Ja si menaxhohen mbetjet spitalore në Fier. - Arbëria News

Ja si menaxhohen mbetjet spitalore në Fier.

Ja si menaxhohen mbetjet spitalore në Fier.
Ana e dukshme e menaxhimit të mbetjeve spitalore.
Burime të sigurta në Pediatri dhe në Maternitetin e Fierit bëjnë të ditur se mbetjet spitalore ndahen në të forta dhe të buta. Tek të fortat bëjnë pjesë kryesisht ato mbetje që të shpojnë apo të therrin siç janë aget apo ampulat dhe shishet e qelqit, ndërsa tek të butat bëjnë pjesë shishet plastike, fashot, garzat etj. Të gjitha mbetjet merren nëpër qeska lidhen dhe mbahen në një dhomë të veçantë. Në Pediatri ato mbahen në një dhomë në katin e katërt, ndërsa në Maternitet mësojmë se ato mbahen në një dhomë po të veçantë në bodrum. Problem përbëjnë plaçentat e nënave. Ato janë burim aromash të pakëndshme e ndoshta edhe infesksioni, prandaj mbahen në frigorifer. Mësojmë se të gjitha mbetjet mbahen në këto dhoma të veçanta për gati një javë deri sa vjen një makinë e mbyllur, tip furgon, e firmës që ka lidhur kontratë me Spitalin Rajonal të Fierit për t’i larguar ato.

Ky informacion konfirmohet edhe nga Xheliard Hysenaj, punonjës i departamentit të mjedisit në Drejtorinë e Spitalit Rajonal të Fierit. Xheliardi përshkruan me fjalë atë që ndodh gjatë procesit të zhvendosjes së mbetjeve spitalore. Ne kemi rënë dakord me firmën, e cila ka lidhur një kontratë me spitalin, për zhvendosjen e mbetjeve tona, që çdo të premte të hiqen mbetjet e secilit pavion. Drejtoria ka ngritur një komision për këtë qëllim. – tregon Nëndrejtoresha Ekonomike Drita Sauli, – anëtar i të cilit është edhe Xheliardi.

Mbetjet ndahen në kontenierë të madhësive dhe peshave të ndryshme. – vazhdon të tregojë Xheliardi. Kështu mbetjet e mprehta si aget dhe ampulat ndahen më vete nga mbetjet e tjera që janë të buta dhe nuk përbëjnë një rrezik të tillë si psh aparatet e serumit apo shishet plastike e pse jo edhe fashot dhe garzat. Qeskat janë të lidhura mirë dhe kontenierët në të cilët ato futen mbahen të vulosur. Kontenierët sillen nga firma kontraktuese çdo herë që marrin mbetjet plastike. Ato janë me etiketa dhe nuk mund të hapen për arsye se me kalimin e kohës ato lëshojnë aroma të pakëndshme, përveç faktit që janë edhe burim infeksionesh të cilët mund të shkaktojnë edhe epidemi të ndryshme.

Siç e thashë edhe më lart, një herë në javë vjen furgoni i firmës i cili është i mbyllur dhe në prani edhe të shoferit mbetjet peshohen, hartohet një procesverbal i cili firmoset nga të gjithë antarët e komisionit të ngritur nga drejtoria për këtë punë. E njëjta gjë ndodh në çdo pavion. Në momentin që shoferi hedh firmën mbaron çdo gjë! – sqaron Xheliardi.

Ai thotë se gjithçka bëhet në bazë të ligjit. Edhe peshoret të cilat masin peshën e thasëve me mbetje janë të kolauduara. Çdo pavion ka një dhomë të veçantë ku mbahen këto mbetje deri sa të vijë makina e firmës e cila i heq ato. Mbetjet më problematike janë ato të maternitetit, – thotë nëndrejtoresha ekonomike, – po ne e kemi gjetur një zgjidhje edhe për to. Plaçentat e nënave që sapo lindin ne i mbajmë në frigorifer. Zj Drita thotë se megjithëse të dyja palët kanë rënë dakord që makina të vijë vetëm një herë në javë, nëse është grumbulluar një sasi e madhe mbetjesh, ne e marrim në telefon firmën dhe ajo e dërgon makinën e saj të na i marrë mbetjet edhe në një ditë tjetër përveç të premtes.

Ana e padukshme e menaxhimit të mbetjeve spitalore.
Kjo është ana e dukshme e këtij procesi, për anën e padukshme të tij na tregon nëndrejtiresha e Spitalit zj. Drita. Ajo thotë se me prishjen e njëanshme të kontratës nga ana e operatorit Eurotim me presidente zj Mirela Topulli, na u desh t’i drejtohemi kompanisë së sigurimit Sigal për sekuestrimin e shumës së sigurimit të kontratës. Pritet që kjo shumë të kalojë së shpejti në llogarinë e spitalit të Fierit.

Nëndrejtoresha ekonomike tregon se zj Mirela është ankuar për këtë gjë dhe i ka dërguar edhe një mesazh i cili ndodhet edhe sot e kësaj dite në telefonin e saj. “Këtë gjë që bëtë ju, nuk e ka bërë asnjë spital“ – thuhet në mesazhin e zj Mirela. Në një kohë që zonja në fjalë, – vazhdon nëndrejtoresha, – nuk duhet të tregojë hatërmbetje pasi ne zbatuam vetëm ligjin, i cili thotë se kur prishet kontrata në mënyrë të njëanshme pala e dëmtuar rezervon të drejtën për të sekuestruar shumën e sigurimit të kontratës.

Në korrik, – vazhdon të tregojë zj Drita, – ne na erdhi një shkresë nga Drejtoria e Mbetjeve Spitalore në Ministrinë e Shëndetsisë. Me anën e saj, z. Petro Mersini përfaqësues i kësaj drejtorie, na njoftoi për pezullimin në mënyrë të menjëhershme të kontratës me Eurotimin. Po me një shkresë tjetër nga ana e shefit të agjensisë së prokurimit publik z. Engjëll Duroi na lejoi hapjen e procedurave për gjetjen e një operatori të ri.

Ndërkohë që kontrata e pezulluar qe e lidhur më 30.05.2017 dhe përfundonte më 31.12.2017, ne na u desh të gjenim një operator të ri për largimin e mbejeve spitalore. Po në korrik të këtij viti u arrit të lidhej një kontratë e re me Meditel. Shpk. e cila është një firmë më serioze se Euroteam shpk – thotë zj Drtia. Në kontratën e re të bie në sy një çmim më shumë se 2 herë më të lartë se kontrata e parë e cila u pezullua për shkak të skandalit që plasi për hedhjen e mbeturinave spitalorë në lumin Erzen. Konkretisht nga një çmim prej 188 lekë/kg që kishte kontrata e pezulluar, kontrata e re ka një çmim prej 480 lekësh/kg. Ky çmim dukshëm më i lartë se i pari, mund të justifikohet ndoshta me procedurat e përshpejtuara të prokurimit për gjetjen e operatorit të ri. Në çdo rast kontratat nuk përfshijnë heqjen e barnave të skaduar por ato e detyrojnë firmën në fjalë vetëm për largimin e mbetjeve spitalore.

Pyetjes se: “A keni pyetur ndonjëherë se çfarë ndodh me mbetjet spitalore?”, ajo i përgjigjet se: “Nuk mendoj se është detyra jonë. Edhe pse ne e paguajmë firmën aq sa na kërkon, nuk e kemi bërë asnjëherë një gjë të tillë.” E deri diku mund të ketë edhe një farë të drejte sepse siç të thotë edhe vetë kjo zonjë ata mund të thonë: “Ç’ju duhet juve?, ne iua morëm mbetjet, e respektuam kontratën.” Mendoj se kjo është puna e atyre që japin lejet. – arsyeton zj Drita.

Tek ne ata vijnë të kopsitur, me të gjitha dokumentat në rregull. – vijon t’i përgjigjet pyetjes zj. Drita. Në dokumentat që na dorëzohen neve ata figurojnë me të gjithë teknologjinë e nevojshme për asgjësimin e tyre dhe në fakt del që ato nuk bëjnë asgjë tjetër veç transportimit të tyre. Ne paguajmë për asgjësimin e tyre iu japim aq sa na kërkojnë, ndërsa ata kanë shpenzime minimale. Ata shpenzojnë vetëm për mbajtjen e një makine me karburant dhe e kanë fitimin e thatë.

Vetëm nga spitali i Fierit, zj Mirela ka marrë rreth 20 milion lekë. Është detyra e shtetit që të ushtrojë kontrollet dhe presionin e nevojshëm dhe të mos lejojë firmosjen e kontratave pa plotësimin e kushteve për asgjësimin e këtyre mbetjeve. Minimalisht do të kërkohej një furrë djegje ose icineratorë për këto mbetje. Ne jemi në rregull. Ne mbajmë përgjegjësi vetëm për moslejimin e grumbullimit të mbetjeve spitalore. – thotë në fund të intervistës nëndrejtoresha ekonomike e spitalit të Fierit.

Po sa të rrezikshme janë këto mbetje? Ç’do të ndodhte nëse ato do të hidheshin lumenjve ose edhe thjesht nëpër kosha plehrash?
E pyetur se sa të rrezikshme janë mbetjet spitalore Eglantina Hyka, kryeinspektore e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, nuk di t’I përgjigjet me saktësi. Ajo thotë se nuk është me profesion mjeke dhe se është e diplomuar për shëndetin publik. Ajo thotë se institucioni që ajo drejton merret me kontrollin e administrimit të mbetjeve spitalore dhe sipas saj një administrim i mirë i tyre është kritik për mbarëvajtjen e shëndetit publik. Pyetjes: “Nëse janë hasur problematika në lidhje me administrimin e këtyre mbetjeve?”, ajo i përgjigjet se në momentin që ato hasen, inspektoriati ia lë si detyrë spitaleve dhe qëndrave shëndetësore zgjidhjen e tyre. Për shkak se ajo priste inspektorët e saj në një mbledhje nuk mundi të thoshte asgjë më shumë dhe pyetje të tjera ngelën pa përgjigje. Një pyetje me interes do të ishte: “Cilat janë këto problematika?” ose “Çfarë masash janë marrë për zgjidhjen e tyre?”.

Burime të tjera pranë DSHP – së na sqarojnë për rrezikshmërinë e mbetjeve në fjalë. Mbetjet spitalore janë tejet të rrezikshme. Por le të mos shkojmë aq larg, – thotë si fillim burimi në fjalë, – le të marrim mbetjet e një klinike dentare si shembull. Nëse kjo klinikë do t’i hidhte shiringat në rrugë, apo edhe në koshin e plehrave, ç’do të ndodhte? Çfarë do të ndodhte nëse atë do ta merrte në dorë një fëmijë, i cili për vetë moshën që ka është i papërgjegjshëm dhe luan me të? Nëse shpohet ai mund të marrë një infesksion të cilin ne e quajmë mekanik i cili kush e di se çfarë sëmundje mund të shkaktojë.

Po kështu edhe garzat e plagëve të gjakosura, gjithmonë nëse hidhen në kosha plehrash mund të përdoren nga fëmijët për të fshirë fytyrën apo sytë. E njëjta gjë edhe për një ampulë. Nëse ti pritesh me ndonjërën prej tyre ty mund të injektohet në mënyrë po mekanike ndonjë prej pikave të lëngut që mund të ketë mbetur ende në të dhe ti përsëri sëmuresh.

E nëse mbetjet e një klinike dentare janë kaq të dëmshme imagjinoje pak se sa të rrezikshme janë mbetjet e infektivit psh. Sikur të gjesh në rrugë një shiringë të këtij pavioni, jo vetëm një fëmijë mund të infektohet psh nga lloje të ndryshme hepatitesh apo verdhëzash siç njihen ndryshe, por edhe të rriturit. Qoftë edhe duke e marrë shiringën dhe ta përdorësh për t’i hedhur benzinë zinxhirit të biçikletës mund të infektohesh.

Prandaj duhet treguar shumë kujdes për administrimin e tyre, ato duhen mbajtur në qeska të mbyllura dhe të ruhen në dhoma të veçanta dhe në asnjë mënyrë të hidhen në kosha plehrash dhe aq më pak nëpër lumenj. Në një rast të tillë do të krijohej një ndotje mjedisore e cila ka pasoja të paimagjinueshme.
Ne kemi parë rastin e asaj firmës që i hidhte mbetjet spitalore në lumin Erzen, ose pashë edhe ilaçet që i hidhnin po në këtë lumë. Kjo gjë është e papranueshme, e pamë se si pulsonin barnar e skaduara. Më tej atë ujë mund ta pijë lopa dhe ne shtrohemi nëpër tavolina pimë qumështin dhe konsumojmë mishin e saj.
Prandaj heqja e tyre bëhet nga kompani që janë të specializuara në këtë fushë. Nga ana tjetër dhe firmat që merren me asgjësimin e mbetjeve spitalore duhet të plotësojnë disa kushte: psh makinat që i transportojnë ato duhet të jenë të mbyllura, firma duhet të ketë patjetër një furrë ku të digjen këto mbetje.

Reagimi i firmës e cila evadon mbetjet e spitalit të Fierit.
Ne u munduam shumë që të kontaktonim me zj. Mirela Topulli për të patur reagimin e saj në lidhje prishjen e njëanshme të kontratës me spitalin e Fierit si dhe kërkimin nga personat përgjegjës në administratën e Spitali Rajonal të Fierit për sekuestrimin e shumës që kompania Euroteam ka derdhur në kompaninë Sigal për sigurimin e kontratës, por qe e pamundur.

Në pamundësi të këtij prononcimi ne arritëm që të merrnim një tjetër reagim nga pronari i kompanisë që aktualisht merret me evadimin e mbetjeve spitalore të Spitalit Rajonal të Fierit. Z. Anastas Peçini thotë se kompania e tij operon në tregun e përpunimit të mbetjeve spitalore që nga viti 2009. Ai thotë me krenari që kompania e tij është e para në Shqipëri që filloi të merrej me përpunimin e këtyre mbetjeve. – Mënyra e trajtimit të mbetjeve spitalore që ne përdorim është teknologjia më e avancuar me grirje – sterilizim me anën e presionit të avujve të ujit. Ai thotë se sasia e evaduar nga spitali i Fierit për vitin 2015 ka qenë 22500 kg ndërsa për vitin 2017, deri më tani, kemi evaduar 12000 kg. – Ne i evadojmë këto mbetje nga ky spital një herë në javë. – e mbyll prononcimin e tij z. Peçini.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × one =