Hipokrizi tiranse në Dokufest-in e Prizrenit - Arbëria News

Hipokrizi tiranse në Dokufest-in e Prizrenit

Nga Arbër Zaimi

Shumë interesante është Edi Rama shkon thuajse vit për vit në Prizren dhe i tregon prizrenasve se si duhet ruajtur Dokufesti.

Madje vjet ka thënë “kujdesuni për Dokufestin, se kryetarët e komunave ikin e vijnë, po Dokufesti po iku, s’vjen”.

Sot paska qenë edhe Erion Veliaj në Prizren me mbajtë ligjërata se si “hack-ohet” hapësira urbane. Dokufesti nuk është bërë sajë qeveritarëve e kryetarëve të komunave, por sajë përpjekjeve të qytetarëve të Prizrenit dhe shumë vullnetmirëve, që si nxitje kryesore kanë pasur pikërisht ruajtjen dhe zgjerimin e territoreve të përbashkëta.

Përveç ruajtjes dhe restaurimit të kinemave të vjetra, ata kanë ngritur vetëdijen edhe për ruajtjen e disa objekteve e hapësirave të tjera qytetare, për të mos përmendur faktin se vetë festivali i tyre, Dokufesti, është zgjerim dhe çlirim i një territori artistik në Kosovë, i cili ka sukses jo pse është “i komercializuar” (përkundrazi, është ndër më pak të ngarkuarit me reklama e shitje), por për shkak të ruajtjes me besnikëri të idesë fillestare, pra asaj të një evenimenti artistik.

Këtyre qytetarëve të Prizrenit dhe organizatorëve të Dokufestit shkon t’u ligjërojë Rama e Veliaj, të cilët nuk dinë të respektojnë qytetarët e tyre e që një protestë të vogël me vezë e quajnë “sulm ala isis”?

Këta i japin mësim Prizrenit, që s’kanë lënë fushë pa bërë kullë a plan për kullë, që kanë prishur kinema, muze të shkencave natyrore, e tash edhe teatrin kombëtar, për t’i hapur rrugë planit pervers për shtimin e dendësisë së popullsisë në qendrën e Tiranës?

Këta që e kanë ndarë Tiranën nëpër geto, që të pasurit të mos kenë nevojë të jetojnë pranë të varfërve? Këta prej qytetarëve të Prizrenit e prej Dokufestit vetëm mund të marrin mësim. Dhe, boll e shfaqët atë filmin idiot mbi kryetarin neoliberal të Bogotës që mburret se transformoi qytetin duke nxjerrë nga shtëpia të varfërit për t’u dhënë leje ndërtimi milionerëve.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seven − six =