Çipa: Asimetria mbetet ne fuqi në marrëdhëniet shqiptari-greke - Arbëria News

Çipa: Asimetria mbetet ne fuqi në marrëdhëniet shqiptari-greke

Aleksandër Çipa analizon paktin e eshtrave: Kujdes, të mos përzihen varret e ushtarëve me ato të andartëve!

Negociatat greko-shqiptare që prodhuan një zhvillim siç është çështja e varrezave të ushtarëve grekë të rënë ka ngjallur mjaft debat në opinionin publik.

Gazetari i njohur Aleksandër Çipa, në një intervistë për lajm-shqip analizon negociatat e Korçës dhe parashikon produktin e asaj çka do të sjellë takimi i nivelit të lartë Rama-Tsipras.

Çipa përkrah propozimin e Mero Bazës për muezeun e kujtesës.

Aleksandër Çipa analizon paktin e eshtrave të ushtarëve.

Ai paralajmëron që duhet bërë kujdes nga ana e Tiranës zyrtare që të mos ngatërrohen varrezat e ushtarëve të rregullt me ata të andartëve grekë…

Shkrirja e marrëdhënieve me Athinën ka nisur me çështjen e varrezave të ushtarëve, ku sot nisi procesi i zhvarrimit në Dragot te Tepelenës. Si i shikoni ju këto negociata dhe çfarë prisni nga takimi Rama-Tsipras?

Le të flasim së pari për të ashtuquajturën “shkrirje” të marrëdhënieve me Athinën. Është e vërtetë që në periudhën e 6 viteve të fundit relacionet diplomatike dhe  shkëmbimet zyrtare mes dy vendeve fqinjërues, njohën periudhën më të gjatë të ftohjes.

Ose më mirë do të ishte të thuhej të moskomunikimit në nivele të larta.

Madje shkuan më tej, reduktuan kalendarin e shkëmbimit të vizitave zyrtare, duke shënuar një rekord, atë të kohëvonesës së vizitave të ndërsjellta në nivele kryeministrash.

U kalua në gjendjen e e një diplomacie përkohësisht të ngrirë.

Rikomunikimi dhe shkëmbimi i vizitave në nivel ministrash të jashtëm nisi, duke patur si “produkt” të parë një kapitull të ri historie të vjetër me eshtra.

Dhe është fjala për sheshin e vjetër të eshtrave të përziera greko-italiane në fshatin Dragot të Tepelenës dhe sipas gjasave edhe gjetkë, i cili si në letërsinë ballkanike mund të zgjojë interes dhe pse jo edhe sherrnajë të re mes protagonistëve të hershëm të luftës (italianëve dhe grekëve) që ngjau në një terren të tretësh, që jemi ne, domethënë Shqipëria.

Vendosja në plan të parë e këtij “fryti” të dalë nga takimet Kocias-Bushati dhe Bushati-Kocias, nuk është aq ogur gëzimndjellës. Greqia më së pari, dhe Shqipëria pasueshëm ndonëse gjenden në vitin 2018 nuk po ngrenë një qasje të re në raportet fqinjore si shtete.

Ndonëse duhet ta pranojmë se dy kryeministrat aktualë duket se po hedhin hapat më kurajozë të kryera ndonjëherë për të diskutuar konkretisht çështjet e mbajtura si tabu.

Por është herët të flasim për një sukses të arritur, mund të mendojmë se kemi vetëm një sukses të nisur. Veçse mbi të dhe ndodhinë reale të tij po mbahet hermetizmi dhe padijenia publike.

Takimi i pritshëm i Davosit mes kryeministrave Rama dhe Cipras do të zbardhë, ndoshta për herë të parë publikisht, çështjet konkrete të takimeve kokë më kokë mes ministrave të jashtëm të të dy vendeve.

Nuk ka asnjë dyshim që nga kjo zbardhje të ndizen debate të reja në skenat publike të të dy vendeve, madje duhet parathënë se debatet mund të shkaktojnë dallgë dhe ndezje të reja polemikash.

Para se të njihemi me këtë marrëveshje, na duhet të pranojmë faktin se gjasat për të balancuar heqjen e të ashtuquajturit “Ligj të luftës” nga pala greke në shkëmbim të arritjes së marrëveshjes për varrezat e eshtrave të grekëve të luftës italo-greke apo aq më keq të shtosh edhe një marrëveshje për shelfin detar, janë të shumta dhe natyrisht të hidhura për interesin tonë.

Por le të presim zbardhjen!

Përqasja e pohimit të parë të kryeministrit Rama për një partneritet strategjike që pretendon të konfirmojë në takimin me kryeministrin Cipras në Davos dhe qasjes së homologut të tij grek në datën 5 janar 2018, kur deklaronte se:

“Tani është koha të marrim vendimet e nevojshme për të përligjur rolin e Greqisë si një fuqi udhëheqëse në Ballkan”, shprehin mirëfilli një strategji bilaterale asimetrike.

Aleksandër Çipa për paktin e eshtrave: Të mos përzien varret e ushtarëve

Negociatat ishin më shumë konçension ndaj Athinës për të marë statusin kandidat apo një process serioz që mund të sjellë në një marrëdhënie më në fund të çliruar nga mankthet e së shkuarës?

Negociatat janë zhvilluar në rrethana gati plotësisht hermetike, larg komunikimeve me të tretë dhe natyrisht, larg mediave. Raportimet janë si kurrë ndonjëherë të munguara.

Në këto kushte nuk do të ishte serioze të thuhej se janë më tepër konçension yni ndaj grekëve. Përvoja e shkuar mbetet dëshmi në favor të këtij konstatimi.

Sidoqoftë aspekti më pozitiv është hyrja në procesin për çlirim të raporteve nga “demonët” dhe sidomos makthet e së shkuarës.

Gjithësesi na duhet të themi se Greqia hyn në këto negociata të cilat prej më shumë se dy dekada kanë qenë të refuzueshme dhe asimetrike me qëndrimin e saj konstant të refuzimit të minoritetit shqiptar, kur negocion për çështje minoriteti apo për  të drejtat pronësore të shqiptarëve në territorin e saj, kur në negociata ngre pretendime ekskluzive për kategori paraminoritare, sikundër i quan homogjenët e vet, ata që ne i konsiderojmë filogrekë në vendin tonë, etj.

E shkuara greko-shqiptare nuk është thjesht një kalvar mosmarrëveshjesh për interpretimet e historisë apo të  ndodhive, por një proces më kompleks i relacioneve mes shqiptarësisë dhe grekësisë në tërësi. Për këtë shkak çlirimi do të jetë i pandodhshëm plotësisht në gjithë ardhmërinë.

Në listën që Athina ka dorëzuar për varret e ushtarëve  rezultonin edhe fshatrat e Himarës, madje edhe Kuçi.

Natyrisht mungonte Piluri…Ka pasur luftime italo-greke në Himarë?

Nuk mendoj se është e saktë kjo. Varret e ushtarëve të rënë në luftën italo-greke janë shpërndarë në disa pika të jugut shqiptar.

Është e vërtetë që edhe në zonën e Bregut, më saktë në vendin e quajtur Skutara të Himarës kala, ka pasur varre të grekëve dhe italianëve që u ndeshën bajonetë më bajonetë gjatë vitit 1941.

Por nuk duhen ngatërruar eshtrat e të rënëve në këtë luftë me ato të andartëve në 1913-1914 sidomos kur përmendni Kuçin, ku andartët shkuan për të djegur dhe vrarë për arsye tjetër dhe u shporrën ashtu sikundër erdhën tinëzisht dhe në rrethana të pabarazisë përballëse.

Për këtë aspekt unë ndaj mendimin e njëjtë me kolegun Mero Baze i cili sugjeron një muze apo e thënë ndryshe edhe mauzole të Luftës Italo-Greke ku të mund të përqëndroheshin të gjitha eshtrat e të rënëve të pretenduar dhe të gjendshëm nga shteti fqinj dhe jo të shpërndaheshin në disa pika, pasi kjo do të merrte semantika të tjera politike dhe interpretimesh dhe do të shtonte arsyen për demonë dhe makthe të reja.

Nga ana tjetër pala jonë shtetërore, konform Kushtetutës duhet të amendojë ligjin për këto raste dhe kësi ndodhish të mundshme, për të parandaluar çdo homazh tendencioz dhe përdorimin e terminologjisë nacionaliste që provokon ndërgjegjen dhe përkatësinë etnike territoriale në këtë pjesë të Atdheut ku gjendet kësi varresh.

Sepse duhet ta pranojmë që në realitetin e marrëdhënieve shqiptaro-greke kanë rol edhe përplasjet e injorancave, edhe ato të intolerancave.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty − 10 =