KUR VITET IKIN ME TË QESHUR - Arbëria News

KUR VITET IKIN ME TË QESHUR

Nga Miho Gjini

Sa herë që ikën viti i vjetër dhe vjen i riu, njeriu i thotë dy fjalë, ashtu vetiu e pakëz me të qeshur:” Ja hodhëm edhe këtij viti”! Ashtu sikundër thoshte edhe Marksi se:”ndahemi nga e kaluara duke qeshur”!
S’kishte as tre dite që të ikte me qetësi viti i vjetër, pikërisht më 28 dhjetor, në orën 6,30 min. të mbrëmjes, tek po shkoja në Kafe “EVEREST”, kur më përplasi një veturë mbi asfaltin e lagur! Të më besoni, o njerëz të mirë se, nuk kishia asnjë faj. Ecja në rrugën e perëndisë, kur vetura sapo doli nga një benzinato aty pranë, për djall karshi varrezave të Koropisë (Athinë) dhe, sikundër u justifikua shoferi para meje me një zë të përvajshëm, duke ngritur duart lart nga ana e qiellit përmbytës (e që mu kujtua nja dy-tre ditë më mbrapa). As vet nuk e di,-kishte thënë ai, sesi ndodhi kjo punë e se, as ai e as unë nuk kishim asnjë faj. Dhe bënte parreshtur kryqin në gjoksin e tij të lagur nga shiu i rrëmbyer!

Une s’pata kohë as te mendoja se, si policia edhe abulancat, në ketë vend vijnë menjëhere dhe, duke të pandyer të vdekur a gjysmë të vdekur , të shpien në Spitalin e Urgjencës, sa të hapësh e të mbyllësh sytë! Buzeqeshja e pritjes se vitit të ri mu shua krejtësisht e avulloi edhe endërrimi i shfarrosjes së gjeldetit me anë të verës së fort dionisjake, që këtu e “qajnë fare” grekët , po edhe arvanitasit e vjetër! Tek më shtrin në krevatin portativ, pashë të njëjtat fytyra si dy muaj më përpara, kur më përplasi motori i shpërndarjes së sufllaqeve dhe më sollën po këtu!

Gjymtyrët e mia qenë “zhvidhosur” që të gjitha, dhimbjet sikur më shponin e më sulmonin gjithandejë, po tortura më e madhe qe shfaqia si në ekran e fytyrës së nevrikosur të “Arëzës” (se kështu e kam quajtur bashkëshorten time), e cila do më thotë prsëri që tani t’u dalë përpara autobuzave, fortigove dhe trenave! Kishte të drejtë, ndërsa qe haruar fare, ajo ditë e zeze, vite më parë, kur rrëshqitën gomat e motorit -shkardhë të Muratit, posa kaluam portikun romak , sa mbaron lëndina e Zapajve në Athinë, teksa po hymim në autostradën Vulagmeni dhe ne ishim shtrir mbi asfaltin (që përvëlonte nga të nxehtit e korikut), por që ishim të trullosur nga rakia e u zvarritëm deri në anë të rrugës për të përrmjerur e të mblidhnim veten para se të vinte policia! E pastaj ja kishim plasur te qeshurit!
Mirëpo, sikundër thotë mjeku japonez 104 vjecar Shingeati Hinohara:” Jeta është e paparashikueshme dhe me plot incidente…”! Si ta dinte c’më kanë ndodhur edhe mua, por që mikja ime në Amerike, gazetarja e shkrimtarja Albana Lifchin, konkludon që:” Miho Gjini di ti perballoj dhimbjet e tragjeditë më të rënda vetëm me buzëqeshje.” Dhe, ska pak ditë, po miku tjetër në Athinë, gazetari e shkrimtari Robert Goro, shprehej po njëlloj se:”Miho Gjini është një djalosh i përjetshëm»,pikërisht po prej kësaj buzëqeshjeje që unë përcjell incidentet e mia që më ndodhin nga njerëzit, nga makinat e të tjerëve, po edhe nga 5 makinat që ngisja vet, për hallet e mia në Greqi (gjate ketyre 28 vjeteve te emigrimit!) dhe që i karambolova që të pesta, pasi kisha shpëtuar paq, me ndihmën e Atij që është në qiell!

Mbaj mend që, e pesta, një Citroen , si ato që përdor policia greke, hyri aksidentalisht në një magazinë lluksoze këpucësh, kur mua më kishte zën gjumi në timon, pasi kisha rrëkëllyer dy dopjo raki me një mikun tim të prapë si poet, si njeri e si pijetar! Një tjetër mik, po duke qeshur, më kishte thëne:” Mos e vrit mëndjen, vëlla, se jetëgjati nuk bëhet kurrë jetëshkurtër”!.Ndërsa , ime shpqe, vazhdonte ti rrëfente historite e mia në versionin e kundërt, si qyfire, për të qeshur, edhe pse ajo kishte ulëritur kur patën ndodhur dhe më kishte mallkuar që nga thoi i këmbës!
Kështu që, më erdhi përsëri buzëqeshja, i harova ata që më shpunë gati në “dyert e vdekjes”, doktorët që nuk më kanë shtruar kurre në “shtëpin e tyre” ose që s’ti ndajnë ilacet e këshillat mjeksore tërë jetën, i lashe mënjan edhe “mallkimet” e Arëzës sime që më “zugatin” tek veshi (!), si edhe thuajse e kam nzjerrë jashtë vëmëndjes time edhe atë tipin që bënte sikur shkruante libra dhe “sëmurrej” kur me shihte të ripërtërirë e të buzëqeshur çdo vit që ikte dhe që pastaj mërmëriste nëpër dhëmb : “akoma ky, nuk e ka përdredhur”?I Por une jam me ate Japonezin Hinohara, i cili këshillon se, nëse dëshiron të harrosh dhimbjen …Eksploro, lexo dhe eduko veten…Energjia vjen nga ndjenja e mire dhe cdo sëmundje mund të shërohet me artet liberale e vizuale!”. Rrofsh akoma, ore Hinohara dhe ta gëzosh VITIN E RI 2018, bashkë me mua e me të tjerë njerëz që na duan dhe bile, edhe me ata qe nuk na duan e që pothuajse u është shuar buzëqeshja, ngaqë u duket sikur u kemi zën vendin në këtë jetë e në këtë BOTË TË MADHE!

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × three =