Krimi gjinor: shkolla, media, shteti - Arbëria News

Krimi gjinor: shkolla, media, shteti

Arbër Zaimi

Para dy ditësh një student ka vrarë një studente në Tiranë, më pas veten. Me gjasë për arsye të dashurisë së refuzuar.

Krimi është sigurisht gjinor, në një pjesë të elementëve të tij. Në të gjitha mediat, pa u ndalur, si gjithnjë në të tilla raste – fatkeqësisht të shpeshta – denoncohet seksizmi, patriarkalizmi, diskriminimi gjinor. Me dhjetëra opinionistë e gazetarë. Askush nuk flet pro-diskriminimit, seksizmit e patriarkalizmit, afërmendsh. Po të shtosh këtu edhe ata që shkruajnë statuse si puna e këtij, ndoshta janë dhjetëra-mijëra që prodhojnë fjalë, diku të bukura e diku jo, sipas talentit, kundër dhunës gjinore. Po të bazohesh tek media tradicionale dhe ajo virtuale, na del se jemi shoqëri e emancipuar.

Megjithatë krimet e tilla jo që nuk ndalen, por bëhen më të shpeshta. Pse?

Së pari – shoqëria, individi, nuk edukohen dot nga mediat e as nga rrjetet sociale, të cilat jo se kanë ndonjë mision apo funksion edukativ, por më shumë kemi qejf të kenë meqenëse na duket lehtë e bukur.

Edukimi, edhe edukimi për barazinë gjinore e barazitë e tjera, merret në shkollë. Ku i kemi shkollat në një shtet që i keqtrajton mësuesit, që e ka shndërruar arsimin në treg? Një shtet i fokusuar kah përkëdhelja e joshja e kapitalit joproduktiv (kapitali produktiv do të ishte edhe vetë i interesuar në shkolla), i cili nuk destinon para që të mbajë shkolla e mësues për të qenë as në qytet e lëre më në fshat.

Së dyti – a nuk nis objektifikimi, apo të parët e femrës si pronë (do të jesh e imja), si objekt, si thjesht trup, prej kulturës që përcjellin reklamat komerciale, citylights-et, televizionet me “velina”, rubrikat “rozë” në portale?

Kjo nuk justifikohet me faktin se ka edhe meshkuj që objektifikohen në media komerciale. Në një shoqëri ku paraja është kryesisht tek burri – klienti kryesor në dyqanin ku shiten njerëz, është burri, dhe objekti më i shitur është gruaja e re. Por edhe nëse rolet do të ndërroheshin, e kliente kryesore do të ishte gruaja, nuk do të ndryshonte asgjë mbi barbarinë. Problemi është vetë dyqani ku shiten njerëz.

Pra emisionet “vetëdijësuese” janë një lloj i larjes pilatiane të duarve, sa kohë që edhe vetë ato emisione ndërpriten prej reklamave objektifikuese.

Së treti – sa më shumë vazhdojmë me programin ekonomik liberal (apo neoliberal), thellojmë pabarazitë. Pabarazitë në analizë të fundit rrënojnë kontratën sociale. Ai që është shumë lart i sheh pengesat ligjore si pezhishkë merimangash, i çan përpara pa vrarë mendjen. Kur themi nuk e respekton ligjin, ndonjëherë shpresojmë se respekton ligjin ndërkombëtar, apo së paku ligjet e pashkruara të imazhit, që i propagandon media – mirëpo ç’u bë me “Panama Papers” (i ashtuquajturi skandali i shekullit)? Ndërsa ai që është shumë poshtë i sheh pengesat ligjore si piramidë egjiptiane, funksioni i vetëm i së cilës është të stërmundojë skllavin, për nder të faraonit. As ai poshtë e as ai lart nuk e respektojnë ligjin në një shoqëri të pabarazive ekstreme, edhe pse i pari i trembet e i dyti jo. Aty ku ligji nuk respektohet, shpesh kemi shpërthime individuale për shkaqe të ndryshme (e rrallë, fatkeqësisht shumë rrallë, shpërthime kolektive). Programi ekonomik liberal e shkatërron kontratën sociale dhe në fund na çon te rrënjët e veta, tek far west-i i imagjinuar i Hollywood-it. Sa prej cowboys-ve me pare e pushtet, një pjesë e të cilëve kalërojnë mbi media, janë të famshëm për “trimëritë” e tyre, shpesh objektifikuese apo denigruese ndaj vartësve e ndaj më të dobtëve?

Si gjithnjë, aty ku rrënohet kontrata sociale, ku shteti është i dobët dhe triumfon individualizmi, ata që e pësojnë janë të dobëtit, në predikatin binar gjinor, më së shumti, gratë.

Vrasjet e tilla, që nuk janë më rastësi, por fenomen i shpeshtë, si çdo ekstrem, na tregojnë tipare të vërtetë të shoqërisë sonë. Tipare që mundohemi ti fshehim nëpër emisione.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

ten + one =