FOTO/ Rruga e asfaltuar më në fund “ngjitet” në Pilur - Arbëria News

FOTO/ Rruga e asfaltuar më në fund “ngjitet” në Pilur

Piluri është një ndër shtatë fshatrat e “folesë me shtatë zogj” që renditet në vargjet e këngës së njohur himariote, i cili bashkon pjesën bregdetare me atë të Lumit të Vlorës së bashkisë së Himarës. Me një traditë të vyer në disa fusha. Por në historinë e këtij fshati me mbi 130 shtëpi e me mbi 150 vjershëtore në dy shekujt e fundit, ngjarjet e përfundimit të veprave të infrastrukturës janë shumë të rralla. Në vitet ‘80-të u përurua nga regjimi i shkuar ujësjellësi që merrte ujin e Kalbaqit dhe në sasinë më të pakte ende e pikon në çezmen e vetme të fshatit. Pas gati pesëdhjetë vjetesh, investimi më i lëvduar nga banorët mbetet rregullimi i qendrës së fshatit, i njohur ndryshe si Sheshi i Rrapit të Pilurit, një mjedis historik dhe me kuvende të famshme për krahinën e Bregut dhe të Labërisë. Konsiderohet gjer më sot investimi më i rëndësishëm në mandatin e qeverisjes vendore të kryetarit të bashkisë së Himarës, zotit Gjergji Goro. Pas dy vjetësh, investimi më i shumëpritur është përfundimi i segmentit rrugor Himarë-Pilur jo më shumë se 7 kilometra, gjysma e së cilës gati 4 kilometra po rikonstruktohet dhe asfaltohet në parametrat e një rrugë turistike që e zgjeron hartën e frekuentimit turistik në pikën më të lakmuar të vargmaleve të Vetëtimës. Në njoftimin zyrtar të kryetarit të Bashkisë së Himarës, zotit Jorgo Goro thuhet: “ Po ndodh në Pilur… Investime të Qeverisë Shqiptare që do ta shndërrojnë Pilurin në një destinacion turistik nga më atraktivet në Rivierën tonë. Bashkë me rehabilitimin e Sheshit Qëndror të Pilurit dhe së shpejti edhe të shtëpive karakteristike ku shumë prej tyre janë kthyer në Shtëpi-Pritëse falë bashkëpunimit me Qeverinë Gjermane nëpërmjet GIZ-it, kjo rrugë do të hapë potenciale të reja zhvillimi ekonomik për banorët e këtij fshati të rrallë për nga bukuria. Dhe tani e them me plot gojën dhe me gëzimin më të madh: Eja në Pilur të shijosh Himarën dhe Jonin!”

Banorët piluriotë të orientuar vrullshëm nga turizmi dhe asetet natyrore të vendlindjes së tyre këmbëngulin se partneriteti i tyre me pushtetin lokal dhe me qeverisjen qëndrore duhet të realizojë edhe ndërtimin e veprës më të rëndësishme strategjike, atë të ujësjellësit që të mund të ketë një zhvillim maksimal të fshatit, turizmit dhe veprimtarive të tjera zhvilluese.

Piluri është qëndra e lashtë e banimit që shquhet në historinë e vendit si vatër e Polifonisë së famshme shqiptare dhe me një kulturë dhe histori qëndrese të rrëfyera në dokumente të shekujve të shkuar. Banorët e fshatit në mbështetje dhe inkurajim nga zoti Goro po iniciojnë dhe projektojnë edhe disa nisma të reja zhvilluese për turizmin familjar, atë kulturor dhe të trashëgimnisë.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twelve + 3 =