E drejta e shqiptarëve për të votuar, dyshime të forta për shkeljen e Kushtetutës - Arbëria News

E drejta e shqiptarëve për të votuar, dyshime të forta për shkeljen e Kushtetutës

edison-kurani-e1464627698100

Nga Edison KURANI

Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, sanksionon se hiqet e drejta për të votuar për të gjithë ata shqiptarë që janë përfshirë në plot 77 vepra penale që parashikohen nga nenet e Kodi Penal. Neni i këtij ligji është kaluar me firmën e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, por mesa duket, duke shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ekspertët e tyre kanë hartuar dhe miratuar këtë ligj i cili në pjesën që ndalon të drejtën legjitime të ushtrimit të votës, sipas konstitucionalistëve është antikushtetues

neni per votimin noa.al

 

Palët kryesore politike në Shqipëri, kanë hartuar dhe votuar një ligj i cili ndalon të drejtën kushtetuese të ushtrimit të votës, për një numër shtetasish shqiptarë, që me zbatimin e këtij ligji, pritet të jetë i lartë.

Ligji Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, sanksionon se hiqet e drejta për të votuar për të gjithë ata shqiptarë që janë përfshirë në plot 77 vepra penale që parashikohen nga nenet e Kodit Penal.

Neni i këtij ligji është kaluar me firmën e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, por mesa duket, duke shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ekspertët e tyre kanë hartuar dhe miratuar këtë ligj i cili në pjesën që ndalon të drejtën legjitime të ushtrimit të votës pë një numër qytetarësh, sipas konstitucionalistëve është antikushtetues.

Ata pohojnë në këtë raport special të NOA, se ky nen bie ndesh me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në të sanksionohet se çdo shtetas që ka mbushur 18 vjeç, ka të drejtën të zgjedhë dhe se përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes vetëm shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht. Sipas Kushtetutës, edhe të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, e kanë të drejtën për të votuar.

Paradoksi shtohet kur konstaton se ligji i ri ndalon të votojnë shtetasit e dënuar me Shqipëri, pasi e kanë përfunduar dënimin. Kurse nuk përfshin ata që janë aktualisht duke vuajtur një dënim.

Papërgjegjshmëri e ekspertëve dhe deputetëve?

Në nenin 2 të Ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, shkruhet e zezë mbi të bardhë se “Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore, personat që plotësojnë kushtet e parashikuara shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni”.

Kush përfshihen në këto pika?

Përfshihen të gjithë ata persona që janë akuzuar ose gjykuar apo dënuar, qoftë dhe me vendim jopërfundimtar, për kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas një morie nenesh të Kodit Penal. Përfshihen edhe të dënuar dhe në fushën e zgjedhjeve, për “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”. Kështu, persona që janë akuzuar e dënuar për shkelje në procese zgjedhore, mes tyre komisionerë, ndalohen sipas këtij ligji të votojnë në proceset e ardhshme zgjedhore për Kuvendin dhe pushtetin vendor.

Nuk do të votojnë deri në fund të jetës

Tek neni 4 – Periudha e ndalimit të kandidimit, zgjedhjes apo ushtrimit të një funksioni të zgjedhur ose të emëruar, mësohet edhe se sa kohë nuk mund të votojnë dot këta persona.

Ligji në këtë nen përcakton se periudha e ndalimit për të votuar, për personat që parashikohen në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 2, të këtij ligji, zgjat gjatë gjithë jetës.

Kurse për personat që parashikohen nga shkronja “b”, e pikës 1, të nenit 2, të këtij ligji, ndalimi zgjat 20 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.

Dënimet politike të diktaturës, po rikthehet ligjshmëria e rrëzuar pas vitit 1992?

Shumë shqiptarë janë dënuar për vepra të ndryshme penale që përfshihen në këtë ligj, gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore dhe të Dytë Botërore. Një pjesë e tyre rrojnë dhe në zgjedhjet e ardhshme praktikisht nuk kanë të drejtë të votojnë as për deputetët e rinj të Parlamentit shqiptar, më 2017, as në zgjedhjet lokale që priten në vitin 2019. Për më tepër, ata nuk mund të votojnë më kurrë në jetën e tyre derisa të vdesin, referuar nenit të këtij ligji.

Edhe më serioze duket situata për faktin se shumë shqiptarë janë dënuar në mënyrë të diskutueshme gjatë regjimit komunist nga viti 1944 e deri në vitin 1992. Janë me mijëra shqiptarët të cilët janë dënuar nga disa prej 77 neneve të Kodit Penal që sot u ndalohet me ligj të votojnë.

Këta shqiptarë kanë marrë dënime nga më të ndryshmet, por pjesa më e madhe e tyre janë rehabilituar, pasi vendimet e gjykatave të diktaturës komuniste janë cilësuar publikisht dhe zyrtarisht nga të gjitha palët politike të pas vitit 1992, të majtë e të djathtë, si dënime politike. Madje shumë shqiptarë janë kompensuar dhe vazhdojnë të jenë të përfshirë në këtë proces.

Por me ligjin e ri, një pjesë e tyre nuk mund të votojnë. Deri në fund të jetës së tyre.

Pas ligjit, ndryshime në Kodin Zgjedhor

Ekspertët e pyetur nga NOA se si do të zbatohet ky nen i ligjit për dekriminalizimin, thanë se tani do të duhet të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Pritet që ndalimi i të drejtës së votës për personat e prekur nga paragrafët e nenit përkatës, të ndëshkohen me masa penale në rast se e shkelin këtë ligj.

Kështu, nëse një qytetar i cili është dënuar me një nga nenet e Kodit Penal shqiptar, ose është gjykuar apo hetuar ose dhe dëbuar nga një institucion drejtësie jashtë vendit edhe pa vendim të formës së prerë, shkon të votojë, për shembull në zgjedhjet më të afërta, ato të qershorit 2017 për Parlamentin e ri, ai do të përballet me ndëshkim që nëse i referohemi klauzolave të ligjit për dekriminalizimin shkon deri në tre vjet burgim.

rama bashaLiderët politikë u informuan për nenin antikushtetues, por nuk e ndryshuan atë

Paragrafi antikushtetues i ligjit për dekriminalizimin, me siguri që nuk është lexuar qartë nga deputetët që e votuan atë.

NOA ka mësuar se disa prej tyre, përfshirë dhe liderët e partive kryesore, PS dhe PD, u informuan për këtë nen dhe shprehën habi për faktin që kishin kaluar për votim një klauzolë të tillë. Megjithatë ata nuk bënë asnjë hap për ta ndryshuar atë.

Kujt i intereson ky ligj?

Neni që ndalon një pjesë të mirë të shqiptarëve të votojnë, nuk është vetëm një nen që bie ndesh me Kushtetutën.

Fakti që liderët politikë e kanë pranuar dhe deputetët e tyre e kanë votuar, çon në dyshime se ai mund të përdoret për interesa politike dhe “gjueti shtrigash”.

Dihet se listat zgjedhore hartohen nga bashkitë e vendit që kontrollohen nga partitë kryesore në vend. Atyre u lind e drejta, në zbatim të këtij ligji, që të përjashtojnë nga e drejta për votim, duke mos përfshirë në listat e votimit, qytetarë që ata kanë informacion paraprak ose në mënyra të tjera se kanë qenë të dënuar nga një prej 77 neneve dhe paragrafëve të Kodit Penal që përfshin ky ligj.

Në këtë mënyrë, për vetë faktin se jetojmë në një Shqipëri ku manipulimet me votimet nuk kanë pasur kurrë të sosur, rritet shumë dyshimi se ky nen do të keqpërdoret. Bashkitë mund të përjashtojnë në mënyrë tendencioze emra të caktuar, nisur edhe nga informacioni që ata kanë për prirjet politike dhe mënyrën si ata kanë votuar ndër vite. Dhe këtë informacion, partitë dhe përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor e kanë me bollëk.

Nga ana tjetër rritet shansi për braktisje vullnetare të votimit. Qytetarët mund të stepen që të shkojnë të votojnë, të frikësuar se mund të jenë të prekur nga neni i këtij ligji i cili faktikisht është i pakufizuar në kohë dhe si rrjedhojë përfshin deri në disa mijë shqiptarë të dënuar për vepra të ndryshme penale që përfshihen në këtë ligj.

Ky ligj nuk mund të ankimohet nga asnjë parti që e votoi

Me një iniciativë publike, palët politike të përfshira në hartimin dhe votimin e këtij ligji, kanë vendosur paraprakisht që asnjëra prej tyre nuk do ta ankimojë, tërësisht apo pjesërisht këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.

Po tani?

Në kushtet kur Rama-Basha janë marrë vesh publikisht dhe zyrtarisht që të mos e ankimojnë në gjykatën Kushtetuese këtë ligj që pjesë të tij ka një nen antikushtetues, lind pyetja se kush do ta bëjë këtë?

NOA foli me ekspertë të cilët i pohuan se mundësi e vetme e sigurt për të abroguar këtë nen të ligjit për dekriminalizimin, në paragrafin që shkel Kushtetutën duke i hequr njerëzve të drejtën për të votuar në zgjedhje parlamentare dhe vendore, është Avokati i Popullit. NOA është në pritje të një deklarimi të z.Igli Totozani mbi këtë çështje. igli-totozani

Sakaq, pas ligjit që u miratua më 17 dhjetor 2015, duhej që aktet nënligjore për zbatimin e tij ligji të miratoheshin nga organet kompetente jo më vonë se 2 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Deri tani nuk ka ndonjë raport publik mbi hartimin e këtyre akteve.

Si do të jetë procedura për zbatimin e ndalimit për zgjedhësit

Në ligj detajohet edhe procedura për zbatimin e ndalimit për zgjedhësit. Neni 12, sanksionon që kur një shtetas dënohet me vendim përfundimtar të formës së prerë për një nga veprat e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b” të nenit 2 të këtij ligji, gjykata e rrethit gjyqësor që ka marrë vendimin i dërgon një kopje të vendimit Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Kjo e fundit merr masa për pezullimin e së drejtës së votës dhe ngrirjen e rekordit zgjedhor të shtetasit në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Ky pezullim zgjat deri në përfundim të afatit të përcaktuar në nenin 4, pika 8, të këtij ligji. Me mbarimin e afatit të pezullimit, shërbimi i gjendjes civile e heq pezullimin kryesisht.

Me qëllim njoftimin e personit të dënuar në lidhje me pezullimin e së drejtës së votës, vendimi i dënimit përmban në dispozitivin e tij edhe faktin e pezullimit, sipas këtij neni. Gjatë kësaj periudhe, rekordi zgjedhor i shtetasit përkatës nuk përfshihet në listën e zgjedhësve. Kjo do të thotë se ai nuk do të figurojë në listën e zgjedhësve.

Por ligji nuk thotë asgjë për mënyrën si do të bëhet përzgjedhja e shtetasve shqiptarë që janë të dënuar apo të hetuar a dëbuar nga vendet e tjera, duke lënë shkak për mundësi abuzimi.

Neni 12

Procedura për zbatimin e ndalimit për zgjedhësit

Kur një shtetas dënohet me vendim përfundimtar të formës së prerë për një nga veprat e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b” të nenit 2 të këtij ligji, gjykata e rrethit gjyqësor që ka marrë vendimin i dërgon një kopje të vendimit Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile e cila merr masa për pezullimin e së drejtës së votës dhe ngrirjen e rekordit zgjedhor të shtetasit në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Ky pezullim zgjat deri në përfundim të afatit të përcaktuar në nenin 4, pika 8, të këtij ligji. Me mbarimin e afatit të pezullimit, shërbimi i gjendjes civile e heq pezullimin kryesisht.

Me qëllim njoftimin e personit të dënuar në lidhje me pezullimin e së drejtës së votës, vendimi i dënimit përmban në dispozitivin e tij edhe faktin e pezullimit, sipas këtij neni. Mospërfshirja e këtij ndalimi në dispozitivin e vendimit nuk përbën shkak për pavlefshmërinë e pezullimit. Në çdo rast, shërbimi i gjendjes civile merr masa për njoftimin e shtetasit, në lidhje me ekzekutimin e pezullimit si edhe për mbarimin e pezullimit.

Gjatë kësaj periudhe, rekordi zgjedhor i shtetasit përkatës nuk përfshihet në listën e zgjedhësve.

Ministria përgjegjëse për shërbimin e gjendjes civile nxjerr aktet nënligjore në zbatim të kësaj pike, në përputhje me afatin e përcaktuar në nenin 16, pika 5, të këtij ligji.

***

Nëse sheh të gjitha nenet që përfshin ligji, që NOA jua rendit të plota më poshtë, konstaton se shumë njerëz preken nga ky ligj. E nëse kemi pranuar botërisht që të ndëshkohen duke mos gëzuar të drejtën e zgjedhjes në funksione publike apo detyra të tjera shtetërore të çdo rangu, si dhe emërimin e personave që preken nga ky ligj, zor se mund të dalë njeri që të pranojë se prisnin që ky ligj të ndëshkonte me ndalim të drejte për të votuar, edhe mijëra shqiptarë të proceduar penalisht apo dënuar për vepra penale që nga ato për prodhim apo shitje narkotikësh e deri ata për shpërdorim detyre,

Një gjë është e qartë, ata që e përgatitën këtë ligj dhe përfshinë një nen të tillë dhe ata që e votuan atë, pasojat nuk i kanë llogaritur: Janë me mijëra, shqiptarët që ligjërisht mund t’u mohohet e drejta për të votuar!

Neni 2 – Ligji Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”

 

    1. Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni.

 

    1. Kohëzgjatja e ndalimeve të parashikuara nga ky nen përcaktohen, sipas rastit, në nenin 4 të këtij ligji.

 
Kushtetuta

Neni 45

1.Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet

2.Përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht

3.Të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur

4.Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.

Ligji Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”

Neni 2

Ndalimi për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik

 

    1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:

 

    1. a) kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas neneve 73, 74, 75, 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b dhe 79/c, 86, 87, 88 paragrafi i dytë, 89/a, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 109, 109/b, 109/c, 110/a, 111, 114, 128/b, 135, 136, 140, 141, 143/a, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 230, 230/a, 230/b, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a, 234/b, 278 paragrafin e parë, të pestë e të gjashtë, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të parashikuar në këtë paragraf, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal;

 

    1. b) kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas neneve 110/c, 244, 245, 248, 248/a, 259, 260, 319, 319/ç, apo në fushën e zgjedhjeve, të parashikuar në Kreun X “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”, të Kodit Penal;

 

    1. c) kryerjen e një krimi, që nuk përfshihet në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim;     ç) për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.

 
2.Ndalimi i parashikuar nga pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe ndaj personave:

a) që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë,                   apo për të cilët është vendosur masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një prej                   këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale, të parashikuara në pikën 1, shkronja “a”, të këtij neni. Për             personat që plotësojnë kushtet e këtij paragrafi, ndalimet zbatohen në përputhje me pikën 5, të nenit 10, dhe pikën 1, të nenit 16, të këtij                   ligji;

 

    1. b) që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të shtetit përkatës.

 

    1. Ndalimet e parashikuara në këtë nen zbatohen edhe ndaj personave që, në kohën e kryerjes apo tentativës së kryerjes të veprës penale, të parashikuar në këtë ligj, mbanin të dhëna identiteti të ndryshme nga ato që mbajnë në momentin kur zbatohet ndalimi ndaj tyre.

 

    1. Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore personat që plotësojnë kushtet e parashikuara shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni.

 

    1. Kohëzgjatja e ndalimeve të parashikuara nga ky nen përcaktohen, sipas rastit, në nenin 4 të këtij ligji.

 

    1. Kuvendi, me vendim, përcakton brenda afatit të parashikuar nga ky ligj listën e shteteve të tjera, vendimet e dënimit jopërfundimtare, masat e sigurisë dhe/ose urdhrat e kërkimit ndërkombëtar apo masat e dëbimit të të cilave, sipas këtij neni passjellin zbatimin e ndalimeve të këtij ligji.

 
Nenet e Kodit Penal që përfshin ndalimi për të marrë pjesë në votime sipas pikës 5 të Nenit 2 të ligjit për dekriminalizimin

Pika a

Neni 73

Genocidi

Neni 74

Krime kundër njerëzimit

Neni 74/a

Shpërndarja kompjuterike e materialeve pro gjenocidit ose krimeve kundër njerëzimit

Neni 75

Krimet e luftës

Neni 76

Vrasja me dashje

Neni 77

Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër

Neni 78

Vrasja me paramendim

Neni 78/a

Vrasja për gjakmarrje

Neni 79

Vrasja në rrethana të tjera cilësuese

Neni 79/a

Vrasja e funksionarëve publikë

Neni 79/b

Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit

Neni 79/c

Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare

Neni 86

Tortura

Neni 87

Tortura me pasoja të rënda

Neni 88

Plagosja e rëndë me dashje

Neni 88/b

Plagosje e rëndë me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme

Neni 89/a

Shitblerja e transplanteve, si dhe çdo veprimtari që lidhet me heqjen dhe implantimin e paligjshëm të organeve

Neni 100

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur

Neni 101

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç

Neni 102

Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura

Neni 102/a

Marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur

Neni 103

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur

Neni 104

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës

Neni 105

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën

Neni 106

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari

Neni 109

Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit

Neni 109/b

Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë

Neni 109/c

Zhdukja me forcë

Neni 110/a

Trafikimi i personave të rritur

Neni 111

Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera

Neni 114

Shfrytëzimi i prostitucionit

Neni 128/b

Trafikimi i të miturve

Neni 135

Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën

Neni 136

Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit

Neni 140

Vjedhja me armë

Neni 141

Vjedhja me pasojë vdekjen

Neni 143/a

Skemat mashtruese dhe piramidale

Neni 215

Dëmtimi i objekteve mbrojtëse

Neni 216

Sigurimi i mjeteve për shkatërrimin e teknikës luftarake

Neni 217

Marrja e shpërblimeve

Neni 218

Vënia në shërbim të shteteve të huaja

Neni 219

Atentati

Neni 220

Komploti

Neni 221

Kryengritja

Neni 222

Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës

Neni 230

Vepra me qëllime terroriste

Neni 230/a

Financimi i terrorizmit

Neni 230/b

Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin

Neni 230/ç

Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur

Neni 231

Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit të

terrorizmit

Neni 232

Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste

Neni 232/a

Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste

Neni 232/b

Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste

Neni 233

Krijimi i turmave të armatosura

Neni 234

Prodhimi i armëve luftarake

Neni 234/a

Organizata terroriste

Neni 234/b

Banda e armatosur

Neni 278

Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit

278 paragrafi 5

Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

278 paragrafi 6

Mbajtja e bombave, minave ose lëndëve plasëse në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet.

Neni 278/a

Trafikimi i armëve dhe i municionit

Neni 282/a

Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive

Neni 283

Prodhimi dhe shitja e narkotikëve

Neni 283/a

Trafikimi i narkotikëve

Neni 284/a

Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale

Neni 287

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale

Neni 333

Organizata kriminale

Neni 333/a

Grupi i strukturuar kriminal

Neni 334

Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal

Pika b

Neni 110/c

Veprimet që lehtësojnë trafikimin

Neni 244

Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike

Neni 245

Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë

Neni 248

Shpërdorimi i detyrës

Neni 248/a

Dhënia në kundërshtim me ligjin e pensioneve ose e të ardhurave të tjera

nga sigurimet shoqërore

Neni 259

Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike

Neni 260

Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Neni 319

Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë

Neni 319/ç

Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë

KUSHTETUTA

KODI PENAL

LIGJI PER DEKRIMINALIZIMIN – See more at: http://www.noa.al/mob/index.php?type=artikull&id=591744.html#sthash.PjKTNnwy.dpuf

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × 3 =