojë vendosmëri për zbatimin e marrëveshjes politike të dhjetorit, duke trajtuar çështjen e personave me të dhëna kriminale në poste publike.

Edgars Rinkevics, ministër i Jashtëm i Letonisë, e cila mban edhe Presidencën e radhës të BE-së, u shpreh për mediat se “politikanët përdorin ndonjëherë një retorikë mjaft të fortë, ndaj mbase duhet t’i qetësojnë paksa deklaratat e tyre, për të vijuar me këtë proces përgjithësisht gjithëpërfshirës.

Kështu që mund të konfirmoj se zgjedhjet lokale janë gjithashtu të monitoruara nga Bashkimi Europian, Komisioni Europian dhe ato do të luajnë një rol të rëndësishëm për procesin vlerësues përfundimtar”.

Ndërsa Johannes Hahn, Komisioner për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, duke folur për procesin dhe çështjen e statusit të vendit kandidat u shpreh se “kjo lidhet me cilësinë dhe jo me shpejtësinë, por kam kuptuar se Shqipëria tenton të harmonizojë shpejtësinë me cilësinë.

Nuk dua të parashikoj asgjë, por për momentin jam mjaft pozitiv se Shqipëria mund të dëshmojë gjurmë provash solide e të qëndrueshme në reformat respektive mbi 5 prioritetet kyçe. Ne, besoj se do të nisim me vlerësimin paraprak në fillim të vjeshtës, ku do të shohim edhe se cilat do të jenë përfundimet tona për raportin e progresit”.

Ndërkohë, kryetarja e komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, në takimet që ka patur me zyrtarët europianë bën me dije se ka ngritur shqetësimet e opozitës për çështjen e marrëveshjes së dekriminalizimit, ndërsa thekson se deklaratat furça nuk e ndihmojnë Shqipërinë.

“Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së nuk e ndihmojnë deklaratat ‘furça’ për ‘progres të dukshëm’ dhe ‘gjithëpërfshirja është e nevojshme dhe ne shpresojmë që palët të gjejnë gjuhën e kompromisit’, kur të vërtetat për kompromisin tonë afatgjatë të munguar politik janë më kokëforte se çdo deklaratë”, – shkruante Bregu në rrjetin social facebook lidhur me këto takime.

Por një qëndrim krejt ndryshe ka mbajtur ministri Ditmir Bushati, i cili ka folur për një qëndrim të unifikuar të opozitës dhe mazhorancës para zyrtarëve të BE-së. “Shqipëria është në kursin e duhur. Jam i gëzuar gjithashtu që sot, si delegacion shqiptar, së bashku me ministren e Integrimit, Gjosha dhe zonjën Bregu, si kryetare të Komisionit të Integrimit Europian, për çështje që kanë të bëjnë me interesin më madhor kombëtar të Shqipërisë, ne ishim në një zë, sikundër për nevojën që procesi i integrimit europian të intensifikohet”, – tha Bushati.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen − 2 =