Dr. Elton Peci/ Çfarë është infertiliteti mashkullor? - Arbëria News

Dr. Elton Peci/ Çfarë është infertiliteti mashkullor?

Dr. Elton Peci

 

Cfarë është infertiliteti mashkullor?


Fertiliteti (pjelloria) e një mashkulli varet nga sasia dhe cilësia e spermatozoideve në spermën e tij. Nqs sperma do të ketë problem me numrin, shpejtësinë dhe morfologjinë e spermatozoideve, atëherë mashkulli do të ketë vështirësi në arritjen e shtatzanisë. Infertiliteti mashkullor diagnostikohet në momentin kur një cift klasifikohet si infertil dhe drejtohet tek mjeku specialist për kryerjen e analizave përkatëse. Analiza fillestare që diagnostikon infertilitetin mashkullor është spermiograma (analiza e spermës).

Sa i shpeshtë është infertiliteti mashkullor?


Mendohet se 1/20 meshkuj do të kenë problem me numrin, shpejtësinë apo morfologjinë e spermatozoideve. Ndërkohë që 1/100 meshkuj nuk do të kenë asnjë spermatozoid në ejakulatin e tyre (azoospermi). Infertiliteti mashkullor është përgjegjës për 25 – 40 % të shkaqeve të infertilitetit të ciftit.

Cilat janë shkaqet e infertilitetit tek meshkujt?


Infertiliteti tek meshkujt shkaktohet nga problemet që prekin prodhimin e spermës ose transportin e saj.

  • Në 60-70% të rasteve problemi qëndron tek prodhimi i spermës në testikuj. Në këto raste spermiograma tregon reduktim të numrit, cilësisë dhe morfologjisë të spermatozoideve. Këtu mund të përmendim varikocelën, kriptorkidizmin (mos zbritjen e testikujve në skrotum), infeksionet e ndryshme (parotis, orkitis etj), substancat e ndryshme toksike (duhan, alkohol etj). Në disa raste kemi edhe mungesë totale të prodhimit të spermës si pasojë e defekteve gjenetike / kromozomiale, operacioneve të ndryshme që shoqërohen me heqjen e testikujve (psh ne trauma ose kancer) apo trajtimit për kancer (radioterapi dhe kimioterapi).
  • Problemet e transportit takohen në rreth 20% të meshkujve infertilë. Këtu përfshihen rastet me bllokim të tubave që kryejnë transportin e spermës nga testikujt në penis. Këtu mund të përmendim rastet me vasektomi, infeksionet të ndryshme apo pasoja të traumave lokale. Në këto raste kemi azoospermi (pra mungesë totale të spermatozoideve në ejakulat).
  • Në rreth 10% të rasteve të mbetura përmendim:
    • problemeve seksuale në cift,
      • problem ereksioni tek mashkulli
      • vaginismus (dhimbje tek femra që bën të pamundur penetrimin vaginal)
    • probleme centrale (hipofiza në tru nuk prodhon hormonet e duhura për të venë në punë testikujt që të prodhojnë testosterone dhe spermë).

Analizat dhe arritja e diagnozës


Analiza kryesore që i rekomandohet një mashkulli infertile është spermiograma, e cila analizon spermën e pacientit duke e krahasuar atë me vlerat normale të pranuara botërisht. Është spermiograma ajo që diagnostikon në se një mashkull ka një problem me fertilitetin e tij apo jo. Spermiograma është një analizë shumë e thjeshtë, jo e shtrenjtë dhe e domosdoshme në vlerësimin e potencialit fertile të një mashkulli.

 

Në varësi të rezultatit të spermiogramës, do të përcaktohet edhe nevoja e analizave të tjera tek mashkulli. Në rastet me spermiogramë normale, zakonisht nuk shihet e arsyeshme të kërkosh analiza të tjera. Në rastet me rezultate shumë të dobëta të spermiogramës, psh. kur përqëndrimi i spermatozoideve është shumë i vogël (oligospermia, azospermia) mund të kërkohen shtesë ekografia skrotale, analizat e profilit hormonal dhe ato gjenetike.

Ekografia skrotale do të përcaktojë dimensionet e testikujve dhe epididimuseve, praninë ose të jo të masave, tumoreve apo kisteve si edhe të anomalive vaskulare (varicocele).

Nga analizat e profilit hormonal do të mund të kuptohet në se kemi ndonjë problem me sinjalet që testikuli duhet të marrë nga qendra (sistemi nervor qëndror) në mënyrë që të prodhojë spermë.

Analizat gjenetike do të tregojnë nëse problemet e spermës janë të lidhura me defekte të lindura gjenetike të cilat bëjnë të pamundur prodhimin e spermës (sindroma Klinefelter, kromozomi fragil Y) ose shkaktojnë apo me defekte që bëjnë të pamundur transportin e spermës nga testikujt në duktuset ejakulatorë të penisit (fibroza kistike shkakton absencë të vas deferens të cilat lidhin testikujt me dukstuset ejakulatorë të penisit).

Në rastet me azoospermi (mungesë totale e spermatozoideve në testikuj) e vetmja mënyrë për të mësuar në se ekzistojnë spermatozoide në testikuj (dhe eventualisht ti përdorim ato për Fertilizim In Vitro) mbetet ekstraksioni kirurgjikal i spermës nga testikujt.

Probleme te lidhura

me prodhimin

e spermes

nga testikujt

  • Varikocela
  • Defekte gjenetike / kromozomiale
  • Kriptorkidizmi (moszbritja e testikujve ne skrotum ne lindje)
  • Infeksionet si psh parotis (shytat), orkiti etj
  • Mjekime te ndryshme
  • Operacionet ne testikuj (per kancer, trauma, torsion etj)
  • Rrezatimet
  • Kimioterapia
  • Duhani, Alkooli, Drogat etj
  • Mbajtja e te brendshmeve te ngushta dhe banjot te nxehta
  • Shkaqe te panjohura
Bllokim i transportit te spermes
  • Infeksione qe demtojne kanalet
  • Probleme te prostates
  • Vazektomia
  • Mungesa e vas deferens ne fibrozen kistike
Probleme seksuale
  • Ejakulacion retrograd
  • Ejakulacion prematur
  • Mungese ejakulacioni
  • Impotence
  • Medikamente te ndryshme
  • Demtime te shtylles kurrizore
Probleme hormonale
  • Tumore te hipofizes
  • Abuzimi me steroide (sidomos per body building)
Anti-trupat ndaj spermes
  • Vasektomia
  • Infeksione te ndryshme te epididimisit

Trajtimi


Trajtimi i rasteve të lehta përfshin përmirësimin e profilit hormonal, mënjanimin e faktorëve të cilët dëmtojnë spermatogjenezën (ndalimi i duhanit, mosmbajtja e të mbathurave shumë të ngushta). Ne format e lehta mund te perdorim edhe inseminimin intrauterin (IUI).

Për sa i përket varikocelës, rekomandohet trajtimi kirurgjikal vetëm në rastet kur varikocela shkakton anomaly të rënda të spermës, dhimbje, zmadhim të testikulit. Megjithatë duhet theksuar se shumica (6 në 7 individë) e atyre që operohen nga varicocela nuk përfitojnë nga ky trajtim.

Trajtimi i rasteve të rënda të infertilitetit mashkullor varion nga Fertilizimi in Vitro klasikderi tek Fertilizimi In Vitro (IVF) me injeksion intracitoplazmatik të spermatozoidit në citoplazmën e vezës (ICSI – intracytoplasmic sperm injection).

Pse ICSI për rastet e rënda? Sepse në rastet e rënda, përvec numrit shumë të reduktuar mund të kemi edhe problem me lëvizshmërinë apo edhe me morfologjinë. Kështu që nuk mjaftohemi vetëm me vendosjen afër të spermatozoidit me vezën por injektojmë direkt spermatozoidin në brendësi të vezës. Në rastet e rënda, mund të kërkohet edhe ekstraksioni kirurgjikal i spermës nga testikujt (Testicular sperm extraction – TESE) për të zotëruar spermatozoidete e nevojshme për IVF – ICSI. Në rastet kur edhe përmes ekstraksionit kirurgjikal nuk arrihet të gjenden spermatozoide, ciftit i rekomandohet sperm donation.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × three =