E TMERRSHME/ “Florencit i çanë fytin, në duar kishte tela të ngulur në mish” Mjekët donin të fshihnin ngjarjen - Arbëria News

E TMERRSHME/ “Florencit i çanë fytin, në duar kishte tela të ngulur në mish” Mjekët donin të fshihnin ngjarjen

“Djalin e vranë policët francezë brenda në burg. Florencin e kapën në banesë se nuk kishte dokumente dhe e çuan në burg. Aty e mbytën. Im bir më tha se do kthehej në Shqipëri për dy ditë, por ia morën jetën në mënyrë makabre. Bashkëshorti me tha se Florencit i ishte çarë fyti, ndërsa nëpër duar kishte tela të futur në mish. Është e tmerrshme kjo që na ndodhi. Kërkoj drejtësi”. Kështu tha dje Laureta Beqiri, nëna e 23-vjeçarit Florenc Beqiri, i cili humbi jetën mbrëmjen e së premtes në spitalin Nord të Marsejës, pasi mjekët i hoqën aparaturat që e mbanin në jetë.

Ngjarja e rëndë ka tronditur tejet pjesëtarët e familjes Beqiraj, të cilët janë kthyer nga Mali i Zi në banesën e tyre në Shkodër, ku kanë hapur dyert e mortit. Përmes lotësh, nëna e të riut tregoi me detaje se si dhe kur ka ikur në Francë djali i saj i vetëm. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Laureta Beqiri tha se Florenci ishte arrestuar prej afro një muaji për shkak se ka qëndruar në Francë në të zezë, pa dokumentacion. Ndërkaq, ajo i bëri apel shtetit që të sjellë trupin e Florencit, pasi s’kanë mundësi ekonomike.

Si ka ikur në Francë djali juaj, Florenc Beqiri?

Ka 8 vite që kemi ikur nga Shkodra për të jetuar në Malin e Zi. Një mike e vajzës sime na ka lënë që të jetojmë aty, sepse ajo jeton në Francë. Kush më thërriste për të pastruar shtëpitë në Malin e Zi, unë shkoja. Kam shkuar bashkë me dy vajzat e mia. Unë jam edhe e sëmurë. Djali iku para dy viteve në Francë për të gjetur atje një jetë më të mirë. Ka shkuar për të kërkuar azil. Gjatë kësaj kohe kemi folur me të krejt normalisht, por djalit nuk ia dhanë statusin e azilantit. Ai qëndroi në të zezë atje dhe dilte tek një burrë, që ishte pronar i një dyqani për të shitur rroba.

Kur ka qenë hera e fundit që keni komunikuar me Florencin dhe çfarë ju tha?

Me 8 dhjetor ka qenë telefonata e fundit që kemi bërë me Florencin. Në atë datë ai ka qenë brenda në burg. Policia franceze e ka kapur djalin në banesë, pasi nuk kishte dokumente. Kur kam folur në telefon, më ka thënë se jam në burg se më ka zënë policia dhe pres për t’u kthyer në Shqipëri derisa të bëhet numri i duhur me shqiptarë të tjerë për të mbushur avionin dhe jemi në pritje të na presin biletat. Mirë i thashë. Djali nuk na mori më në telefon. Atëherë vajza e telefonoi, por nuk dinte të fliste anglisht ose frëngjisht, sepse na doli një polic në telefon. Vajza kaloi në telefon një mikun e saj për të folur anglisht. Miku i vajzës i pyeti se çfarë po bëhet me Florenc Beqirajn, a po e sillni në Shqipëri? Polici u përgjigj duke thënë se Florenc Beqiri ka vdekur dhe e kemi dërguar në spital. Unë nuk e di se si më ka vdekur djali në burg, sepse e morën të gjallë dhe ma çuan në gradë të fundit, këtë nuk e kuptoj. Pronari i djalit që ka punuar me të është fshehur. Ndërsa nuk gjendet as telefoni dhe as pasaporta e djalit. Rrobat e Florencit i ka gjetur bashkëshorti në banjë të spitalit, sepse i kishin hedhur aty. Dua ta di përse ma mbytën djalin. Dua të zbardhet ngjarja.

Kur djali juaj foli nga burgu, çfarë ju tha?

Kur ishte në burg dhe folëm me të më tha se jam mirë. Kishte rreth një muaj që nuk ishte futur në “Facebook”, atëherë e telefonuam dhe tha mirë jam, por jam në burg. I thashë çfarë je duke bërë, asgjë tha, këtu në burg. E pyeta me kë je atje, ndërsa ai më tha jam me gjithfarë njerëzish këtu brenda. Polici që kam folur na ka treguar se djali është në burg. E pyeta djalin kur do të kthehesh, edhe dy-tri ditë më tha sa të na presin biletën, unë jam për Shqipëri. Atëherë nuk jam lidhur dot me të. Pas dy-tri ditësh provova ta telefonoj djalin, doli numri i fikur. Atëherë mora numrin e policit që na kishte telefonuar, ai tha e keni të vdekur djalin në spital dhe s’na dha më përgjigje, e fiku telefonin.

Sa kohë qëndroi në burg Florenci?

Ka qëndruar rreth një muaj në burg për shkak se nuk kishte dokumentacion.

Bashkëshorti juaj ka shkuar tek spitali në Francë, çfarë u ka thënë mjekëve?

I ati nuk ka pranuar që t’i hiqet oksigjeni, as nuk ka vendosur firmë. Sapo ka shkuar bashkëshorti në Francë, e kanë marrë në intervistë. Në momentin që ka dalë jashtë, kanë shkuar mjekët dhe i kanë hequr oksigjenin djalit dhe ai më pas ka dhënë shpirt. Burri ka kërkuar që oksigjeni të mos i hiqet dhe të qëndrojë ashtu edhe për një vit, dy vite apo sado që të kishte zgjatur. Zemra i ka rrahur sepse e ka parë bashkëshorti, tensionin e ka pasur normal, urinën arrinte ta bënte, por edhe djersitej, çka tregon se ka qenë gjallë.

Kishte shenja dhune në trup?

Ka qenë i dëmtuar, i çarë tek fyti. Nëpër duar ka pasur plagë me tela në mish, e ka parë burri. Pra, ka pasur shenja dhune.

Keni folur më shumë me bashkëshortin?

Me bashkëshortin s’kam folur, pasi edhe ai është shumë keq, sepse ka djalin e vdekur para syve.

Çfarë kërkoni ju?

Unë dua drejtësi. Dua të di përse ma mbytën djalin. Ai shkoi për një jetë më të mirë si të gjithë të rinjtë e tjerë. Përse e mbytën, nëse s’ka pasur letra, ta kishin kthyer, përse e vranë?! Unë dua të zbardhet e vërteta. Dua të drejtat deri në pikën e fundit. Policët e ndaluan, e futën në burg, por im bir ishte shëndosh e mirë, tani kush ka pasur për ta mbytur përveçse policët?!

Kush do e sjellë trupin e Florencit në Shkodër?

Ne s’kemi mundësi që ta sjellin, ndaj i kërkojmë ndihmë shtetit që të na sjellin trupin e djalit, sepse jemi fukara.

GJYSHJA E VIKTIMËS– Gjyshja e Florenc Beqirit, Fife Rexha dyshon se policia dhe mjekët francezë kanë bashkëpunuar për të mos e zbardhur ngjarjen. “Policia e ka mbytur vetë ose edhe të burgosurit, por më shumë policia. Policët kanë bashkëpunuar me spitalin. Kur e kanë dërguar nipin në spital, policia ka deklaruar se ka varur veten. Kanë hedhur rrobat në banjë. Pse nuk mori masa spitali, kur panë një djalë të ri 23 vjeç, pse nuk morën më shumë informacion”, tha e moshuara.

BABAI I 23-VJEÇARIT– Gëzim Beqiraj, babai i 23-vjeçarit, Florenc Beqiraj tha se është i vendosur t’i shkojë çështjes deri në fund. Ai pohoi se mjekët e spitalit të Marsejës i hoqën tubat e oksigjenit të birit pa lejen e tij. Gëzimi pohoi se po e ndihmon një avokat në këtë betejë, ndërsa u shpreh se disa të rinj, emigrantë shqiptarë po e ndihmojnë në Francë në këto ditë të vështira./noa.al/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 − 5 =