Jemi një shoqëri e sëmurë me amnezi - Arbëria News

Jemi një shoqëri e sëmurë me amnezi

Nga Përparim Kabo

Ata u përcollën nëndhe…gazetat u shitën sot…disa i blenë dhe i lexuan disa jo. Ai që vrau tetë njerez pret nesër masën e sigurisë në gjykate. Në dy shtepi ka mort…në një tjeter ka turp dhe vaj. Ishin vjedhur disa pula…dhe akuza preku në sedër një 24 vjeçar i cili për te treguar se nuk ishte vjedhës tregoi se për nder unë të marr jetën. Ti që më ke akuzuar, por edhe ti që se kë bërë një gjë të tillë. Nesër shoqëria jonë do presë lajmin e ri. Jemi mësuar, nuk duam të mendojme gjatë. E pse? Ç’na duhet? Kronika e zezë është e pasur, por dhe ajo rose nuk i le gjë mangët. Në faqen e parë me bikini na thuhet se x idiote u martua me y pasunor dhe ja vila e tyre superluksoze. Çifti përrallor kap qiellin në dasmën në Itali.

A mundet të shohim pak më thellë se çfarë po ndodh? Para katër ditësh një femër jo e vogël shtyp në rruge me makinë. Para kësaj ngjarjeje, shoferi i ministrit të brendshëm gjendet jetëhumbur dhe mbyllet historia si vetëvrasje pa hetuar kush dhe pa kontrolluar kamerat e sigurisë. Kohë më parë vritet për mospranim dashurie studentja. E ca muaj më parë vriten në Gjirokastër dy mësues për një mur dhe ende nuk dimë gjë se çfarë ndodhi me atë që kreu krimin. Ja më në fund 8 njerez i shkuan dheut…personi vrasës kishte moshën e rinisë.

Dhe pyetja e parë që duhet shtruar është: SI JETON KY I RI…SI JETOJNË TË RINJTË NË FSHATRA…PO NË SHQIPËRI? Ai kishte kryer vetëm arsimin fillor.

Pyetja e dytë: Me ligj në Republikën e Shqiperise arsimi-8 vjeçar eshte i detyrueshem, kush mban përgjegjësi ligjore për moszbatimin e ligjit? Zonja Ministre e Arsimit, a dini të na thoni sa është numri i atyre që s’e kanë kryer arsimin 9-vjeçar në rang republike duke iu shmangur detyrimit ligjor? Ai qëlloi me armë i ftohte në atë që bëri në dy shtepi te ndryshme.

Pyetja e tretë: Kur e takoi këtë armë ai për herë të parë. ditën e krimit? Kurrsesi, ai qëlloi si të ishte killer profesionist, pra ai kishte kohë që e kishte armën, e kishte prekur, e kishte mbajtur, mund edhe ta kishte përdorur në fshat apo në pyll, por askush nuk kishte mbajtur qëndrim. A mban përgjegjësi kryeplaku i atij fshati? Apo ishte më e lehte që ta quanin ashtu një gje të trashë, një çoban me dhen. Ai ishte 3 vjeç kur Shqipëria kreu marrëzinë e 1997 dhe hapi depot, e me bekimin e politikës së kohës u armatos.

21 vite kanë kaluar dhe armët nuk janë mbledhur, ndaj vjen pyetja e katërt: Kush mban përgjegjësi për mosmbledhjen e tyre? Kur populli është i armatosur nga veriu në jug, nga qyteti në fshat, a ka rend civil në Republikën e Shqipërisë? Përdite jetë të humbura, vrasje, aksidente. apo humbje të natyrave të tjera.

Pyetja e pestë: Sa vlen jeta e njeriut në RSH kanditate për hapjen e negociatave me BE-n për anëtarësim?

Përfundimi: Asgjë nuk mund të shpjegohet se ai ishte jo normal, vetëm këtë mos e shisni për arsye. Ai kishte faqe në Facebook, ai punonte, ai e dinte ç’ishte fyerja, ai kishte armë, ai jetonte me familjen, ai nuk shprehu pendim. Po kishte nivel të ulët arsimor. Po ç’është ky tip antropologjik?! Këta quhen pop kriminelë. Shembullin e gjejnë mes shoqërisë sonë, madje në nivele të larta. Horizonti i mbyllur u vjen për shkak të mungesës së jetës sociale në hapësirën ku jetojnë. Bërja hero frymëzohet tek ato që shohin në Tv apo onlinenë internet. Mediat pa bosht nxisin vprimet e tilla që iu krijojnë përshtypjen se mund të behen heronj si nëpër filma. Çfarë presim te ndodhë?

Kjo është pyetja e fundit: Çfare presim? Sepse do kalojnë dy-tre ditë dhe asgjë. Kur u harrua ajo ë ndodhi në Gjirokastër ku policia kishte dijeni për kërcënimet, asgjë s’ka për të ndryshuar në drejtimin e duhur. Jemi një shoqëri e sëmurë me amnezi. Mjerë kë zë halli dhe i troket fatkeqësia. Le ta dënojnë sa të duan tani edhe me dënimin më të tmerrshëm. Ata që ikën nuk kthehen më. Deri kur kështu?! Zoti Ministër i Brendshëm, dini gjë Ju personalisht si titullar kur do mblidhen armët? Faleminderit nëse do i jepni përgjigje publikut…jo mua!

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × five =