Luftë varfërisë nëpërmjet investimeve - Arbëria News

Luftë varfërisë nëpërmjet investimeve

Kandidatja e Partisë Demokratike për bashkinë Durrës, approved Grida Duma, more about premton hapjen e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë nëpërmjet investimeve në shërbim të qytetarëve.

 

Cili mendoni se është problemi më i madh i bashkisë Durrës dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problem më i madh i bashkisë së Durrësit, si territor dhe i bashkisë si bashkësi qytetarësh, është papunësia dhe varfëria. Po ashtu, shkak për këtë varfëri është bërë varrosja e potencialeve të qytetit si turizmi, arkeologjia dhe produkti bujqësor. Po të investohej në këto drejtime, do të kishim një qytetar durrsak disa herë më mirë në mirëqenie. Durrësi është sot tre pikë nën mesataren e të ardhurave në raport me mesataren e vendit.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Durrës?

Durrësi së pari kërkon pastrim, heqje plehrash, monitorim të standardit të pastërtisë dhe higjienës në shkolla dhe kënde sportive. Durrësi kërkon furnizim me ujë të pijshëm së paku tre herë në ditë, sepse sot është një herë në ditë. Investim në kanalizime dhe në rastet emergjente, kur investimi në kanalizime zgjat, kërkon pastrim të kanaleve që janë burime sëmundjesh dhe përmbytjesh.  Durrësi ka nevoja emergjente dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për standardin minimal të jetës së qytetarit. Pastërti, heqje të plehrave, ndriçim, rrugë, pastrim kanalesh… Ai i ngjan një shtëpie ku i zoti ka dalë në mëngjes dhe ka hyrë në darkë dhe e ka përdorur si një model të keq. Nuk e ka mirëmbajtur asnjëherë. Po ashtu vlen të përmend edhe ndalimin e betonizimit agresiv që ka varrosur edhe historinë e qytetit.

Të gjitha investimet do të shkojnë në shërbim të qytetarëve dhe kompanitë private do t’i çojnë prodhimet dhe produktet, qoftë edhe këto të betonit, vetëm për jetën komunitare, në rrugë, trotuare, në rivitalizim hapësirash dhe qasja do të jetë nga pallatet e pamirëmbajtura drejt jetës që e mbron qytetin sikur e ka shtëpi. Brenda hapësirës së qendrës së Durrësit do të hapen menjëherë shtatë parqe dhe lulishte që janë lokalizuar. Të gjitha sitet arkeologjike, që janë rreth 20, do të pastrohen, rikualifikohen me kangjella mbrojtëse dhe sinjalistikë që do të fillojë që nga hyrja e Durrësit, do të ndriçohen edhe gjatë gjithë natës, duke krijuar imazhin e një qyteti që natën tregon historinë e nëndheshme. Muret, Torra e Vogël, Amfiteatri, Fari i Durrësit, Markata Antike, të gjitha do të lidhen me njëra-tjetrën dhe jo të veçuara, duke krijuar një korridor pedonaleje me shërbime turistike, duke filluar nga kinematë verore, si tre prej tyre në murin antik, një pedonale e drunjtë për qytetarët që do të ndalojnë për kafe e akullore dhe duke kaluar nga muri dhe Amfiteatri dhe deri te shërbimi me internet në të gjithë sheshin dhe pjesën turistike.

Po ashtu krijimi i plazhit publik në zonën e Currilave, ku do të kontrollohet fort higjiena dhe mundësia për të marrë një çadër, me çezme dhe banja publike. Ai do të ketë kapacitet për të pritur në të gjithë zonën e Vollgës dhe Currilave qytetarë të moshës së tretë dhe ata që nuk kanë mundësi ekonomike. Vlen të përmendim portin e peshkimit, markatën e peshkut dhe tre tregje që do të shpërndahen në pikat kyçe të Durrësit me produkte bujqësore që vijnë nga komunat e pasura bujqësore që i janë shtuar qytetit, vitrinat e produkteve bujqësore në akset rrugore, stacioni intermodal i transportit publik, i cili do të bëhet funksional, sepse sot autobusët e rretheve dhe qyteteve ngatërrohen me ata brendshëm dhe ata të brendshmit nuk mbulojnë as një të tretën e nevojave të qytetarëve. Për të mos folur për faktin që qytetarët nuk blejnë dot një abone. E di që sot një familje që merr 150 mijë lekë të vjetra shpeshherë, për të çuar fëmijët dhe për të lëvizur vetë, harxhon 120 lekë në ditë? Kjo gjë do të stabilizohet menjëherë. Tregu ushqimor dhe ai industrial në qytetin e Durrësit do të rikonstruktohen dhe do të kenë të gjitha standardet e higjienës dhe pastërtisë, ngrohjes minimale dhe taksat për të gjitha bizneset do të ulen me 30 %. Gjithashtu do të fusim konceptin e tregut të lëvizshëm.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Durrës dhe cilat janë ato?

Administratorët do t’i përgjigjen standardeve të një shkolle të lartë nga pikëpamja formale, do të duhet të kenë eksperiencë të mjaftueshme pune si në privat apo në publik, por mbi të gjitha duhet të jenë individë që gëzojnë respektin e komunitetit. Do të hedhim konceptin e bashkëqeverisjes, ku një listë individësh mund të propozohet nga komunitetet me referendumet e tyre. Ajo që është e sigurt është se administratori nuk do të jetë i palëvizshëm, por në raport me punën, do të mund të vazhdojë detyrën e tij. Përndryshe, në cilësinë e kryebashkiakes, kushdo që nuk bën punën dhe nuk kënaq komunitetin, do të lërë detyrën. Po ashtu, administratorët nuk do të vlejnë vetëm për certifikata dhe ndihmë ekonomike, por do të kenë një staf të ngushtë profesional që do të diagnostikojë problemet ekonomike të zonave të tyre.

Në ilustrim të kësaj, sot problemet janë nga më të ndjeshmet në zonat bujqësore. Për shembull, ka zona në të cilat qytetarët kanë ndërtuar vetë 20 puse dhe me një administrator të mirë, kostoja e këtyre puseve i tejkalon tre herë kostot e vendosjes së pompave, çka me bashkëpunim do të zgjidhim problemin e ujit. Po ashtu ka zona me rezervuarë që kanë ujë, por nuk ka vaditje të fushave, sepse është e pamundur ose kanalet janë të pa pastruar ose sistemi i tubacionit është i amortizuar dhe në emër të një investimi të vogël, humbim fitim të madh.

Administratorët do të jenë përgjegjës për informimin të paktën dy herë në javë  për çmimin e produkteve bujqësore, sepse jo rrallë hedhin produktet në tokë se bien pre e tregtarëve të shumicës. Me pikat e grumbullimit, me tregjet dhe administratorët e mirë, produkti bujqësor do të shkojë te zonat turistike, do të prodhojë agroturizëm, ku shtëpi të vogla do të përdoren dhe si hotele të vegjël shtëpiakë të zonës, të cilët do të lidhen me ballkonin e qytetit kodrinor, i cili do të jetë edhe plani i kurorës së gjelbër së qytetit. Do të jetë një ballkon i vogël dhe një pedonale kodrinore për biçikleta për të gjithë ballkonin e qytetit.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Risia e bashkisë pas 21 qershorit do të jetë që përveç këshilltarëve politikë, do të krijohet dhe një organ paralel që do të quhet Senati i Bashkisë së Durrësit, përbërja e të cilit do të jetë me përfaqësues të elitave të çdo fushe, si nga fusha e historisë, arkeologjisë, artistëve, jetës kulturore, personaliteteve të qytetit dhe pjesa tjetër përfaqësues të grupeve të interesit dhe profesionistëve në raport me të ardhurat që ata i sjellin bashkisë së qytet. Për shembull, nëse biznes i vogël sjell 60 % të ardhura edhe përfaqësimi i tyre do të jetë në atë nivel. Do të shkojmë në konceptin e administrimit që komunat, zonat dhe bizneset që do t’i sjellin më shumë fitime qytetit, do të marrim investime. Nga ana tjetër, problem i çdo dite është mirëmbajtja e të gjitha godinave dhe administratori i godinës, do të vijë si rezultat i referendumeve të banorëve.

Duke futur konceptin e bashkëpronësisë, bashkia do të hartojë një listë të qartë, që është risi, të bashkëpronarëve të çdo komuniteti. Pra, familje dhe emra që kanë bashkëpronësi në godinë. Me marrjen e bashkëpronësisë së banorëve, ata konsiderohen komunitet që vendosin me referendum për zhvillimin e zonës.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj, që zona turistike përgjatë plazhit të furnizohet me ujë? Sa kohë do t’ju duhet që ta zgjidhni këtë problem?

Projekti i Bankës Botërore prej 85 milionë dollarësh do të bëjë të mundur trefishimin e prurjeve të ujit, ndërkohë që bashkia do të ndërhyjë menjëherë në rrjetet ku tubacionet janë më të vogla se sa përballohet prurja e ujit.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për zgjidhjen e problemit të trafikut dhe mungesën e hapësirave të parkingjeve në qytet, veçanërisht gjatë sezonit turistik?

Ato do të ndërtohen në bashkëpunim me privatin, në formën e koncesioneve, por me monitorim të rreptë si edhe me investime nga të ardhurat e bashkisë. Parkingjet do të jenë vertikale dhe do të zgjidhin me emergjencë në dy vitet e para 50 për qind të problemit të parkimit. Në fund të mandatit do të zgjidhim problemin e parkingjeve në zonat turistike. Në të gjitha rrugicat e lagjeve do të vendosim për parkimin me një drejtim.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për ta mbrojtur Gjirin e Lalzit nga ndërtimet e pakontrolluara që nuk mundësojnë një turizëm të qëndrueshëm?

Problematika nuk qëndron vetëm me Gjirin e Lalzit, por me të gjitha zonat A, B, C dhe me godinat e pa legalizuara në komuna dhe në bashki. Marrim përsipër që brenda vitit 2015 të kemi planin e madh të integrimit të të gjitha investimeve si një bashki e madhe e Durrësit dhe legalizimet do të përfundojnë. Gjiri i Lalzit është kualifikuar si zonë e turizmit të vilave dhe do të kemi turizëm elitar të nivelit të resorteve në bregdetin pas gjirit të Lalzit, turizmin e standardit të mesëm që të çon drejt shkëmbit të Kavajës dhe plazhin publik në zonën e Currilave që fillon nga Vollga. Turizmi elitar do të jetë në zonën e Kepit të Rodonit. Pra, harta e investimeve në turizëm do të respektojë ndarjen dhe zonifikimin e standardeve të plazheve.

Marre me shkurtime nga “Birn”

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty + 4 =