Kroacia mund të bëjë më mirë - Arbëria News

Kroacia mund të bëjë më mirë

1451618_202190889965326_1184326546_n

Nga: Bardhyl MUSAI

Më 1 qershor, ask qytetarët e Kroacisë do të marrin pjesë në demonstrata në 13 qytete si edhe në Londër, Budapest, Shangai, Paris etj., nën sloganin: “Kroacia mund të bëjë më mirë”!

CILA ËSHTË ARSYEJA? – Kundërshtimi ndaj një reforme kurrikulare e cila po pëson shmangie nga qëllimi i vërtetë, për shkak të ndryshimit të qeverisë.

Reforma kurrikulare, mbështetur në Strategjinë Kombëtare të Shkencës dhe Arsimit, e miratuar në parlament në qershor 2014, është në zbatim. Ky proces është udhëhequr nga një grup ekspertësh, me një pjesëmarrje shumë të gjerë (rreth 52 grupe pune, 500 mësues dhe ekspertë të tjerë), duke u konsultuar me të gjithë grupet e interesit, duke këmbëgulur në idenë se arsimi është një e mirë publike dhe me interes kombëtar, mbi interesat politike dhe individuale.

Por ky proces ka marrë një kthesë të papritur, pasi qeveria e re, e ardhur në pushtet në Janar 2016, është përpjekur të manipulojë procesin, ndonëse grupi i ekspertëve i ka kërkuar ministrit të arsimit të mbështesë procesin e filluar, por ai nuk ka reaguar. Ky qëndrim ka ngjallur indinjatë te publiku dhe ka motivuar shoqërinë civile, sindikatat dhe publikun e gjerë të tubohen në fushatën: “Kroacia mund të bëjë më mirë”, dhe të organizojnë demonstrata proteste në mbështetje të reformës kurrikulare duke përcjellë mesazhin se arsimi është prioritet i shoqërisë.

Kjo që po ndodh në Kroaci, më kujton një situatë të ngjashme në Bullgari, pak më shumë se dhjetë vjet më parë, kur ministria e arsimit do të vinte në zbatim maturën shtetërore edhe për nxënësit që ishin maturantë atë vit. Shoqata e prindërve ngriti padi gjyqësore për këtë rast, me arsyetimin se rregullat nuk mund të ndryshoheshin kur fëmijët e tyre e kishin filluar shkollën me rregulla të tjera. Gjykata detyroi ministrinë të tërheqë vendimin.

Tani sjell ndërmend gjithçka që po ndodh te ne: Ndryshohet kurrikula, pa asnjë konsultim ekspertësh, pa ndonjë arsyetim, më pak akoma studim apo hulumtim, dhe më keq akoma, temat e disa librave të huaj shndërrohen në kurrikul; zhvillohen testime të nxënësve të klasave III e V në shkelje të ligjit; ndryshon procedura e maturës shtetërore, duke e zhvlerësuar, si një ndër institucionet më serioze që ka e duhet të ketë shteti; zhvillohen testime masive të mësuesve, po ashtu në shkelje të ligjit; ndryshohet procedura e teksteve shkollore, gjithashtu në shkelje të ligjit; ndërpriten veprimtaritë e zhvillimit profesional të mësuesve duke përdorur alibinë se do të bëjmë një studim, pastaj një konferencë ndërkombëtare, se do të vijë një kompani italiane të na tregojë se çfarë është bërë e si duhet bërë; fillon një proces akreditimi i universiteteve, po ashtu duke përdorur alibinë se britanikët do ta drejtojnë procesin pasi janë më të besueshëm; miratohet ligji i arsimit të lartë, duke bërë hapa mbrapa në autonominë universitare, thjesht për interesa okulte e klienteliste.

Nuk po vazhdoj me shembuj të tjerë, pasi janë të mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se megjithëse Kroacia dhe Bullgaria janë në Ballkan, me ta jemi shumë larg në zbatimin e ligjit dhe ushtrimit të demokracisë.

Ende duhet të besojmë se ky është arsimi i gjeneratës tjetër?

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

19 − eight =