Liqeni i Bovillës, i rrezikuar nga erozioni, i ndotur nga ujërat e zeza dhe mbetjet - Arbëria News

Liqeni i Bovillës, i rrezikuar nga erozioni, i ndotur nga ujërat e zeza dhe mbetjet

Prej më shumë se një dekade ekspertët kërkojnë rehabilitimin e zonës që rrethon ujëmbledhësin e kryeqytetit përmes pyllëzimit, menaxhimit të mbetjeve dhe trajtimit të ujërave të zeza të zonës përreth, kërkesa që kanë rënë në vesh të shurdhër.

Liqeni i Bovillës, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm qindra-mijëra banorë të Tiranës, është ende i ekspozuar ndaj ndotjes prej ujërave të zeza dhe mbetjeve urbane të fshatrave përreth, si dhe rrëshqitjes së dherave si pasojë e dëmtimit të mbulesës bimore.

Ujëmbledhësi, i formuar nga prerja e lumit Tërkuza me një digë 81 metra të lartë në grykën e Zall-Herrit, ndodhet në verilindje të Tiranës në kufi me Fushë-Krujën, i shtrirë në një sipërfaqe prej 4.6 km2.

Rezervuari i Bovillës, foto e para disa ditëve. ©ACQJ

Ujërat e tij filluan të përdoren për të furnizuar rreth 60 përqind të popullsisë së kryeqytetit në vitin 1998 pas një dekade studimesh dhe pasi në Kodrën e Kuqe në afërsi të Tiranës u ndërtua dhe impianti i përpunimit të ujit. Ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës dhe impiantit të trajtimit e shpërndarjes në rrjet të ujit kushtoi 22 milionë lireta (rreth 11 milionë euro), kredi e dhënë nga Qeveria Italiane.

Qendra për Gazetari Cilësore zbulon se, ndonëse prej më shumë se 10 vjetësh ekspertë shqiptarë dhe të huaj kanë dhënë alarmin mbi nevojën e rehabilitimit të zonës që rrethon liqenin për të rritur sigurinë e ujit të pijshëm në kryeqytet, ende Ministria e Mjedisit, ajo e Infrastrukturës, Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, UKT, nuk kanë një plan të integruar veprimi.

Sot terreni që rrethon ujëmbledhësin e Bovillës vuan nga erozioni si pasojë e shpyllëzimit dhe mossistemit të përrenjëve, mosmenaxhimi i mbetjeve urbane dhe mungesa e trajtimit të ujërave të zeza të fshatrave përreth.

Sipas ekspertëve të kontaktuar nga Qendra, situata vështirësohet gjatë periudhës së rreshjeve të shiut, kur dherat, mbetjet urbane dhe ujërat e zeza depërtojnë në liqen.

Rezervuari i Bovillës. Mars 2018 . ©ACQJ

Ndonëse në dijeni të ndotjes në liqenin e Bovillës, këto institucione ia besojnë sigurinë e ujit vetëm përpunimit të impiantit në Kodrën e Kuqe. Ekspertët ndërkaq besojnë se dhe përpunimi rigoroz i ujit nuk e pastron atë plotësisht, në rastet kur ndotja në ujëmbledhës është e madhe.

Ekspertët janë të mendimit se investimi në ujëmbledhës është i domosdoshëm, jo vetëm për të rritur sigurinë e ujit të pijshëm, por edhe për të mos rritur kostot që kërkon në impiant trajtimi i ujit me ndotje të lartë. Ata mendojnë se, pavarësisht se uji i trajtuar dhe i shpërndarë në rubinetat e qytetarëve mund të jetë brenda parametrave sanitare, pastrimi i ujëmbledhësit do ta rriste disa herë cilësinë e tij.

Studimet mbeten në letër

Liqeni i Bovillës është një nga basenet ujore më të studiuara në të gjithë vendin për sa i përket biodiversitetit të tij. Historia e vëmendjes së shtuar të studiuesve shqiptarë dhe të huaj ndaj basenit nisi në vjeshtën e vitit 2001, kur qytetarët e Tiranës u alarmuan nga era e rëndë dhe shija e keqe në ujin që rridhte nga rubinetat e tyre.

Në janar të vitit 2002, vetë qeveria e asaj kohe kërkoi ngritjen e një grupi ndërministror, i cili do të mund të identifikonte pasojat e ndotjes, pasi të studiohej ujëmbledhësi i Bovillës dhe po kështu kushtet e impiantit të trajtimit të ujit.

Pas disa muajsh situata duket se u zgjidh përmes shtimit të karbonit aktiv në trajtimin e ujit, por studiuesit vijuan të kërkonin zgjidhje më të qëndrueshme në situata të tilla.
Paralelisht edhe organizatat e shoqërisë civile nisën të kryenin studimet e tyre.
Ato shpejt dolën në konkluzionin se kërkohej rehabilitim i zonës rreth basenit të Bovillës, pyllëzim i dendur dhe sistemim përrenjsh për të shmangur erozionin, si dhe trajtimi i mbetjeve urbane dhe krijimi me emergjencë i gropave septike për ujërat e zeza për banorët përreth.

Qendra e Studimeve Ekonomike, SEDA, në një studim të vitit 2002 doli në konkluzionin se përmes një financimi prej 2.2 milionë eurosh në dy faza çështja e ndotjes në basenin e Bovillës zgjidhej në mënyrë përfundimtare.

Sipas studimit, me të cilin Qendra u njoh, me një investim prej 1 milion eurosh sigurohej trajtimi i ujërave të zeza të zonës përreth, ndërsa pjesa tjetër do të përdorej për monitorimin sa më rigoroz të basenit, krijimin e një laboratori të posaçëm së bashku me një analizë të thelluar për ujin në liqen.

Këto kërkesa nuk u morën parasysh nga qeveria, ashtu siç nuk u morën në konsideratë as të dhënat e studimit të thelluar limnologjik për ujëmbledhësin, të kryer gjatë periudhës tetor 2005-shtator 2008 nga një grup studiuesish shqiptarë dhe zviceranë.

Aleks Miho, profesor i biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, që mori pjesë në studim, i tha Qendrës për Gazetari Cilësore se, pavarësisht përpjekjeve nuk kishte të dhëna se institucionet i morën parasysh gjetjet.
Sipas tij, është tepër e rëndësishme që të niset puna për pyllëzimin intensiv në zonën që rrethon basenin, nisur nga dëmtimet e shumta të bimësisë nga zjarret, banorët dhe kafshët e tyre.

“Në mos qofsha i gabuar, unë nuk kam dëgjuar ende për programe për pyllëzimin e pellgut dhe masa për ripërtëritjen e bimësisë, sidomos kjo për brezin mbrojtës, i njohur dhe si brezi sanitar përreth ujëmbledhësit, i cili shtrihet në lartësitë 320-400 metra mbi nivelin e detit”, – theksoi ai.

Sipas tij, shkarkimet e lëngëta urbane në zonë rrisin mundësinë e ndotjes së ujit me baktere patogjene dhe lëndë ndotëse organike, sa herë që bien shira.

“Unë nuk kam dëgjuar për masa për grumbullimin e plehrave të ngurta në fshatrat përreth pellgut apo për masa për grumbullimin dhe përpunimin e decentralizuar të ujërave të zeza në këtë zonë”, – shtoi ai.

Mehmet Metaj, drejtor i qendrës Alba Forest, e cila është mbështetur nga donatorë gjatë viteve 2004-2006 për të bërë ndërhyrje të vogla që përmirësojnë bimësinë rreth Bovillës, theksoi se ndotja nga fshatrat përreth në basen është e madhe.

“Rezervuari i Bovillës është i ndotur, përderisa gjithë ujërat e zeza të banorëve të Zall-Bastarit shkojnë aty dhe nuk është marrë ende asnjë masë, nuk është bërë asnjë investim. Nuk është bërë asnjë gropë septike dhe kanalizim që të shmangë ndotjet dhe asnjë investim tjetër për ripyllëzimin e kodrave përreth dhe sistemimin e tyre me prita malore”, – theksoi ai

Faji në pragun e shumë institucioneve

Qendra për Gazetari Cilësore përmes ligjit të së Drejtës së Informimit i kërkoi ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë, UKT, informacion për masat e marra për rritjen e sigurisë së ujit në Bovillë dhe planet për investime.
Pavarësisht se kthimi i përgjigjes është një detyrim ligjor, UKT nuk dha asnjë përgjigje për kërkesën e dërguar zyrtarisht.

Gjithsesi, në vitin 2014, kur media denoncoi situatën e rëndë të ndotjes në Bovillë, UKT në një deklaratë theksoi larmishmërinë e institucioneve që kishin përgjegjësi për situatën.
“Ruajtja e ujëmbledhësit nga hedhja e materialeve ndotëse dhe prerja e pyjeve është një detyrë e Prefekturës së qarkut Tiranë dhe Ministrisë së Mjedisit.

Zhvendosja e rreth 20 familjeve që banojnë në afërsi të ujëmbledhësit, si dhe pajisja me gropa septike dhe rrjet kanalizimesh të fshatrave përreth është një detyrë, e cila, sipas vendimit të qeverisë, duhet kryer nga Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës”, – thekson deklarata.

“Pyllëzimi i zonës, kultivimi i peshkut, si dhe sistemimi i përrenjve janë respektivisht detyra që duhen kryer nga Ministria e Bujqësisë dhe nga Ministria e Mjedisit, detyra këto që janë realizuar pjesërisht”, – vijon ajo.

Një nga detyrat që UKT pranon se ka është monitorimi i ujëmbledhësit. Nga vëzhgimi në terren që bënë gazetarët e Qendrës u vu re mungesa e elementëve të sigurisë për parandalimin e hedhjes së mbetjeve në ujë. Përveç një shkrimi me bojë në murin e digës, “Ndal Policia”, në basen nuk dukej asnjë masë tjetër ndaluese.

Ndotje nga mbetjet urbane në rezervuar pranë digës. Mars 2018 ©ACQJ

Më 20 mars kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nënshkroi me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, një marrëveshje për zgjerimin e kapaciteteve të filtrimit të ujit që vjen nga liqeni i Bovillës.

Ai gjithashtu foli për një linjë të re, e cila do të lidhte rezervuarin e Bovillës direkt me zonën e Unazës së Re, Yzberishtin dhe Kasharin, por në asnjë moment nuk u përmend financimi për rehabilitimin e ujëmbledhësit të Bovillës.

Ekspertët prej një dekade kërkojnë rehabilitimin e ujëmbledhësit më të madh të Tiranës.

Mirëmbajtja, pyllëzimi dhe adresimi me urgjencë i trajtimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza të banorëve që jetojnë aty, jo vetëm do të rrisin sigurinë e ujit të pijshëm, por edhe do të rrisin efiçensën e ujëmbledhësit që furnizon më shumë se gjysmën e kryeqytetit.

Përgatiti:Antonio Çakshiri, Lorin Kadiu, Joel Çela

/Albanian Center for Quality Journalism

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 + 12 =