Gjergji Bojaxhi demaskon Ramën për plehrat: Qeveri kasapësh, pazare të mbylluar në tavolinë - Arbëria News

Gjergji Bojaxhi demaskon Ramën për plehrat: Qeveri kasapësh, pazare të mbylluar në tavolinë

Gjergj Bojaxhi akuzon kryeministrin Rama se ka kthyer çështjen e plehrave në  formën e një pazari të mbyllur mbi tavolinë dhe larg transparencës së qytetarëve . Sipas Bojaxhi vendimet e Ramës i përkasin një qeverie kasapësh që qeveris pa kushtetutë, search sepse, information pills nga njëra anë kërkon të fuqizojë riciklimin e mbetjeve dhe nga ana tjetër jep me koncesion djegien me incineratorë të plerhrave, çka shkon krejt në kah të kundërt me riciklimin.

SHKRIMI I GJERGJ BOJAXHI

Titulli i VKM-së së miratuar së fundmi nga Qeveria më datë 7 Dhjetor thotë shumë dhe asgjë në të njëjtën kohë: “MIRATIMIN E BONUSIT NË PROÇEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURUESE, QË I JEPET SHOQËRISË PËR DHËNIEN ME KONÇESION PËR NDËRTIM LANDFILLI E INCENERATORI DHE REHABILITIM TË VEND DEPOZITIMEVE EKZISTUESE, TIRANË”.  Thotë shumë pasi kuptojmë që tashmë do të kemi jo thjesht një kompani private e cila do të menaxhojë pjesën fundore të mbetjeve urbane,por do të kemi një landfill të ri, rehabilitim të landfillit ekzistues të Sharrës dhe një incinerator (djegës) të ri.  Ndërsa, nuk thotë asgjë pasi nuk dimë se cila është strategjia e menaxhimit të mbetjeve urbane ose më saktë cilat janë prioritetet sektoriale.

E fillojmë me më të thjeshtën: kompetenca për të mbledhur dhe përpunuar mbetjet urbane është e drejtë e plotë dhe ekskluzive e pushtetit lokal. Konkretisht landfilli i Sharrës i përket dhe menaxhohet nga Bashkia Tiranë. Prandaj, nuk kuptohet se me çfarë të drejte pushteti qëndror vendos të zaptojë kompetencen e administratës vendore.Vetëm një kryeministër që qeveris pa kushtetutë mund ta dijë përgjigjen, sepse e drejta për të kontraktuar rehabilitimin e Sharrës i përket pushtetit lokal. Krijimi i një landfilli të ri gjithashtu është e drejtë e pushtetit lokal dhe fakti që administrata qëndrore nis proçesin në formën PPP me një kompani private pa pasur asnjë gram mbetje për të kontraktuar nën administrimin e saj thotë mëse mjaftueshem për respektimin e ligjit dhe proçedurave.

Sa i përket inceneratorit  që përmendet, kontraktimi nëpërmjet PPP-së së tij, përtej faktit që ka të njëjtën kontradiktë si landfilli, shton edhe një komponent të ri kaosi në menaxhimin e mbetjeve.  Rrezikon të ulë prirjen e brishtë për riciklimin e mbetjeve pasi në momentin që ndërtohet inceneratori, është në logjikën financiare që të djegë sa më shumë mbetje për një kthim sa më të shpejtë të investimit. Përtej interesit sasior vjen edhe ai “cilësor” i plehrave.  Plehrat më të mira për t’u djegur përsa i takon interesit të pronarit të inceneratorit janë mbetjet e riciklueshme dhe në mënyrë të veçantë ato të plastikës.  Domethënë nga njëra anë prodhojmë ligje që lejojnë importimin e mbetjeve plastike për të mundësuar ekzistencën ekonomike të sektorit të riciklimit dhe nga ana tjetër firmosim kontrata PPP që do të shkatërrojnë edhe atë industri të brishtë riciklimi që kemi sot? A është kjo provë, që kemi të bëjmë me qeverisje kasapësh që kujtdo mund t’i shërbejë por jo të përbashkëtës?

Do të duhej një artikull më i gjatë, nëse do të shtrohej pyetja se cila është kjo kompani e përfshirë në këtë PPP? Çfarë lloj serioziteti duhet të ketë një kompani dhe njerëzit që do të fusin kapitalin e tyre financiar në të dhe a mundet që ky kapital të investojë në një projekt ku e gjithë marrëdhënia dhe kontratat do të vijnë nga fondet publike pa qenë pjesë e pazareve të fshehta dhe sofrës politike? Çdo qytetar e kupton që ky është një pazar i filluar në tavolinë dhe në qoftë se do të mbyllet, do të mbyllet gjithashtu në tavolinë, larg transparencës publike dhe si zakonisht me shumë mundësi në kurriz të interesit të qytetarëve.  Vazhdon saga e koncesioneve “private” me fonde “publike”.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × 1 =