Letra e Nexhmije Hoxhës: Ja si e vrau Enverin, Mehmet Shehu - Arbëria News

Letra e Nexhmije Hoxhës: Ja si e vrau Enverin, Mehmet Shehu

mehmetshehu103-300x227

Pak dite me pare doli në shtyp libri “Prapaskena” (Hulumtime mbi historinë e Shqipërisë komuniste) i gazetarit Xhevdet Shehu, information pills një vështrim që fokusohet, padyshim edhe në marrëdhënien jetëgjatë dhe të pazakontë mes dy emrave të shumëpërfolur të regjimit, Enver Hoxha e Mehmet Shehu. Një kopje e këtij libri, iu dërgua edhe bashkëshortes së Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha.

Në shenjë falënderimi për gjestin, zonja Hoxha i ka dërguar ditët e fundit gazetarit të DITA-s një letër të gjatë, ku jep ndër të tjera një shënim të sajin mbi fundin tragjik të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981. Letra në fjalë është sa personale, aq dhe me shumë interes për publikun e gjerë.

Autori Xhevdet Shehu mori pëlqimin e Nexhmije Hoxhës për publikimin e kësaj letre, në të cilën flitet për marrëdhënien Hoxha-Shehu, se si e ka përjetuar ajo ngjarjen fatale dhe cili ishte reagimi i Enverit kur mori vesh lajmin…

Sigurisht mbi këtë letër që znj.Hoxha pranoi të bëhet publik, mund të bëhen shumë komente e debate, ashtu siç ajo mund të lexohet sa në rreshta, ashtu dhe mes tyre. Besojmë se lexuesi do ta gjejë me shumë interes.

******

Letra

Z. Xhevdet Shehu!

Ju faleminderit për librin tuaj “Prapaskena” që më dërguat edhe me përkushtimin e firmën tuaj.

Unë e bleva një kopje të tij që në ditët e para që u vu në qarkullim. E bëra këtë jo vetëm nga tema që më interesonte, por kryesisht se ai ishte shkruar nga një gazetar hetues, të shquar në vite, siç jeni ju Xhevdet Shehu, po edhe i mbështetur nga historiani shumë i vlerësuar, nga opinioni publik e shkencor shqiptar-kombëtar për botimet e qëndrimet e tij serioze e objektive, Pëllumb Xhufi.

Kur mora librin tuaj që më dërguat, e rilexova me shumë vëmendje, pak nga pak, gjatë gjithë kësaj vere të rëndë nga vapa e jashtëzakonshme, sidomos për moshën time.

Pavarësisht nga ndonjë rezervë që kam, për ndonjë fakt a konkluzion tuajin, konsideroj me vlerë hetimin rreth çështjes Mehmet Shehu dhe botimin e librit tuaj me synimin pozitiv, të hetohet e të gjykohet për të vërtetat rreth marrëdhënieve të dy personaliteteve të nivelit më të lartë në drejtimin e shtetit, si Enver Hoxha e Mehmet Shehu, për rolin e tyre me rëndësi në historinë kombëtare.

Unë mendoj se kjo çështje nuk mund të konsiderohet e mbyllur, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me hetime e zbulimin e dokumenteve arkivore, brenda e jashtë vendit, që do të hedhin dritë mbi anë të errëta e të panjohura të kësaj çështjeje.

Ju faleminderit që në librin tuaj keni përfshirë edhe intervistën tuaj me djalin tim, Ilirin. Me këtë rast, më lejoni t’ju përgëzoj për të gjitha qëndrimet e shkrimet e guximshme që botoni në gazetën “Dita”, që është bërë tërheqëse për publikun serioz shqiptar. Me kënaqësi mësova nga miqtë e mi që në fjalën tuaj, me rastin e promovimit të librit, në Muzeun Historik, kishit folur drejt e mirë për Enver Hoxhën.

Ju falënderoj edhe për citimin e librit tim të fundit “Kosova e lirë” në listën e letërsisë së lexuar nga ju, që në fakt ju e lexuat dhe ndihmuat për promovimin e tij në gazetën “Dita”.

Ju kuptoj shumë mirë se pse nuk i jeni referuar në asnjë rast librit tim “Miqësi e tradhëtuar”, që është botuar më 2004. Për 10 ditë me radhë u bë promovimi i tij në gazetën “Shekulli”. Kjo ndihmoi për njohjen e tij, por pengoi shitjen, për më shumë që në ato vite libraritë nuk guxonin të reklamonin librat e mia. Edhe unë vetë nuk kam ndarë dorazi asnjë nga këta libra, veç me raste, kur ma kanë kërkuar. Meqë mund të ketë ndodhur që ju të mos e keni gjetur, por edhe se u bënë mbi 10 vjet që është botuar, unë po ju dërgoj një kopje të re, pa autografuar atë (siç nuk kam bërë në asnjë rast).

Unë këtë libër e kam shkruar dhe e kam botuar për të përballuar propagandën e shfrenuar nga forca të caktuara kundërshtare ose armiqësore, si edhe persona të veçantë, me shpifje e trillime të padëgjuara, ku akuzohej haptas ose indirekt Enver Hoxha si vrasësi i Mehmet Shehut.

Për mua qe e dhimbshme dhe shumë revoltuese të dëgjoja sulme të tilla krejt absurde.

Askush, më shumë se unë, nuk ka qenë në kushtet e mia, të ndjekë e të përjetojë nga afër se sa miqësore e shoqërore kanë qenë marrëdhëniet e bashkëpunimi mes Enverit e Mehmetit, për 40 e ca vite gjatë luftën NÇL e viteve të ndërtimit të shtetit të ri e shoqërisë socialiste.

Për më tepër, unë vetë, personalisht, kam pasur një njohje po aq të gjatë e respekt reciprok, në mes meje e Mehmet Shehut, sidomos edhe mes meje e Fiqretit (Sanxhaktari – Shehu), që në shkollë e grupet e para komuniste, gjatë luftës NÇL e vitet pas Çlirimit të vendit e deri në fundin tragjik të saj e gjithë familjes që ajo nuk diti ta mbrojë.

Unë, duke qenë pranë Enverit natë e ditë, jam dëshmitarja e vetme sa e thellë ishte tronditja shpirtërore e Enverit për vetëvrasjen e papritur të Mehmetit. Që në momentet e para të njohjes së lajmit të hidhur, mbeti i habitur, duke përsëritur pyetjen, sikur ia bënte vetes: “Pse e bëri këtë Mehmeti? Pse ma bëri këtë Mehmeti!?”

Pas leximit të letrës që i la Mehmeti, unë jam dëshmitare për angazhimin e tij total, për të parë qartë pse Mehmeti zgjodhi këtë akt ekstrem të vetësakrifikimit e pas hetimeve e reflektimit me përgjegjësi të lartë, erdhi zemërimi i njohur i Enverit në fjalimet e shkrimet e tij, i prekur e i zhgënjyer thellësisht nga mënyra më e keqe që zgjodhi Mehmeti për t’ia shpërblyer Enverit gjithë ndihmën që i kishte dhënë sa herë kishte gabuar, besimin që kishte treguar duke e ngarkuar në funksionet më të larta shtetërore partiake, politike, ekonomike e ushtarake, për miqësinë e shoqërinë e sinqertë ndaj tij, si shok e vëlla, ndaj Fiqretit e gjithë familjes së tij.

Unë, duke parë e ndjerë gjithë mobilizimin total e punën intensive të Enverit, në zhvillimet e reja që u krijuan, nga ana politike, organizative etj., kam deklaruar me dhimbje se:

“Nuk është Enveri që vrau Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin”.

Në fakt, pas vetëvrasjes së Mehmetit, në dhjetor 1981, gjendja shëndetësore e Enverit, me sëmundjen e rëndë të zemrës, mori tatëpjetën deri sa mbylli sytë në prill të vitit 1985.

I nderuari mik, Xhevdet, duke kërkuar falje për këtë letër të gjatë, e mbyll me urimet më të mira për mbarësi në punën e jetën tuaj.

Sinqerisht,

Nexhmije Hoxha

Tiranë, 18 shtator 2015/ DITA

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

ten − one =