Kur ju hoqët ngjyrën... - Arbëria News

Kur ju hoqët ngjyrën…

Nga Përparim Kabo

Ju nuk besonit dikur, ecët dhe bëtë atë që menduat dhe deshët dhe sot më në fund e kuptuat se ka ndryshuar ngjyra, ndaj në forumin tuaj deklaruat,…”Të shpërndahet ngjyra gri që ka pllakosur në Partinë Socialiste”…Krejt normalisht le të arsytojmë. Pyetja e parë, përse u krijua ngjyra gri? Pyetja e dytë, cila që metamorfoza e kësaj force politike e cila mbajti një barrë të rëndë në tranzicionin shqiptar? Pyetja tjetër, nëse je me ngjyrë rose apo mavi je parti social demokrate, po me ngjyrën gri ku rreshtohesh, cili është identiteti yt si forcë politike? Unë nuk jam anëtarë i as një partie politike, por jam i shqetësuar se çfarë po ndodh me partitë politike dhe për rrjedhojë me pluralizmin politik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, si po sillemi me këtë bosht krucial të institucionalizmit demokratik të shoqërisë liberal-demokrate, shqiptarët dhe faktori shqiptar?!! Ja përse shpërndarja e mjegullës gri nuk mund të bëhet pa larguar ujqërit gri dhe heronjtë gri, ëngjëjt gri dhe batalionet gri në Parti/partitë. Në gjykimin tim brenda PS ka ndodhur largimi drejtuesve nga masa e organizuar e partisë dhe për rrjedhojë nga një organizëm politik që bazohej tek idetë dhe idealet e përbashkëta është shëndruar në një klan drejtues dhe në një masë anatërsie e lodhur e paorganizuar dhe e zhgënjyer, e mbytur në dëshpërim. Në planin ekonomik kemi disa vite që Partia Socialiste edhe kur i përmendet emri, është e kapur nga drejtues të pasur e shumë të pasur, sigurisht jo ne pagën mujore, dhe me një masë që kur është në punë nuk është e sigurt, kur nuk është në punë është e varfër, kur herë është e herë nuk është, sillet si një masë njerëzore në nevojë që cedon tek dinjiteti dhe personaliteti, si e tillë ajo ngryset dhe shëndrohet në një mjegull gri e partisë. Gjendja gri në planin institucional organizativ partiak ka ardhur se partia nuk funksionon, është e dal jashtë shinave si një lokomotiv e lodhur dhe e braktisur, përderisa mbledhjet e organizatave nuk bëhen si dhe sa duhen, kur drejtimi është shëndruar në të gjithë nivelet në drejtim personal dhe tek e fundit shumë nga ata që morën drejtimin e kësaj force nuk kishin dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me historinë, vlerat dhe dinjitetin kombëtar dhe ndërkombëtar të Partisë Socialiste. Gjendja është gri se mendësia është gri dhe inteligjenca gri në shumë nivele drejtimi të punëve të pushteteve dhe shtetit. Ikja e mendimit të përparuar nga Partia Socialiste duke larguar ata që e kishin, ishte mbyllja e horizonit … Ku janë psh Prof Dr. që e krijuan këtë parti së paku fjala vjenë nga Maqo Lakrori, Ethem Ruka, Luan Hajdaraga, Rexhep Mejdani deri te Zamira Çavo?…Pse ata nuk përfillen më?! E them unë pse. Sepse sa herë që ata flasin hapur për gjendjen në Partinë e tyre, menjëhere sigmatizohen, nuk pranohen dhe duken si plangprishës. Ngjyra gri si ngjyrim fizik është bashkimi të bardhës me të zezën, e bardha janë socialistët e ndershëm që shpesh i gjejmë në rrugë për mospagimin e rrogave, në spitale ku presin shpëtim, apo nën shtëpitë e shëmbura si në Zharrëz. Po ngjyra e zezë, cilët janë…?! Kjo është e kuptueshme. Janë të gjithë ata që nuk ndodhen në këto pozita por janë majmur me pasuri dhe prona…E fundit, ngjyra gri i shkon shumë hipokrizisë…ndaj ktheni mendimin dhe idealet në parti, largoni anonimët dhe të korruptuarit, shpëtoheni PS nga ruraliteti…dhe ktheheni atje ku e gjetët dhe e morët. Ky është një detyrim që ka të bëjë me historinë kombëtare. Një parti apo partitë pa ideale kanë bërë që demokracia në Shqipëri mos funksionojë më as si funskionale e as si normale….Ky realitet quhet ndryshe kthim prapa! Fatalitet i frikshëm!

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen − 2 =