Korea e Veriut po manipulon sërish Donald Trump - Arbëria News

Korea e Veriut po manipulon sërish Donald Trump

Nga Max Boot

Kur Presidenti Trump njoftoi më 8 Mars qëllimin e tij për t’u takuar me Kim Jong Un, unë shkruajta se udhëheqësit e Koresë së Jugut dhe të Veriut e kishin “futur presidentin e dobët amerikan në një samit të nivelit të lartë që ka gjasa të përfundojë në katastrofë në një mënyrë apo në një tjetër”.

Shumë gjëra kanë ndodhur që atëherë.

Kim ka bërë të ditur se ai është i gatshëm të diskutojë denuklearizimin dhe një traktat paqe për t’i dhënë fund Luftës Koreane – pa këmbëngulur në një tërheqje të forcave të SHBA. Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, u nis për në Pyongyang për t’u takuar me Kim. Dhe të premten Kim njoftoi se do të përfundojë testet bërthamore dhe raketore dhe do të mbyllë vendin ku janë kryer testet bërthamore.

Në dritën e të gjitha këtyre lajmeve, një lexues shkruan për të pyetur: “Jam duke menduar nëse do të rifreskoni artikullin tuaj të 8 marsit”. Po, do ta bëj. Kështu vijon përditësimi: Kim është një njeri më i aftë dhe manipulues, dhe Trump një shenjeshtër më e lehtë, sesa unë kisha imagjinuar.

Këto nuk janë “përparime” që sinjalizojnë paqe në kohën tonë. Këto janë tregues se si me mjeshtëri Kim po manovron për të ruajtur programin e tij bërthamor duke zbutur sanksionet ndërkombëtare dhe duke e shpërndarë “zjarrin dhe tërbimin” e Trump.

Trump është ai që ka bërë një koncesion të rëndësishëm duke u bërë presidenti i parë në dëtyrë i SHBA i gatshëm të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut, një akt që do të legjitimonte në mënyrë thelbësore sundimtarin e regjimit më despotik të botës dhe do të ushqente propagandën e vet që edhe vetë superfuqia ndihet e detyruar të përkulet përpara arsenalit të tij të fuqishëm bërthamor. Çfarë do të marrë Trump në këmbim? Deri më tani, as edhe lirinë për tre pengjët amerikanë në Korenë e Veriut – edhe pse Kim nënkuptoi se ky koncesion i vogël do të vijë.

Trump duket se mendon se koncesione shumë më të mëdha janë rrugës, gjithashtu. Të mërkurën ai citoi: “Mike Pompeo u takua me Kim Jong Un në Korenë e Veriut javën e kaluar. Takimi shkoi shumë mirë dhe u formua një marrëdhënie e mirë. Detajet e Samitit po përpunohen tani. Denuklearizimi do të jetë një gjë e mirë për botën, por edhe për Korenë e Veriut!”

Në realitet, siç kanë theksuar ekspertë të shumtë, “denuklearizimi” nuk do të thotë të njëjtën gjë për Kim dhe për Trump. Për Kim, është një fjalë e koduar për Shtetet e Bashkuara që të tërheqin garancinë e saj të sigurisë ndaj Koresë së Jugut, duke lejuar që Veriu të ngacmojë dhe ndoshta edhe të gëlltisë fqinjin e saj. Një “traktat paqeje” do ta avanconte këtë synim. Pse Shtetet e Bashkuara duhet të mbrojnë Jugun nëse është “në paqe” me Veriun?

Ah, por a nuk tha Kim tani se ai është i gatshëm të lejojë trupat e SHBA të qëndrojnë në Jug edhe pas një marrëveshjeje? Po, ashtu si edhe babai i tij Kim Jong Il në vitet 1990. Plaku Kim tha se Koreja e Veriut do të pranonte që trupat amerikane të qëndronin “si një forcë paqeruajtëse në Kore, në vend të një forcë armiqësore kundër Veriut”. Është e vështirë të dish saktësisht se çfarë do të thotë, por sugjeron një prezencë të vogël, simbolike, të armatosur lehtë që nuk mund ta pengojë besueshmërisht Korenë e Veriut.

Zotimi i fundit i Kim-it – për të ndaluar testimin bërthamor dhe raketor – nuk është, siç tha Trump, “përparim i madh”, sepse ai e ka thënë atë më parë dhe mund lehtë ta anullojë. Duke shpjeguar këtë veprim, Kim pohoi se programi i armëve të tij bërthamore është i plotë dhe nuk ka nevojë për ndonjë test më shumë. Edhe nëse kjo nuk është e vërtetë, mund të ketë një arsye praktike për të mbyllur vendin e testimit bërthamor – shpërthimet e përsëritura bërthamore në malin Mantap mund ta sjellin atë afër kolapsit. Kim i ri është përsëri duke ndjekur shembullin e babait të tij, i cili në vitin 2008 shpërtheu kullën e ftohjes së një objekti bërthamor për të treguar se e kishte seriozisht në lidhje me bisedimet. Vetëm se nuk e kishte.

Asgjë nga ky teatër nuk do të thotë se Kim është gati për të hequr dorë nga një program i armëve bërthamore që familja e tij ka shpenzuar dekada dhe miliarda dollarë të çmuar. Kim pa që Shtetet e Bashkuara përmbysën Moammar Gaddafi dhe Saddam Hussein pasi hoqën dorë nga armët e tyre të shkatërrimit në masë. Ai nuk ka për qëllim të imitojë shembullin e tyre të keq, sidomos kur këshilltari i ri i sigurisë kombëtare, John Bolton, ka promovuar një luftë parandaluese kundër Koresë së Veriut.

Kujdesi është i nevojshëm, por Trump është plot mendjemadhësi. Jonathan Swan i Axios shkruan se presidenti ka hequr dorë nga shpresat e tij naive dhe madhore se ai vetëm mund të sjellë paqen në Lindjen e Mesme. Tani presidenti mendon se ai vetëm mund të sjellë paqe në gadishullin Korean. Sipas raportimit të Axios, ai mendon: “Vetëm më fusni në dhomë me atë djalë (Kim Jong Un) dhe unë do nxjerr diçka nga aty”.

Uh-huh. Trump njeh thuajse asgjë për Korenë. (Të martën ai tha: “Njerëzit nuk e kuptojnë se Lufta e Koresë nuk ka mbaruar”, duke nënkuptuar që ai sapo e kishte zbuluar). Ai ka vendosur pritshmëri të larta dh besim të tepërt, por ai do të pajtohet me një diktator të pamëshirshëm që ka luajtur me të. Çfarë mund të shkojë gabim?

Kim mund të jetë i keq, por ai nuk është budalla – ose vetëvrasës. Ai po e lidh Trump, duke bërë premtime të paqarta që ai nuk ka ndërmend të mbajë. Dhe Trump, fshatari që mendon se është i sofistikuar, tregon çdo shenjë që ka ngrënë karremin.

/The Washington Post – Lexo.al

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

ten + 11 =