Gjethe të gjelbra vjeshte – një rekuiem për miqësinë… - Arbëria News

Gjethe të gjelbra vjeshte – një rekuiem për miqësinë…

Nga Artan Hasani

Asnjë nga personazhet e këtij rrëfimi nuk jeton më. Kujtimet janë reflektim i kohës në pasqyrë. Një pasqyrë ku koha kqyr thinjat e veta. Herë me keqardhje. Herë me admirim.

Ky rrëfim zë udhë nga fëmijëria ime.
Mes qindra librave në bibliotekën e tim eti, ndodhej edhe një libër i vogël. Një libërth. Ajo që unë dija ishte që ai ishte shkruar nga një shok i tim eti që kishte qenë në burg. Mendja ime fëminore akoma nuk mund t’i vendoste në të njëjtën fjali fjalët “shok i babit” dhe “burg”. “Ligjërimet e pyllit” titullohej libërthi. Një vëllim poetik i Jorgo Bllacit. I vendosur në raft në shoqëri me “Ciganët” të Pushkinit dhe “Demoni” të Lermontovit.
E shihja babain që herë herë merrte libërthin në duar, e shfletonte, ashtu në këmbë, për disa caste, dhe, pas një psherëtime, e vendoste në raft përsëri.

Një ditë ndodheshim në Tiranë bashkë me tim atë. Mund të kem qenë rreth 6 vjec. Më bëri cudi që dolëm aq herët nga hoteli. Dielli nuk kishte lindur akoma dhe babai nuk shquhej si armik i dremitjes së ëmbël të mëngjesit. “Tani do shkojmë të takojmë një shokun tim”, më thotë dhe morëm rrugën përmes një lagjeje që nuk e kujtoj tani dhe ndaluam para një ndërtese të pambaruar.
Punëtorët vinin grupe grupe dhe me nxitim. Erdhi…ja ku është…” tha babai dhe i doli përpara krahëhapur një burri elegant, cuditërisht të veshur mirë mes atij kantieri ndërtimi plot llac e pluhur. Tjetri u shtang, ndaloi hapat, lëshoi një pasthirmë, thërriti emrin e tim eti dhe dy burrat u përqafuan gjatë.
“Ky është Jorgo Bllaci”, më tha im atë .
E përshëndeta i ndrojtur. M’u duk shumë trupgjatë dhe libërthi i tij i famshëm akoma më i vockël.
Më përkëdheli kokën, shkëmbeu ca fjalë me babain, lanë një orë takimi po atë mbrëmje diku bashkë me një mik tjetër të tyre dhe iku drejt ndërtesës.

Në vitin 1996 po shkruaja librin tim të parë, “Striptizë në shpirtin tim”, pranë shtratit ku prej disa muajsh lëngonte im atë. Babai dyshonte për talentin tim poetik, por në ndonjë moment të rrallë optimizmi më thoshte “lëri poezitë, mor’ bir…janë luks i tepërt në këto kohë prozaike. por nëse një ditë do e shkruash e do duash ta botosh, shko tregoja Jorgo Bllacit te shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe thuaji kush je.”

Babai vdiq në qershor dhe pak ditë më pas libri im ishte gati për botim.

Nëntor, 1996. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Një zyrë e vjetër, e ftohtë dhe pa ngrohje. Pas tavolinës një burrë flokëthinjur, elegant, i veshur me një pallto, mbase të zezë. Zgjatëm duart. Jorgo Bllaci. Artan Hasani.
Nuk i thashë se i kujt isha. As që babai nuk jetonte më.
U hodhi një sy poezive. “Nuk janë të llojit që pëlqej e shkruaj unë, por duken interesante dhe disa prej tyre shumë të guximshme. Për momentin shtëpia jonë botuese i ka ndërprerë botimet, sepse jemi në lëvizje e sipër dhe financiarisht keq, por të rekomandoj të takosh Arshin Xhezon dhe ai do të të ndihmojë.”

Libri u botua në dhjetor nën redaktimin professional të Arshin Xhezos me të cilin u miqësuam dhe u shoqëruam, hëngrëm e pimë, gjatë tërë atyre ditëve.
E njihte tim atë nga shkrimet e ndryshme nëpër gazeta.

Një javë më vonë, rreth mesnatës, në shtëpinë prindërore në Vlorë, bie telefoni.

Alo, Artani?

Po, kush jeni?

Jam Adriatik Kallulli …Jam bashkë me Jorgo Bllacin dhe Arshin Xhezon …urime për librin…e kemi këtu në tavolinë …Ngushëllime për ikjen e Gjyzelit. Ty dhe zonjës së tij. Ka qenë një shok shumë i mire i yni që në vitet e rinisë. Sapo e morëm vesh tani vdekjen e tij. “Kopje e të jatit, ndrojtje dhe krenari bashkë”, po më thotë tani Jorgo, qejfmbetur që nuk iu prezantove sic duhet atë ditë në zyrë…

Shumë faleminderit profesor…E di nga babai që keni qenë shumë shokë…

Dhe tani dicka tjetër: Kur të botosh librin tjetër vendos mes emrit tënd edhe emrin e Gjyzelit, se është një emër që të nderon ty dhe atë që do shkruash. “Je ëndrra e këputur në mes e tët eti…” po të thotë tani Jorgo…

Kanë kaluar shumë vite që atëhere. Librat e mi të mëpasëm mbajnë në mes të emrit tim, edhe emrin e tim eti që, për mua, i shkruar aty lart kopertinave, më shumë se kujtimin e babait, simbolizon një miqësi të madhe shokësh të vjetër që koha dhe fati i shpërndau si gjethet e një vjeshte që mungon në kalendarët e sotëm…

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eight + two =