Intervista/ Rubens Shima: Mbyllja e ‘Onufrit’ e paligjshme, justifikimet si fjalime Byroje - Arbëria News

Intervista/ Rubens Shima: Mbyllja e ‘Onufrit’ e paligjshme, justifikimet si fjalime Byroje

ALMA MILE

Tashmë nuk ka më asnjë dyshim, madje as debat. Ekspozita Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, “Onufri”, i vetmi aktivitet që ofronte edhe një stimul për artistët bashkëkohorë në Shqipëri, u mbyll. Fati i këtij aktiviteti ishte parashikuar me kohë.

Tentativat kishin nisur 4 vjet më parë, kur pas dorëheqjes së ishdrejtorit Rubens Shima dhe zëvendësimit të tij me piktorin Artan Shabani, Ministria e Kulturës tentoi mbylljen e tij, por hasi në rezistencën e artistëve. Me përfundimin e mandatit të Shabanit dhe zëvendësimin e tij me Erzen Shkolollin, ky i fundit nuk e bëri dysh dhe ndonëse për muaj me radhë e la të kuptohej, por e veshi me një “tis misteri”, në fund të muajit dhjetor, atëherë kur edhe duhej të hapej “Onufri”, lëshoi një komunikatë për shtyp, ku bëhej me dije edhe mbyllja. Në komunikatë ofroheshin edhe arsyet, që binin në kontradiktë me njëra-tjetrën dhe njoftohej një “rikonceptim i rolit të Galerisë, si platformë e shkëmbimeve ndërkombëtare”. Ditëve të fundit, anëtarë të bordit që firmosën këtë vendim, i cili de fakto ishte i ditur me kohë, janë përpjekur të japin shpjegime se përse vendosën mbylljen e tij, por ka pasur edhe tentativa për të “ndryshuar” historinë e “Onufrit”. Ky i fundit nuk është themeluar në vitin 1998, siç pretendon në një intervistë ish-kuratori i GKA-së, Edi Muka, por në vitin 1993. Bashkëlidhur me intervistën me ish-drejtorin e GKA-së, historianin e artit, Rubens Shima, po botojmë edhe dy faksimile (faqja e parë dhe fundit) të statutit të “Onufrit”, asokohe ekspozitë kombëtare, krijuar në kohën e ish-ministrit të Kulturës, Dhimitër Anagnosti, botuar në Vjetarin Kulturor të vitit 1994. Shima merr në analizë “arsyet” e mbylljes së “Onufrit” dhe të gjitha pretendimet në lidhje me këtë aktivitet.

Ashtu si ishte parathënë, Galeria Kombëtare e Arteve zyrtarizoi mbylljen e “Onufrit”, përse iu desh kaq shumë kohë për ta pranuar?

“Nëse doni të mos bëni asgjë dhe të jeni njëlloj të respektuar ditët e sotme, preteksti më i mirë është të thoni se po punoni mbi një studim të thellë”. Kjo shprehje më erdhi ndër mend kur i hodha një sy komunikatës së turpshme të shtypit të Galerisë Kombëtare për mbylljen e Ekspozitës “Onufri”. Më titull karagjoz nuk kishte si bëhej: “rikonceptim i rolit të Galerisë, si platformë e shkëmbimeve ndërkombëtare”!!! Shkruar kuturu, në hall e nxitim, papërgjegjshmëria dhe injoranca ulërinin si rrallëherë më parë.

Mbjellë me pasaktësi, gabime trashanike, mungesë njohjeje dhe përmbi të gjitha, papërgjegjshmëri fund e krye. Fatkeqësisht, sot Galeria Kombëtare manifeston një deficencë të plotë të kulturës elementare administrative, të njohjes, kuptimit dhe zbatimit të akteve nënligjore: statut, rregullore, udhëzime që janë rregullatori i funksionimit të institucionit dhe aktivitetit të saj. I tillë është edhe rasti i mbylljes së Ekspozitës “Onufri”, ku gjithë korniza ligjore detyruese e funksionimit të këtij aktiviteti është neglizhuar dhe shkelur haptazi, me qëllim dështimin dhe mbylljen e tij të paracaktuar, këtu e një vit më herët.

Në mungese të shtetit ligjor, apatisë shumëvjeçare dhe mungesës së kontrollit nga Ministria e Kulturës, mbrojtur nga Kryeministri dhe lakenjtë e tij, që e morën prej dore dhe e ulën në stolin e drejtorit të Galerisë, Erzen Shkollolli nuk e ka për turp të lëshojë në publik paçavure të tilla, që i quan “komunikatë për shtyp”. Duke i qëndruar besnik kronologjisë së shkeljeve, mbështetur te rregullorja e “Onufrit”, e cila gjendet ne faqen e ueb-it të Galerisë Kombëtare, po ndalem në dy momente, që janë edhe më flagrantet: Komunikata mban datën 24 dhjetor 2018. Pra, disa javë pas reagimit në media dhe rrjete sociale të disa artistëve dhe protagonistëve të çështjeve të kulturës.

Sipas rregullores së Ekspozitës “Onufri”, që ka vlerën e një akti nënligjor të detyrueshëm për zbatim, neni 1, pika 3 citoj: “Shpallja e Ekspozitës Ndërkombëtare ‘Onufri’ bëhet në muajin prill të çdo viti”. Në nenin 6 të rregullores, pika 3 thuhet: “Pas zgjedhjes së kuratorit dhe platformës fituese, Këshilli Organizativ dhe Galeria Kombëtare e Arteve informojnë Ministrinë e Kulturës”. Kjo rregullore është ende në fuqi edhe sot. Nuk ka asnjë akt të lëshuar nga Ministria që shfuqizon statutin dhe rregulloren e ekspozitës.

Pra, në rast se do duhej të mbyllej “Onufri”, duhej të ishte bërë publik vendimi dhe argumentimi i tij që në muajin prill dhe jo të bëhej fakt në fund të dhjetorit. Në komunikatën për shtyp lëshuar nga Galeria thuhet ndër të tjera se, “Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur mbylljen e “Onufrit” dhe rikonceptimin e programit të saj të përgjithshëm”.

Se ç’bën Galeria me rikonceptimin e programit (term absurd në kontekstin e përdorur), punë për të. Por “Onufri” nuk është aktivitet/ ekspozitë e Galerisë Kombëtare të Arteve. Statuti i aktivitetit e përcakton qartë këtë gjë. I vetmi institucion që mund të marrë vendim për ndryshime apo mbyllje të aktivitetit është Ministria e Kulturës. Çdo vendim i drejtorit apo bordit të Galerisë është një hiç. Nuk ka asnjë vlerë ligjore. Mbyllja e tij është e kundërligjshme, është shkelje e rëndë administrative, ligjore e dënueshme.

Motivacioni i mbylljes ishte “kryerja e misionit” dhe “mospërputhja me zhvillimet aktuale të artit bashkëkohor”, a e mbylli vërtetë misionin “Onufri” dhe cilat janë këto “zhvillime”?

Kjo është një tjetër nga ato gjepurat e komunikatës, që ngjajnë si fragmente fjalimesh politbyroje. Ç’na kujtoi kohët e shkuara ky fragment: “GKA ka nevojë për një formatim dhe një qasje të re pune, që do të jetë në një hap me zhvillimet e reja në artin bashkëkohor dhe që reflektojnë ndryshimet thelbësore social-politike në Shqipëri, rajon dhe më gjerë”. Me siguri e ka fjalën për ardhjen e Edi Ramës në pushtet. E drejtë! E pafalshme! Asnjë artist nuk e ka reflektuar në veprën e vet këtë “ndryshim epokal”! Me sa duket, tash e tutje, këtë gjë e ka marrë në dorë vetë drejtori i Galerisë, bashkë me bordin, dhe me gjasë do të hartojnë një platformë, ku kjo “ngjarje madhore” të zërë vend në punën e artistëve. E të mos neglizhohet si deri më tani.

Madje, unë propozoj t’u jepet si udhëzues për zbatim edhe hapësirave të reja që janë hapur së fundmi në Tiranë, në hyrje pallatesh, bodrume, brima e kudo në qytet. Por, për t’u kthyer tek ajo çka vërehet, paradoksalisht në komunikatë thuhet që “Onufri” mbajti peshën kryesore të shkëmbimit kulturor ndërkombëtar, por ca rreshta më poshtë theksohet se nuk ka pasur nivelin e duhur të organizimit për t’i prezantuar denjësisht artistët. Komunikatëshkruesja ka dashur të na thotë se, kur ekspozita “Onufri” organizohej apo kurohej nga Erzen Shkolloli, Edi Muka apo ndonjë tjetër i tarafit të tyre, ka qenë një “sukses shumë i madh”, ndërsa në rastet që këta nuk kanë qenë të përfshirë, “Onufri” nuk e ka përmbushur misionin.

Madje, për të argumentuar dështimin, komunikatëshkruesja përmend faktin se “bashkëveprimi midis artistëve shqiptarë dhe të huaj në disa edicione ka qenë fiktiv, pasi shumë nga artistët e huaj nuk kanë qenë të pranishëm fizikisht në hapje”. Me sa duket zëdhënësja e shtypit e Galerisë ngatërron artet pamore me baletin apo dansin, ku nuk ka shfaqe pa qenë çift. Dikush, duhet ta sqaroje atë se me artet pamore ndryshon puna. Artisti mund të mos jetë prezent, e rëndësishme është të paraqesë veprën. Komunikohet nëpërmjet veprës, jo nëpërmjet pranisë fizike të artistit.

Meqë përmendët edhe hapjen e disa hapësirave private këto kohët e fundit, si e shikoni rolin e tyre dhe a mundet që ato të mbushin boshllëkun që krijohet me mbylljen e “Onufrit”? Janë disa syresh: “Tulla”, “Bazamenti”, “Harabeli”, “Miza” etj…

“Tulla”, “Bazamenti”, “Harabeli”, “Miza”… Duken më shumë si listë pseudonimesh të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, sesa qendra dhe hapësira arti. E kaluara kolektive, sado të degdiset në skutat më të errëta të subkoshiencës, përsëri gjen rrugën për të dalë në sipërfaqe. Gjykoj se këto hapësira nuk kanë asnjë ndikim në zhvillimin e artit bashkëkohor në vend. Së bashku apo tek e tek, misioni i këtyre hapësirave është krijimi i një skene arti iluzive, kinse për të dhënë përshtypjen e një skene të gjallë të artit bashkëkohor në kryeqytet. Iluzion në shërbim të politikës aktuale me qëllim konformimin e çdo reagimi apo rezistence ideore tek artistët e rinj. I shërben politikës për ta pasur më të lehtë mbylljen e “Onufrit”, duke u justifikuar se shkëmbimi mes artistëve vendës dhe të huaj mund të zhvillohet te këto hapësira. Janë struktura tërësisht në përfitim vetëm të individëve pronarë apo drejtuesve të tyre. Nuk janë galeri arti, pasi nuk e marrin fare në konsideratë tregun e artit e për rrjedhojë, as nuk kanë mundësi dhe as kanë dëshirë të promovojnë karrierën artistike të askujt. Artisti për ta është thjesht një element shfrytëzimi, që drejtuesit dhe pronarët të kenë mundësi të fusin duart herë pas here në thesin e parave publike dhe për këtë i duhen disa emra artistësh për t’jua mundësuar këtë qëllim korruptiv. Edhe më i papranueshëm është fakti se shumica e drejtuesve të këtyre hapësirave janë vetë artistë, kësisoj gjithë rrjeti i kontakteve të vendosura nëpërmjet financimeve publike, gjasme për promovimin e skenës lokale të artit, vihet në funksion vetëm të vetëpromovimit të tyre. Mendoj që artistët nuk duhet t’i frekuentojnë këto hapësira, pasi nuk përfitojnë asgjë në shkëmbim të paraqitjes së punës së tyre. Të vetmit që përfitojnë në këtë histori janë shfrytëzuesit dhe klientët politikë të sistemit të korruptuar të shpërndarjes së parave publike në vend.

Më duhet sërish t’i referohem “komunikatës për shtyp”. Që në krye të njoftimit pretendohej ngritja e një “platforme ndërkombëtare”, a nuk është misioni i GKA-së, e aq më tepër i një Muzeu Kombëtar, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kombëtare?!

Fatkeqësisht, Galeria Kombëtare vazhdon të sillet sikur të jetë muze arti bashkëkohor. Ka disa muaj që ka hyrë në fuqi ligji i trashëgimisë kulturore dhe ligji i ndryshuar për artin. Të dy këto ligje, të aprovuara nga Parlamenti, kanë tjetërsuar Galerinë Kombëtare në Muze Kombëtar të Arteve të Bukura. Personalisht, kam qenë kundër ndryshimit të emrit të Galerisë Kombëtare. Bashkë me emërtimin ka ndryshuar edhe misioni i saj. Neni 205 i ligjit për trashëgiminë krijon Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura, ku në pikën 1. të nenit përcakton edhe profilin, edhe misionin e ri. Citoj: “Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura është një institucion i trashëgimisë kulturore, shkencore dhe arkivore, me statusin ‘muze kombëtar’, në varësi të ministrisë përgjegjëse”. Pra, Galeria nga institucion me status hibrid, që mund të trajtonte artin bashkëkohor, është kthyer në muze, që kryesisht trajton ekspozita, pjesë të trashëgimisë kulturore. Për këtë ndryshim, Galeria nuk ka shprehur asnjë rezervë apo kundërshtim. Madje ka dhënë dakordësi, duke shkaktuar një mospërputhje të hapur ndërmjet misionit të Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura dhe mënyrës së drejtimit që po përdor aktualisht titullari i Galerisë, duke e trajtuar atë si Muze të Artit Bashkëkohor. Me sa duket, drejtori i Muzeut të Arteve të Bukura nuk ka kohë të humbasë duke lexuar statutin, misionin apo rregulloret e muzeut që drejton. Anëtarët e bordit gjithashtu. Tek e fundit, kujt i hyjn në punë këto shkresurina të bezdisshme! Ai njeh Kryeministrin. Kaq del dhe tepron në Zululand.

Ditët e fundit ka pasur disa reagime të anëtarëve të bordit të Galerisë, që përpiqen të shpjegojnë arsyet e mbylljes së “Onufrit”. Keni ndonjë koment rreth këtyre prononcimeve?

Kalimthi lexova intervistën e Edi Mukës. Më bëri përshtypje përvetësimi flagrant i krijimit të “Onufrit”, duke i veshur vetes atribute historike progresiste. Në mungesë etike, i papranueshëm dhe njëherazi i shëmtuar, ishte roli paternalist që i atribuonte vetes ky personazh patetik i së shkuarës. Zotëria në fjalë rrëfehej për dështimin dhe gabimin e formatimit të “Onufrit” që në krye të herës. Problemi kishte qenë te paqëndrueshmëria politike, gjë të cilën e kishte parashikuar me “vizion profetik”. Sipas vetëintervistuesit, arsyeja se përse “Onufri” ishte krijuar në nxitim dhe urgjencë, kishte qenë grushti i shtetit opozitar në fillim të viteve 1998. I vetmi element i vërtetë dhe i pandryshueshëm në metarrëfimin e tij, është pandershmëria. “Onufri” ishte një konkurs i gatshëm, me histori organizimi disavjeçare, përpara se të tjetërsohej dhunshëm në aktivitet për artin bashkëkohor. Zotëria në fjalë së bashku me padronin e tij, sot Kryeministër, përvetësuan, ndryshuan dhe përdorën sipas interesit të tyre politik këtë aktivitet për vite me radhë. Sigurisht, në rast se do të kishin aftësi dhe dëshirë, mund të kishin krijuar një aktivitet tjetër për artin bashkëkohor dhe ta linin në rrjedhën e tij “Onufrin”.

Faksimile e njeres prej faqeve të statutit të ekspozitës “Onufri”, botuar në Vjetarin Kulturor, 1994
Faksimile e faqeve të
statutit të ekspozitës “Onufri”,
botuar në Vjetarin Kulturor, 1994

fax1

Sipas tij, ngërçi qëndronte në dualizmin çmim-ekspozitë, kaq e pariparueshme ishte kjo?

Po, sipas Mukës, problemi i shkaktuar asokohe ishte formati i pagjetur çmim-ekspozitë, që pengonin njëra-tjetrën, kjo, për shkak të nxitimit me të cilin ai u krijua. Por edhe në rast se e marrim të mirëqenë injorancën dhe urgjencën, kur ai u ndryshua në fillim të 1998-s, çfarë e pengoi Edi Mukën të korrigjonte gabimin e bërë gjatë një dekade e ca, ndërsa qëndroi si kurator në Galerinë Kombëtare?

Në 2009-n kjo problematikë u ezaurua përfundimisht. “Onufri” ndryshoi pjesërisht statut dhe përfundimisht u përcaktua si ekspozitë e artit bashkëkohor. Asgjë të pazakontë nuk ka në formatin e tij. Në rast se drejtori i Galerisë, bordi i saj apo dreqi e di kush, e shihnin çmimin si problematik, mund të mos e jepnin më, por jo të mbyllnin ekspozitën. Shfaqja e Edi Mukës si Zhdanov ideologjik i marksizmit “mumbo-jumbo”, që shpërndan direktiva dhe udhëzime, të nxjerr mallin e komisarëve të partisë qëmoti.

Absurdi shtyhet deri në kufijtë e gomarllëkut, kur aludon apo sugjeron edhe temat që duhet të trajtojnë artistët e rinj në Shqipëri, që nga ngrohja globale, zhdukja e ujkut të Tasmanisë, infertilitetin e balenave beluga, deri tek ardhja e Donald Trampit në pushtet apo valët e emigrantëve sirianë, për të cilët gjumi i natës nuk e zë. Por asnjë fjalë, asnjë pipëtimë për Kryeministrin që qeveris vendin më të korruptuar në rajon e Europë (sipas Transparency International, OKB, DASH, etj.).

I dështuar me konceptimin e “Onufrit”, më pas edhe me Bienalen e Tiranës, tërë halli i Edi Mukës është mënyra se si shpërndahen financimet publike të artit në vend, madje sugjeron, që fondet nuk duhen të shpërndahen dhe ndahen mes artistësh dhe qendrave të ndryshme, por të jepen të gjitha në një dorë, mundësisht cash, zotërisë në fjalë për realizimin e një projekti, serioz, afatgjatë, konsistent, që do të promovonte artin bashkëkohor lokal ndërkombëtarisht.

Gjë për të cilin, në këmbim të gjithë fondit të projekteve të Ministrisë së Kulturës, ishte i gatshëm të sakrifikonte, duke qëndruar pak ditë në Tiranë për krijimin e një platforme krejt inovative, që do të habiste të madh e të vogël. Por lind pyetja, kush përfitoi nga edicionet e shkuara të Bienales së Tiranës? Sa para u shpenzuan për to? Cilët ishin artistët që u promovuan? Cili ishte përfitimi i artistëve shqiptarë pjesëmarrës në këto edicione? Cili ishte përfitimi i shoqërisë nga ky aktivitet? Përgjigjja është e thjeshtë: i vetmi që përfitoi nga ky aktivitet ishte Edi Muka.

I vetmi artist që u promovua ishte Edi Muka. I vetmi individ që fitoi para nga këto edicione ishte Edi Muka. Leksionet, përsiatjet në trajtë direktivash nga individë të tillë e kanë një vlerë: shërbejnë për të kuptuar se sa i pamoralshëm dhe i dëmshëm mund të jetë arti, kur përdoret për qëllime të ulëta politike, tribale apo përvetësime vetjake.

Institucioni në fjalë vazhdon të mbajë logon e GKA-së, a nuk është muze tanimë?

Absurditeti dhe papërgjegjshmëria janë kthyer në normë për këtë institucion. Është vështirë të ndryshojë kjo mendësi pa ndryshuar drejtor. Tek e fundit, këto janë pyetje që duhet t’i drejtohen titullarit të institucionit. Jam në dijeni të pamundësisë që hasni në vendosje të një kontakti pune me të. Shmanget, fshihet, maskohet – Erzen Skollolli, mesa duket, është hedhur në ilegalitet.

/Panorama/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

15 + four =