Deklarata “bombë” e ministrit grek: Bllokoj marrëveshjen me Shkupin dhe largohem nga qeveria - Arbëria News

Deklarata “bombë” e ministrit grek: Bllokoj marrëveshjen me Shkupin dhe largohem nga qeveria

Mëngjesin e sotëm ministri grek i mbrojtjes, Panos Kammenos, njëkohësisht dhe  kryetar i partisë Grekët e Pavarur, e cila është aleatja e vetme e  qeverisë së kryeministrit Tsipras, ka lëshuar një deklaratë “bombë”, duke paralajmëruar largimin e tij nga qeveria në rast se marrëveshja Athinë-Shkup nuk miratohet nga një referendum në Greqi.

“Marrëveshja e Prespës është e keqe, nuk e pranoj dhe do të përpiqem ta bllokoj”, deklaroi gjatë konferencës Kammenos, duke shtuar se që marrëveshja të miratohet duhet kaluar nga një referendum, ose të bëhen zgjedhje të reja.

“Marrëveshja nuk ka për të ardhur në parlament pa marrë më parë mendimin e popullit grek. Dhe kjo bëhet me dy mënyra: ose me zgjedhje të reja, ose me referendum. Përgjegjësinë e marr përsipër unë, si kryetar i Grekëve të pavarur”, tha më tej Kammenos.

Ministri grek i mbrojtjes bëri të ditur se ai do të marrë pjesë në samitin e NATO-s bashkë me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm. Por ai tha se dhënia e ftesës për anëtarësim “Shkupi” është një akt formal.

“Shkupi nuk ka asnjë të ardhme në NATO nëse nuk ratifikohet marrëveshja (Athinë-Shkup) dhe unë do të kujdesem që marrëveshja të mos ratifikohet”, tha Kammenos.

Kammenos  iu referua edhe marrëdhënieve me Shqipërinë, duke thënë se mbrëmë u informua nga kryeministri që po mbyllet çështja e zonave ekskluzive ekonomike -ashtu si dhe me vende të tjera-, por shtoi se komunikimet përkatëse do të bëhen nga ministri i jashtëm.

“Ato që kërkonte Greqia nga Shqipëria po nisin të realizohen”, tha më tej Kammenos. “Si p.sh., zhvarrimi i ushtarëve grekë. Shqipëria po fillon të vetëdijesohet se është në dobi të saj të ketë marrëdhënie të mira me Greqinë”, tha ministri grek i mbrojtjes.

“Sa thuhen për çështen e pronave nuk kanë lidhje me çamët”, vazhdoi Kammenos. “Çamët janë kriminelë lufte që bashkëpunuan me nazistët dhe me kriminelët e luftës ne nuk bashkëbisedojmë”.

Kammenos, kryetar i partisë së djathtë “Grekët e pavarur”, foli edhe për zonën ku jeton minoriteti grek në Shqipëri, duke iu referuar asaj zone me termin “Epiri i veriut”.

“Epiri i veriut është zona ku grekët ekzistonin dhe do të ekzistojnë. Minoriteti do të mbrohet”, tha ministri grek i mbrojtjes.

Krizë politike dhe zgjedhje të reja?

Kammenos deklaroi se kur marrëveshja Athinë-Shkup të mbërrijë në parlamentin grek për ratifikim, ai do të largohet nga qeveria. “Do të shkoj te presidenti i republikës dhe do t’i them se tërheq votëbesimin nga qeveria dhe se kërkoj mbajtjen e zgjedhjeve të reja”.

Në kohën që gjitha partitë e tjera e kanë bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojnë me qeverinë aktuale të Aleksis Tsipras, SYRIZA në pushtet ka vetëm 145 deputetë, ndërsa i nevojiten edhe 6 të tjerë që të ruajë mandatin qeverisës. Largimi i partisë së Kammenosit so të thotë automatikisht shpallje e zgjedhjeve të reja.

Ende nuk ka një reagim nga ana e aleatëve qeveritarë të zotit Kammenos. Ndërsa kreu i opozitës Kyriakos Mitsotakis, shpejtoi të komentonte deklaratat e ministrit të mbrojtjes:

“Dje thashë se Tsipras është një kryeministër në largim. Sot, paraqitja e trishtuar e bashkëqeverisësit, zotit Kammenos, më dha plotësisht të drejtë. E vetmja që i mbetet zotit Tsipras është të caktojë datën e zgjedhjeve”, shkruajti në twitter Mitsotakis, partia e të cilit ka një avantazh dyshifror ndaj SYRIZA-s në sondazhet.

Grekët e pavarur dhe Aleksis Tsipras ndodhen bashkë në qeveri që nga janari 2015 dhe morën një mandat të dytë në zgjedhjet e parakohshme në shtator të atij viti. Edhe pse kurrë nuk i kanë fshehur mosmarrëveshjet e tyre ideologjike, sidomos në ato që quhen si çështje kombëtare, bashkëpunimi i të dy palëve ka qenë mjaft i mirë.

Por turbulencat nisën të shfaqen që kur filluan negociatat me Shkupin dhe avioni qeveritar tashmë rrezikon të rrëzohet për shkak të “pilotit të dytë”.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three × five =