Eshtrat e Mid’hat Frashërit dhe lufta e stërzgjatur - Arbëria News

Eshtrat e Mid’hat Frashërit dhe lufta e stërzgjatur

ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Ke lajthitur rëndë, more djalë! Arrin e thua se kontributet e Mid’hat Frashërit eklipsojnë tradhtinë e tij gjatë luftës. Gjykimi yt më kujton atë meselenë: ‘Merre, e ke vajzë të mirë; edhe të ndershme e ke, vetëm se ka mbetur një çikë shtatzënë’.

Kështu më thotë një veteran i moshuar, mik i tim ungji. Dhe pastaj shton se tradhtia është faj që shkatërron çdo vlerë a meritë. Kontributet e Mid’hat beut,- thotë veterani,- të kujtojnë proverbin ‘Gjalpë i mirë në lëkurë qeni’. Gjë e shpurë dëm, s’ka njeri që e vë në gojë, se gjalpë është, por kutërbon.

Si të mos mjaftonte qortimi i veteranit, vjen dhe sms-ja e një shoku. Kësaj here ua ke hipur shkarpave, më vërsulet. Dolëm më të zgjuar se francezët ne! E lexove? Macroni deklaroi se do bënte homazhe për marshallin Petain. Njëqindvjetorin e L1B kremtojmë,- tha. E Petain i meriton homazhet, ishte një nga heronjtë më të shquar të saj. Kështu tha Macron në mëngjes, por në darkë u tërhoq me bisht në shalë, se iu turrën francezët dhe ia bënë rrupi-supi: bashkëpunimi me pushtuesin është kolerë e shkuar kolerës, gropos çdo vlerë e çdo kontribut.

2. S’e kam të lehtë t’i mbush mendjen veteranit. Mosha dhe formimi që ka e shtyjnë nga absolutizimet dhe nuk e lënë të merret me detaje e nuanca. Por prirja për ta prerë lisin e historisë me një sëpatë s’është as e re, as e rrallë. Ne, shqiptarët e sotëm, përfshirë dhe historianët, nuk bëhemi dot bashkë në çështjen ishte apo s’ishte Mid’hat Frashëri bashkëpunëtor i nazistëve.

Në rrafsh juridik, Mid’hat beun vështirë se mund ta shpallësh fajtor. S’është gjetur asnjë dokument i firmosur prej tij, që të dëshmojë marrëveshje apo edhe koordinim me pushtuesit. Ka qenë e qartë që në krye të herës se u qëndroi larg posteve dhe ofiqeve në qeveritë kuislinge.

Por në rrafsh moral e politik rezulton i përlyer. Shumë krerë të Ballit Kombëtar, formacionit politik që ai themeloi dhe udhëhoqi, qeverisën si kuislingë. Disa nga çetat balliste, sidomos në operacionet e dimrit dhe të qershorit, dolën krahas nazistëve për të luftuar partizanët. Pavarësisht se këto çeta nuk ishin ushtri e njësuar dhe shpesh vepronin më kokë të tyre, Mid’hat Frashëri, si kryetar politik i këtij formacioni, nuk i shpëton dot përgjegjësisë.

Të mundohesh t’i justifikosh këto lajthitje e faje me luftën kundër komunizmit, siç bëjnë disa, do të thotë ta shohësh historinë aposteriori, ta shpjegosh një aktualitet si pasojë e shkaqeve që nuk janë shfaqur akoma.

Në atë periudhë nuk pati burrë me mend dhe forcë politike me integritet, që të rreshtohej krah nazifashistëve për të luftuar komunizmin. Modeli mbizotërues i aleancave buronte nga bashkëpunimi mes kapitalistëve anglo-amerikanë dhe komunistëve rusë, pavarësisht se të nesërmen e kasaphanës botërore do të ndesheshin dhëmb për dhëmb në Luftën e Ftohtë.

Parë në raport me atdheun, gabimi më i rëndë politik i Mid’hatit me shokë ishte strategjia ‘të mos nxitohemi, të mos e shkatërrojmë vendin, të presim e të shohim’. Gjatë luftës kjo strategji i detyroi anglezët që gjithë përkrahjen t’ia jepnin Frontit Nacionalçlirimtar.

Pas lufte, shovinistët fqinjë bënë çmos t’i mbushnin mendjen bashkësisë ndërkombëtare se shqiptarët kishin qenë të rreshtuar me palën e humbur. Po qe se strategjia ‘të mos nxitohemi’ do të ishte ndjekur dhe nga nacionalçlirimtarja, mund të kishte ndodhur ajo që trembte Konicën, Nolin e të tjerë në agun e luftës: vënia në rrezik e tërësisë territoriale të vendit.

Gjithsesi, meritat atdhetare dhe ato kulturore të Mid’hat Frashërit, fryt i një jete të tërë, janë të shumta dhe vështirë se eklipsohen nga lajthitjet e tij gjatë L2B. Për më tepër se i shikojmë nga larg, gati 70 vjet pas vdekjes dhe treçerek shekulli pas përfundimit të luftës. Kur e sheh nga larg, edhe tragjedia pushon së qeni tronditëse,- tha filozofi.

3. Sa për shokun, doja t’i thosha se as Mid’hati është si Petain-i dhe as Shqipëria është si Franca. Petain-i kryesoi një qeveri kukull që bashkëpunoi me nazistët, ua bëri më të lehtë pushtimin dhe mbajtjen nën kontroll të hapësirave franceze. Veç kësaj, personalisht nënshkroi e zbatoi dekretin për deportimin e hebrenjve. Kemi të bëjmë me një kriminel lufte, njëri nga përgjegjësit kryesorë për vdekjen e rreth 70 mijë hebrenjve.

Jo vetëm kaq. Ndër argumentet që u përdorën për të kundërshtuar homazhet për Petain-in ishte një vendim i Gjykatës Supreme të Francës. Si guxon ti,- i thanë kundërshtarët Macronit,- të dalësh kundër gjykatës. Paçka se vendimi ishte marrë treçerek shekulli më parë.

E këtu vijmë tek argumenti se Shqipëria s’është si Franca. Kemi një shtet të ri, vetëm njëqindvjeçar. Si të mos mjaftonte kjo, i kemi ngritur dhe rrëzuar institucionet çdo dy-tri dekada, si të ishin kalaja e Rozafës. Nuk kemi ndjekur rrugën e vazhdimësisë, por atë të shkatërrimit me degë e me rrënjë dhe të fillimit nga zero.

Shteti dhe institucionet janë vetëm njëra anë. Ndryshimi tjetër lidhet me faktin se Franca ka mbi dy shekuj që ka kaluar nga një shoqëri tradicionale, në një bashkësi moderne. Si e tillë, ndëshkimet ndaj kriminelëve të luftës i bëri mbi bazën e përgjegjësisë individuale dhe jo duke diskriminuar edhe të afërmit e pasardhësit.

Në këtë kontekst, kundërshtimi i homazheve për Petain-in me shokë ishte një akt i pastër moral: dënimi i tradhtisë. Si i tillë bashkoi një masë të madhe francezësh, se morali është komun e gjithëpërfshirës.

Ndarja e shqiptarëve në dy grupe, pro dhe kundër sjelljes së eshtrave të Mid’hat Frashërit nuk është akt moral, por politik. Falë luftës së klasave dhe politikës së biografive erdhëm në ditët e sotme si shoqëri e ndarë dhe e përçarë. Ballistët dhe partizanët u ndeshën me njeri-tjetrin për disa muaj, por lufta duket se nuk ka mbaruar akoma. Dhe nuk bëhet aq për ideale sa për hakmarrje dhe përjashtim të njërës apo tjetrës palë, në mënyrë që postet dhe pasuritë gjithnjë të pakta t’i ndajmë brenda tarafit a brenda partisë.

Është thënë e rithënë se na duhet një strategji e gjithëpranuar për pajtimin kombëtar. Kjo është temë e gjerë dhe shumë e ndërlikuar. Gjithsesi, këtu mund të thuhet vetëm një gjë: ndarjet dhe përçarjet për të shkuarën dëshmojnë se, në disa aspekte, tribalja dominon modernen.

Harrojmë mësimin që vjen nga përvoja e vendeve të zhvilluara: çelësi i begatisë së një populli nuk është përjashtimi, por gjithëpërfshirja e temperuar në instrumente të tilla si starti i barabartë, meritokracia, konkurrenca, vënia e lidhjeve të interesit mbi lidhjet e gjakut, të klanit etj..

Prirja për të mbetur në të shkuarën, për të ecur përpara me kokën pas dhe duke u grindur, të sjell në mend konstatimin e Lumo Skëndos një shekull më parë: “Dami ma i math i ka ardhur Shqiperise nga e meta jetike e te qenit i qepure ne ide, ne vetija, ne zakone dhe ne vese te vjetra… Kjo konservatorizme ka influencuar jeten tone morale si dhe materiale, na ka lene pas e na ka mbajtur te huaj ne levizjen e perboteshme te qyteterimit…”

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × four =