Dr. Elton Peci/ Infertiliteti Femeror - Arbëria News

Dr. Elton Peci/ Infertiliteti Femeror

 

Që një femër të arrijë shtatzaninë duhet që të përmbushen faktorët e mëposhtëm:

  1. Femra duhet të ovulojë (të ketë ovulacion). Ovulacioni është clirimi i vezës nga vezorja. Është mjeku gjinekolog me eksperiencë në trajtimin e infertilitetit që bën vlerësimin e ovulacionit tek femra (nqs ndodh në mënyrë të rregullt, jo të rregullt apo nuk ndodh fare).
  2. Partneri nuk duhet të ketë problem me spermën.
  3. Kontakte të rregullta seksuale gjatë ditëve fertile të femrës. Nqs një femër nuk është në gjendje të përcaktojë ditët e saj ferile, atëherë ajo mund të kërkojë ndihmën e mjekut.
  4. Femra duhet të ketë një mitër normale dhe tuba fallopiane normale. Që spermatozoidi të takojë vezën duhet të kalojë përmes mitrës dhe ubave të Fallopit; kuptohet që cdo dëmtim i kësaj rruge pengon apo vështirëson arritjen e shtatzanisë.

Të katër kushtet e mësipërme, nqs plotësohen bëjnë të mundur arritjen e shtatzanisë sipas sekuencës së mëposhtme:

  1. Veza clirohet nga njëra nga vezoret (Ovulacioni)
  2. Veza hyn në tubin e Fallopit
  3. Sperma kalon vaginën – qafën e mitrës – mitrën – tubat e Fallopit ku edhe takohet me vezën.
  4. Spermatozoidi shkrihet (bashkohet) me vezën në një process të quajtur fertilizim (ngjizja) duke formuar embrionin.
  5. Embrioni udhëton nga tubi drejt mitrës, në brendësi të së cilës implantohet dhe rritet.

Të gjithë shkaktarët që ndërpresin këtë process tek femra, shkakton infertilitet. Këto shkaktarë janë si më poshtë:

PROBLEMET ME OVULACIONIN


Me këtë term do të kuptojmë të gjitha ato raste në të cilat femra ka ovulacion jo të rregullt ose nuk ka fare. Ky grup mund të jetë përgjegjës për rreth 25% të rasteve me infertilitet. Këto probleme shkaktohen kryesisht nga defekte hormonale që mund të prekin cdo nivel të aksit hipotalamus – hipofizë – vezore.

Sindroma e ovareve polikistike – PCOS. Tek femrat me PCOS crregullimet hormonale bëjnë që ovulacioni të ndodhë më rallë ose të mos ndodhë aspak. Kjo sindromë mund (por jo gjithnjë) të shoqërohet edhe me insulino rezistencë, obezitet hirsutizëm dhe akne. PCOS është shkaku më i shpeshtë i infertilitetit tek femrat.

Çrregullime në nivelin e hipotalamusit. Cikli menstrual drejtohet nga hormonet FSH (folikulo stimulus) dhe LH (luteinizues) të cilët prodhohen nga hipofiza (një gjendër në tru) në një mënyrë karakteristike. Ky funksion dëmtohet në prani të stresit emocional, fizik, mbipeshës apo edhe humbjes së shpejtë në peshë. Të gjitha këto situate shkaktojnë ovulacione të crregullta apo deri edhe anovulacion (mungesë të ovulacionit).

Rezerva ovariane e reduktuar dhe insuficienca ovarieane e parakohëshme. Në këto raste është numri i pakët i ovociteve (vezëve) në vezore që shkakton ovulacione jo të rregullta apo absente.

Prolaktina e rritur (Hiperprolaktinemia). Prolaktina është një hormone që prodhohet nga hipofiza. Në rastet kur ajo rritet përtej niveleve normale, ajo mund të shkaktojë probleme me ovulacionin.

LUF – Luteinised Unruptured Follicle Syndrome (Kur folikuli nuk çel …). Në femrat me fertilitet normal, ovulacioni me rupturën e një folikuli matur dhe çlirimin e një veze (ovociti) ndodh rreth 38 orë pas pikut të LH-së (hormonit luteinizues). Pas ovulacionit, folikuli i nënshtrohet luteinizimit duke u shndërruar në korpusin luteal (trupin e verdhë) që fillon të sekretojë progesteron. Megjithatë, në një pjesë të vogël të femrave, folikuli dominant luteinizohet pa u rupturuar pavarësisht se ka ndodhur piku i LH-së në mesin e ciklit menstrual.

DËMTIMET E TUBAVE 


Kur tubat nuk punojnë si duhet … ose nuk punojnë aspak!). Zakonisht këto ndodhin si pasojë e infeksioneve pelvike (sëmundja inflamatore pelvike), endometriozës dhe interventeve kirurgjikale që prekin sistemin riprodhues të femrës).

ENDOMETRIOZA


Endometrioza është një sëmundje kronike ku qelizat të cilat normalisht përbëjnë shtresën që vesh zgavrën e mitrës (kavitetin endometrial) rriten jashtë mitrës. Endometrioza mund të mbyllë tubat e Fallopit, apo të demtojë pjesën fundore të tyre (fimbriet) duke penguar bashkimin e qelizes vezë me spermatozoidin. Një tjetër efekt negativ i endometriozës është fakti që ajo dëmton rezervën e vezëve dhe cilësinë e tyre nqs ajo prek vezoret. Të gjitha këto demtojnë fertilitetin tek femra. Është fakt se femrat me endometriozë janë shanse më të pakta se femrat që nuk kanë endometriozë për të patur një shtatzani. Afërsisht 30-50 % e grave me endometriozë kanë vështirësi për të arritur shtatëzaninë.

SHKAQET E LIDHURA ME MITRËN:


Polipet endometriale

Miomat (fibromiomat, fibromat) Uterine rralle mund te shkaktojne infertilitet.

Anomalitë e lindura të mitrës (anomalitë mulleriane) si: septum, uterusi bikorn, uterusi unikorn etj)

TROMBOFILIA


Trombofilia është aftësia përtej normales e gjakut për tu mpiksur mund të shkaktojë defekte në implantimin e embrionit. Ajo mund të shkaktojë tek femra infertilitet apo edhe humbje të përsëritura të shtatzanisë.

DEFEKTET KROMOZOMIALE / GJENETIKE


Mjaft femra nuk arrijnë të kenë një shtatzani apo edhe ta humbin atë për shkak të defekteve gjentike të cilat mund të transmetohen nga nëna tek embrioni. Probleme të tilla zakonisht trajtohen përmes teknikës së PGS – PGD.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 2 =