Greqia shpall të padëshiruar pronarin e Radiotelevizionit Alpo në Gjirokastër - Arbëria News

Greqia shpall të padëshiruar pronarin e Radiotelevizionit Alpo në Gjirokastër

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Tiranë me 6.02.2019

Zyra qendrore e UGSH-së njoftohet se autoritetet greke në pikën kufitare të Kakavijes, përmes një dokumentacioni zyrtar kanë shpallur si të padëshirueshëm për në territorin e Republikes së Greqisë pronarin dhe drejtuesin e RTV Alpo në Gjirokastër, zotin Aristotel Petro.
Në shkresën formale që zotit Petro i është paraqitur, nuk jepen shpjegime për arsyen e këtij vendimi. Nuk ka asnjë shpjegim për motivet që justifikojnë një vendim të tillë refuzues nga shteti fqinj.
Pas njoftimit të sotëm, zyra qendrore dhe drejtues të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë po interesohen për arsyen konkrete të këtij vendimi, i cili ka të bëjë me një ndër mediat private më të rëndësishme të rajonit jugor të vendit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin se një vendim i tillë përbën një akt të rrallë privimi për levizje të lirë, të një përfaqësuesi të medias në rajonin kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe fatkeqsisht, shton numrin e gazetarëve shqiptarë që shpallen të padëshirueshëm nga autoritetet zyrtare greke.
UGSH shqetësimin e vet për këtë problem serioz e ngriti edhe në konferencën ndërkombëtare të SEMO-s, organizuar në Tiranë në fundvitin 2018, ku u kërkua reagim nga të gjitha organizatat e gazetarëve në rajon dhe prej atyre ndërkombëtare.
UGSH u kërkon autoriteteve shqiptare të interesohen për rastin e fundit si dhe të sqarojnë rrethanat e metejshme për vendime të tilla me herët, si për rastin e gazetarit të njohur Marin Mema apo të kryetarit të Unionit të Gazetarëve të Qarkut Vlorë, Henrik Mehmeti.
Në ditët në vijim, UGSH do të ketë disa reagime dhe protesta, pasi e konsideron një vendim të tillë të përsëritur ndaj gazetarëve shqiptarë, si privim nga të drejtat themelore si dhe cënim të klimës së fqinjësisë dhe lirisë së shprehjes në rajonin tonë.

Zyra e shtypit
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Nessuna descrizione della foto disponibile.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 + four =