Europa, Shqipëria dhe Princi i Linjës - Arbëria News

Europa, Shqipëria dhe Princi i Linjës

 

Nga Alfred Papuçiu

 

Po lexoj librin e Philip Mansel me titull : « Charles-Joseph de Ligne » (1735-1814). Midis të tjerash në të thuhet :  «Charles-Joseph, princ i Linjës (Ligne) : », qe Europian i shekullit të XVIII-të, për të cilin nuk egzistonin kufijtë. I bindur se « humbet konsideratën e vet në një vend ku jeton », duke folur frëngjisht, gjuhën ndërkombëtare të epokës, ai udhëtoi kudo, midis Parisit dhe Sen Petërsburgut, dhe kërkoi shtatë atdhe : gjë që përbën sot Belgjikën ku ai lindi, Perandorinë e Shenjtë romane gjermanike, Austrinë, Francën, Poloninë, Rusinë dhe Hungarinë…Kujtimet dhe letrat e tij përbëjnë dëshminë më të pasur që kemi mbi kohën kur Vjena ishte në fakt kryeqyteti i Europës. Ai jetoi atje 20 vite, në të njëjtën rrugë me Betovenin, dhe vdiq atje nga një të ftohtë që mori gjatë kongresit të Vjenës…Në Europë, kujtimi i Ligne, nuk është errësuar asnjëherë. Në Belgjikë, ai është hero kombëtar, dhe tema e vete e një botimi shkencor: „Analet e princit të Ligne“. Paul Valéry qe një fanatik i « princit hyjnor të Linjës ». Paul Morand përshëndeti tek ai « mishërimin e shekullit të XVIII-të ». Liria e tij e të shprehurit, europianizmi i tij i natyrshëm kanë ngjallur një interesim të ri. Cdo vit veprat e tij rishtypen. Në një kohë që Europa është duke rilindur, thotë Philip Mansel, qysh në 1992, dhe se Europa qëndrore, atdheu i dytë i Linjë, rijeton, ky kurtizan i shekullit të XVIII-të është një njeri i kohës sonë ».

Princi i Linjës mbante korrespondencë me Volterin, darkonte me Frederikun e Madh, përshkroi tej e përtej Krimenë me Katerinën e Madhe, korrigjoi dorëshkrimet e Kazanovës, shkëmbeu poema me Gëten. Ai jetoi dhe tregoi për vitet e arta të « Lumières », për rivalitetin midis Austrise dhe Prusisë për sundimin e Gjermanisë, premisat e rënies së Perandorisë osmane, lindjen e nacionalizmit gjerman dhe luftën e Europës për t’u çliruar nga hegjemonizmi napoleonian. Në Kongresin e Vjenës të 1814, siç dëshmon zonja Eynard, anëtare e delegacionit zviceran, me të shoqin, që figurojnë midis kronikuesve më të mirë të Kongresit : « Fola pothuajse gjithë kohën me princin e Linjës, i cili është një admirator i madh i Zvicrës »

Princi Linjë e donte « Europën pa kufi » qysh në shekullin e kaluar. Dhe sot nga postulatat e tij dhe të shumë baballarëve të kësaj Europe, prekursori i së cilës ishte dhe mbetet Shumani, hendeku midis “Europës tjetër” dhe Europës së 27-ve nuk duhet të thellohet më. Ka ikur koha kur vende europiane apo edhe jashtë saj, pse jo, mbanin regjimin komunist të E.Hoxhës në pushtet, pasi kështu u interesonte në kuadrin e ekulibreve të tyre, me SHBA, apo edhe me Serbinë dhe regjimin e Titos dhe pastaj të Milosheviçit. Epoka e Enver Hoxhës e kishte hequr Shqipërinë nga historia e përgjithshme e civilizimeve europiane, pasi ishte cilësuar një “vend i mbyllur”, “hermetik”.

Por tani Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më si portugezët kur “flakën” diktaturën në 1964, apo spanjollët që fshinë frankizmin dhe hynë në Europën e Brukselit, megjithë mangësitë që kishin në ato kohë. Shqiptarët nuk janë më si italianët, grekët dhe popuj të tjerë që u detyruan në fillim të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë të merrnin rrugën e kurbetit, atje në Amerikën e largët.
Shqipëria është tanimë në NATO dhe aspiron për në Bashkimin Europian, si dhe ka realizuar lëvizjen e lirë edhe të shqiptarëve në Europë, e në botë, e kete ecuri nuk do mundin ta ndalin më llobi serb apo edhe krahu famëkeq i llobit grek, « armiq » të Shqipërisë apo edhe ndonjë tjetër që për interesa të ngushta nacionaliste hedh gurë nën rrogoz. E rëndësishme është që ne vetë shqiptarët të jemi solidarë dhe në unison për çështjet e kombit, parlamentarë, pozitarë dhe opozitarë, si gjithë kombet e tjera të qytetëruara : si Zvicra që e mendonin Shqipërinë rilindësit tanë, që brezat e ardhshëm të mos na mallkojnë dhe të na fusin në kallëpet e atij “qoftëlargut” që shkon herë nga e majta apo e djathta, nga fryn era e ngrohtë për të dhe familjen e tij të ngushtë. Jemi në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë dhe kur nuk ka kufij midis shtetesh si Zvicra, Franca, Austria, Lisenshteini,  Italia por vetëm fusha me grurë apo lule që i ndajnë ato. Shqipëria dhe Kosova janë tepër të afërta me kulturat europiane. Me gjuhën tonë, ne kemi të përbashkëta kulturat e mbi 300 million europianëve. Ne jetojmë në një realitet multikulturor dhe multifetar që ka futur në gjirin e kontinentit një refuzim të centralizmit apo uniformitetit. Edhe Skënderbeu, Nënë Tereza, Rilindasit tanë, Isa Boletini, Adem Jashari, apo Guillaume Tell i Zvicrës bëjnë pjesë në pasurinë e përbashkët të Europës. Njeriu me shtizë gjendet në legjendat nordike, ashtu siç rrëfehen historira për heronjtë e Kombit tonë kudo.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 + nineteen =