Korrigjimi i kufijve e ka burimin në Beograd - Arbëria News

Korrigjimi i kufijve e ka burimin në Beograd

Nga Roland Gjoni

  1. Shkëmbimi i territoreve nuk është rezultat i ndryshimit të politikës së SHBA-së dhe BE-së, por burimi i propozimit është dëshira e lidershipit serb për të shmangur njohjen e shtetësisë së Kosovës edhe për një kohë të pacaktuar. Pra origjina e propozimit nuk është as në Bruksel, as në Washington, as në Prishtinë, por në Beograd dhe arsyeja themelore është rënia e interesit ndërkombëtar për Ballkanin dhe Kosovën.

 

  1. Shkëmbimi i territoreve nuk është finalja e madhe. Për Serbinë nuk është me rëndësi sa zgjat korrigjimi, por vetëm hapja e procesit i sjell përfitime të menjëhershme. Çdo proces dypalësh ose konferencë ndërkombëtare që i paraprin njohjes së ndërsjelltë e pezullon shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ndërkohë në arenën ndërkombëtare Serbia projektohet si shtet fleksibël, pa tabu dhe pa vija të kuqe.

 

  1. Shkëmbimi i territoreve nuk i siguron Kosovës anëtarësim në OKB sepse kjo nuk varet nga Serbia. Është mashtrim klasik se Rusia dhe Kina do të pranojnë çdo zgjidhje për të cilën palët bien dakord. As nuk ka Rusia interesa të njëjta me Serbinë në Ballkan dhe as nuk është e detyruar Kina të heqë veton për tema ku Kina s’ka kurrfarë përfitimi.

 

  1. Shkëmbimi i territoreve nuk siguron perspektivë të qartë të Kosovës në BE. Është mashtrim klasik që Spanja dhe shtetet e tjera mosnjohëse duke parë dashurinë e madhe mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë do të pranojnë Kosovën dhe të shpejtojnë integrimin e saj.E vërteta është se Serbisë i shpejtohet procesi i integrimit siç ka ndodhur prej 2011 deri më sot ndërsa Kosova e ka të paqartë të ardhmen evropiane në gjendjen aktuale të BE-së.

 

  1. Shkëmbimi i territoreve nuk i hap rrugën bashkimit. Kufizimet e Ahtisaari dhe ndalesa për bashkimin e Kosovës me shtete të tjera pritet të mbetet në fuqi si pjesë e garancive për ruajtjen e stabilitetit në Bosnje dhe Maqedoni.Është temë tjetër a kanë plan dhe kapacitet shqiptarët për të shkuar drejt bashkimit përkundër kufizimeve ndërkombëtare, por me rëndësi është të dihet që nuk hiqet kufizimi që ka pranuar Kosova në 2008 nga ky proces.

 

Çka mund të thuhet me siguri është se Serbia pret nga Kosova të bëjë lëshime të reja pa u detyruar ta njohë Kosovën në fund të procesit ndërkohë që Kosova pret nga Serbia favore që nuk i ka ajo në dorë, por i ka Rusia, Kina në OKB dhe 5 shtetet mosnjohëse në BE.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × one =