Emergjencat civile informacion për situatën në vend/ EC: Zonat pa energji

 Temperaturat vazhdojnë të jenë të ulëta në të gjithë vendin. Disa akse rrugore rurale në zona të thella malore nuk ka qenë e mundur të hapen plotësisht. Firmat kontraktore po punojnë me forca dhe mjete në akset rrugore problematike.

Akset nacionale janë plotësisht të qarkullueshme dhe vetëm në disa segmente ka nevojë për përdorimin e zinxhirëve. Punonjësit e emergjencave, Policia e Shtetit dhe gjithë strukturat e angazhuara për përballimin e situatës, gjenden në terren për t’iu gjendur pranë qytetarëve e mjeteve në vështirësi.

Furnizimi me energji elektrike ka qenë gjithashtu me ndërprerje në zonat e thella për shkak të ngricave, ndërkohë grupet e specialistët të OSHEE janë duke punuar për riparimin e defekteve.

Sot ministri i Punëve të Brendshme ka inspektuar nga afër situatën në bashkinë Klos të qarkut Dibër ku ka nisur dhe shpërndarja e ndihmave. Ministri Tahiri ka kontaktuar me drejtuesit e bashkive dhe komunitetin, duke dëgjuar shqetësimet e tyre në lidhje problemet që kanë dalë prej situatës së krijuar nga reshjet e dëborës dhe temperaturave të ulëta. Për familjet në nevojë u shpërndanë ndihma që konsistonin në 10 ton miell, 4 ton mallra ushqimore, 200 batanije e 200 xhupa.

Nga helikopterët e ushtrisë që shoqëroheshin nga punonjësit e DPEC, sot janë shpërndarë në Njësinë Administrative Kelmend të Malësisë së Madhe, 60 pako me ndihma ushqimore 60 copë batanije dhe veshmbathje, si dhe në Njësinë Administrative Lurë, të qarkut Dibër 60 pako të tjera ushqimore me 60 batanije dhe veshmbathje.

Situata në akset rrugore në të gjithë vendin, deri në orën 17:30 të ditës së sotme paraqitet si më poshtë:

QARKU SHKODËR

Në qarkun Shkodër vazhdon situata e ngricave dhe temperaturave të ulëta edhe gjatë orëve të fundit, megjithatë në vazhdim kemi një përmirësim të situatës. Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së qarkut po punohet intensivisht për shkëmbimin e informacionit dhe disiplinimin e qarkullimit rrugor në të gjithë akset nacionale, njëkohësisht po bashkëpunon me bashkitë për strehimin dhe trajtimin me ushqim të endacakëve kryesisht në bashkinë Shkodër. Bashkia Shkodër dhe Malësi e Madhe, po bashkëpunojnë me dy mjete për të hapur akset Qafë Thore dhe Shosh.

Nga të gjithë anëtaret e KECQ vazhdon të ndiqet sistematikisht situata e krijuar nga reshjet e dëborës. Prefekti është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë drejtuesit e Bashkive, strukturave të Emergjencat Civile, për marrjen e informacionit për familjet më në nevojë dhe mbështetjen e tyre me ndihma ushqimore.

Në segmentin rrugor për në Njësinë Administrative Shalë, qarkullohet me vështirësi, pavarësisht se është pastruar nga dëbora por ka prezencë të ngricave dhe nuk ka sa duhet kripës dhe skorjeve, por po i kërkohet subjektit mirëmbajtës për të ndërhyrë me shtimin e hedhjes së sasisë së kripës.

Puna vazhdohet për zhbllokimin e rrugës në drejtim të Bregut të Lumit nga Mali i Shoshit, njëkohësisht në disa segmente të kësaj rruge është hedhur edhe kripë.

Deri tani është ndërhyrë në segmentin rrugor nga fshati Kir i Njësisë Administrative Pult deri në Qafë Mali i Shoshit. Për hapjen e kësaj rruge po punojnë dy mjete fadroma, një kamion dhe 12 punonjës të subjektit të kontraktuar.

Bashkia ka aktivizuar drejtues të Emergjencave Civile, administratorët e tre Njësive dhe së bashku me një grup n/specialistësh e punonjësish për ndjekjen e problemeve në terren. Sot do të shtohen në terren edhe dy mjete të tjera, njeri i siguruar nga Bashkia Shkodër dhe tjetri i siguruar nga DPEC, të cilat do të punojnë në Njësitë Administrative Pult dhe Shosh.

Në qytetin e Vaut të Dejës dhe Njësia Administrative Bushat ka probleme të furnizimit me ujë të pijshëm nga ngrirja e tubacioneve në banesa.

Njësia Administrative Hajmel rezulton me mungesë të energjisë elektrike, pasi era e fortë ka dëmtuar rrjetin elektrik të tensionit të lartë. Po ashtu edhe Njësia Administrative Vig Mnelë që mbrëmë vazhdon të jetë pa energji elektrike dhe pa furnizim me ujë të pijshëm.

Bashkia Malësi e Madhe

Segmenti Qafë Bordoleci–Vermosh, trashësia e dëborës mbi 80 cm e pa kalueshme. Po punohet për zhbllokimin e këtij segmenti nga një mjet i tipit fadromë dhe një mjet borëpastruese, ka rreth 9 km për tu hapur akoma.

Rrugët e Bogës dhe Razmes janë të kalueshme me zinxhir nga të gjitha mjetet.

Nuk raportohen probleme me energjinë elektrike.

Bashkia Pukë dhe Fushë Arrëz.

Aksi rrugor Qafë Mali–Qafa Shllak, në territorin e rrethit Pukë është i hapur por në disa pjesë të saj qarkullohet me zinxhirë.

Aksi rrugor Bardhet – Iballë ende i bllokuar por ka edhe 7 km për tu hapur. Vazhdon puna për hapjen e tij.

Rrugët e tjera janë të kalueshme por mjetet e tonazhit të vogël duhet të përdorin zinxhirë për shkak të prezencës së ngricave në rrugë.

Në bashkinë Fushë-Arrëz raportohet për mungesë të energjisë elektrike në fshatrat Tuc, Kokedode, Levoshe. OSHEE po punon intensivisht për rikthimin e energjisë elektrike në këto zona. Emergjenca shëndetësore nuk ka patur.

QARKU KUKËS
Aksi rrugor Bajram Curri–Valbonë, është i hapur dhe qarkullimi i mjeteve kryhet pa zinxhirë. Ka prani të erërave të forta dhe në disa vende trashësia e borës arrin deri në 100 cm. Mjetet borëpastruese janë të gjitha në punë.

Aksi rrugor Ura e Bujanit – Qafë Morinë, Sopot – Kërn – Tropojë, është i hapur dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Mjetet borëpastruese janë në punë duke pastruar dëborën dhe hedhur kripë. Ka prani të erërave të forta.

Aksi rrugor Bajram Curri – Kam, është i hapur por qarkullimi rekomandohet me zinxhirë sepse ka prezencë akulli.

Në aksin rrugor Tuneli Kalimashit–Dogana Morinë, qarkullimi kryhet pa zinxhirë.

Aksi rrugor Kukës–Bushtricë, K/Domaj–Reç është i hapur, qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhirë, për shkak të akullit. Mjetet borëpastruese janë në punë.

Aksi rrugor Kukës–Ura e Zapodit qarkullohet pjesërisht me zinxhirë

Në aksin rrugor Krumë–Qafë Prush, Plepa – Kam, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Në Qafë Prush ka rreth 40-60 cm borë.

Në aksin rrugor Shote Galica – Qendër Kukës – Krumë, rruga është e hapur, por qarkullimi rekomandohet me zinxhirë. Dëbora në Qafën e Toblit arrin deri në lartësinë 50 cm. Mjetet borepastruese janë në gatishmëri.

QARKU LEZHË
Në aksin rrugor Rrëshen – Tuneli i Thirrës, janë marrë masat për pastrimin dhe hedhjen e kripës. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë, në të gjitha korsitë.

Në të gjithë territorin e qarkut vazhdojnë temperaturat e ulëta, probleme me rrugët dhe në disa zona ka probleme me ujin e pijshëm.

Në territorin e Bashkisë Mirditë, vazhdon akoma situatë e vështirë për shkak të kushteve klimaterike, situatë e cila po mbahet në kontroll të vazhdueshëm nga Komisioni i Emergjencave Civile.

Njësia Administrative Fan;

Një pjesë e rrugëve rurale kalohet me vështirësi. Të bllokuara janë rrugët Shëngjin – Xhuxhë dhe Sang – Hebe.

Njësia Administrative Selitë:

Të gjitha rrugët rurale janë të kalueshme me zinxhirë. Rruga nacionale Kurbnesh – Lurë kalohet me zinxhirë deri në kufirin ndarës Mërkurth me qarkun Dibër.

Emergjenca shëndetësore nuk ka pasur. Furnizimi me energji elektrike ka qenë i vazhdueshëm. Ujë i pijshëm është bërë shqetësim për furnizimin e banorëve të qytetit.

Njësia Administrative Orosh:

Rrugët rurale Bulshar – Nënshejt – Lajthizë dhe Reps – Gurth – Spaç janë të bllokuara. Rrugët e tjera janë të kalueshme, por me vështirësi.

Nuk ka shqetësime për furnizimin me energji elektrike, duke përjashtuar fshatin Lajthizë, që furnizimin me energji elektrike e realizon nga zona e Lurës.

QARKU ELBASAN
Në aksin rrugor Elbasan – Qafë Thanë, është bërë pastrimi i aksit dhe është hedhur 3 ton kripë, për shkak të ngricave. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë.

Aksi rrugor Elbasan – Gjinar po pastrohet dhe kriposet, në vendet ku ka ngrica. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Prej fillimit të kësaj situate dhe deri tani janë hedhur rreth 17 ton kripë.

Në aksin rrugor Librazhd – Stëblevë, qarkullimi kryhet pjesërisht me zinxhirë për shkak të ngricave. Në këtë aks rrugor janë hedhur 2 ton kripë.

Aksi rrugor Dalja e Tunelit – Elbasan nuk ka probleme për qarkullimin. Është pastruar dhe spërkatur me kripë.

QARKU KORÇË
Në aksin rrugor K/Boboshticë-Dardhë dhe Korçë-Voskopojë qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Në aksin rrugor Korçë- Ersekë në Qafën e Qarrit qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Të gjitha akset e tjera të qarkut Korçë janë të kalueshme pa zinxhirë.

QARKU VLORË
Në segmentin rrugor Orikum- Himarrë në Qafën e Llogorasë është bërë pastrimi dhe kriposja e tij. Qarkullimi kryhet normalisht dhe pa zinxhirë.

Në akset e tjera të këtij qarku nuk ka probleme.

QARKU DIBËR
Aksi rrugor Kuben – Vasie, është i hapur, por qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Edhe në aksin rrugor Peshkopi – Qafë Drajë, qarkullimi bëhet me zinxhirë.

Në aksin rrugor Qafë Bualli–Peshkopi–Maqellarë–Bllatë qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Aksi rrugor Ura–Komsi–Ulëz–Ura e Matit është i hapur dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Mjetet borëpastruese janë në punë.

Në aksin rrugor Ura e Qytezës-Zerqan, Ura e Cerenecit – Stëblevë, qarkullimi bëhet me zinxhirë.

Në aksin rrugor Skuraj–Qafë Bualli qarkullohet pa zinxhirë.

Në aksin rrugor Qafë Bualli – Krastë, qarkullimi bëhet me zinxhirë. Ky aks është trajtuar me kripë për shkak të ngricave.

QARKU TIRANË
Akset rrugor i Dajtit qarkullohen pa zinxhirë, përveç segmenti Qafë Priskë – Qafë Mollë, i kalueshëm me zinxhirë.

QARKU DURRËS
Në aksin rrugor Qafë Shtamë – Sarisalltik qarkullimi bëhet pa zinxhirë. Po punohet me hedhje kripë, për shkak të ngricave.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one + 8 =