Maqedonia e Veriut: Një marrëveshje në epokën e nacionalizmit? - Arbëria News

Maqedonia e Veriut: Një marrëveshje në epokën e nacionalizmit?

VALBONA ZENELI

NATO e mbajti premtimin për të mbajtur derën e saj hapur. Dy ditë më parë, vendi i vogël në Ballkanin Perëndimor, Maqedonia e Veriut, u ftua zyrtarisht që të bëhej anëtarja 30-të e Aleancës. Ky vendim historik ka rëndësi të jashtëzakonshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rrugën e saj euroatlantike, për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, por edhe për vetë NATO-n dhe marrëdhëniet transatlantike. Protokolli i pranimit për Maqedoninë e Veriut, i nënshkruar nga të gjitha 29 vendet anëtarë të NATO-s, do t’u dërgohet parlamenteve përkatëse për miratim, një proces që shpresohet të përfundojë deri në fund të vitit 2019. Greqia do të jetë vendi i parë që do të procedojë me ratifikimin e marrëveshjes këtë javë, duke treguar vullnet politik për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, një shenjë që vërtet mund të ndikojë pozitivisht në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor. Ratifikimi i protokollit nga parlamenti grek do të sinjalizonte edhe hyrjen formale në fuqi të emrit të ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

FUNDI I NJË MOSMARRËVESHJEJE 27-VJEÇARE

Ajo çka të tjerëve mund t’u duket me të drejtë si një çështje e vogël, vendimi për të ndryshuar emrin nga “Maqedonia” në “Maqedonia e Veriut”, mbart një mosmarrëveshje 27-vjeçare midis Shkupit dhe Athinës. Në thelb të kësaj mosmarrëveshjeje shtrihen çështjet e zakonshme të historisë moderne europiane, të nacionalizmit dhe marrëdhënieve të vështira të fqinjësisë.

Kur Maqedonia shpalli pavarësinë në vitin 1991, shpërbërja e Jugosllavisë u shoqërua me një rritje të lartë të nacionalizmit në Ballkan. Grekët kundërshtuan menjëherë ashpër përdorimin e emrit Maqedoni, duke u shqetësuar se vendi i ri i sapokrijuar po përvetësonte historinë greke, duke u kthyer në kohë deri tek Aleksandri i Madh, duke pretenduar kështu marrëdhënie me qytetërimin e lashtë grek të Maqedonisë, duke nënkuptuar në këtë mënyrë ambicie territoriale në rajonin verior të Greqisë. Këto ndjenja ishin edhe të nxitura, në njëfarë mënyre nga pretendimet e llojit nacionalist të Kushtetutës së parë maqedonase, se vendi i ri dhe i pavarur ishte “një komb për të gjithë maqedonasit”.

Ndërsa Maqedonia referohej ndërkombëtarisht nën emrin provizor të “Ish-Republika Jugosllave ose Maqedonisë” ose FYROM, emër me të cilin u pranua edhe në Kombet e Bashkuara në vitin 1993, brenda vendit, referimi ishte gjithmonë “Republika e Maqedonisë”. Më vonë, disa projekte infrastrukturore për ribërjen e kryeqytetit siç është “Shkupi 2014”, të iniciuara nga lideri i VMRO-DPMNE-se, Nikola Gruevski, për të ndërtuar statuja të “figurave të lashtësisë maqedonase dhe duke pretenduar se ato përfaqësonin vazhdimësinë historike të kombit maqedonas që nga antikiteti, do të hidhnin më tepër benzinë në zjarrin e nacionalizmit, një element tejet i rrezikshëm në Ballkan, siç fatkeqësisht na ka mësuar historia.

Ndërsa mosmarrëveshja për emrin midis Shkupit dhe Athinës do të përfshinte pothuajse tri dekada konfrontimesh, të ngarkuara emocionalisht nga të dyja anët, gjithashtu ajo do të përfshinte edhe fuqinë e vetos të Greqisë për të bllokuar integrimin euroatlantik të Maqedonisë (së Veriut). Me gjithë pasojat negative për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të Maqedonisë, mosmarrëveshja, nga ana tjetër, do të përdorej nga politikanë të korruptuar në vend si justifikim për mungesën e reformave dhe zhvillim e dobët ekonomik.

Situata do të ndryshonte në fund të vitit 2016, pas fitores dërrmuese të koalicionit anti-Gruevski, kur Kryeministri i ri, Zoran Zaev, do të premtonte një epokë të re për politikën maqedonase, bazuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe integrimin euroatlantik. Si rezultat, marrëveshja e re për çështjen e emrit midis Shkupit dhe Athinës u arrit në qershor të vitit 2018 në brigjet e Liqenit të Prespës, duke marrë edhe simbolikisht emrin “Marrëveshja e Prespës”. Dokumenti prej 19 faqesh do të shënonte fillimin e përfundimit të mosmarrëveshjes. Zbatimi i plotë do të kërkonte hapa edhe më të vështirë.

NJË MARRËVESHJE NË EPOKËN E NACIONALIZMIT?

Muajt e fundit nuk kanë qenë të lehtë për Athinën dhe Shkupin zyrtar. Kompromisi i arritur do të ishte një nga më të pamundurit e epokës, në të cilën jetojmë. Në shtator të vitit 2018, qeveria e Shkupit mbajti një referendum konsultativ për të përforcuar legjitimitetin e ndryshimeve të domosdoshme kushtetuese për të përdorur emrin e ri zyrtar, por pjesëmarrja e ulët (vetëm 37%) nuk të lejonte arritjen e 50% të kërkuar për ta bërë atë të vlefshme, duke vënë kështu në dyshim të fortë të ardhmen e marrëveshjes. Por, Zaev me guxim i shtyu përpara ndryshimet kushtetuese duke pasur shumicën e mjaftueshme në Parlament, me pretendimin e drejtë se ata që kishin votuar në referendum kishin dërguar një mesazh të qartë miratues me më shumë se 90% të votave.

Pak ditë më parë, edhe Parlamenti grek e ratifikoi marrëveshjen për të riemëruar Maqedoninë fqinje, në një fitore të ngushtë me vetëm 153 vota nga 300, pavarësisht trazirave të mëdha politike të brendshme dhe opozitës së gjerë publike. Ishte një votë që solli ndarje në koalicionin qeverisës në Greqi dhe gati përmbysi qeverinë e Tsipras. Kundër të gjitha mosmarrëveshjeve, një faqe e re po shkruhej për Ballkanin. Në fjalët e Tsipras “urrejtja e nacionalizmit, mosmarrëveshjet dhe konflikti do të zëvendësohen nga miqësia, paqja dhe bashkëpunimi”.

Në një epokë kur politika europiane po riformulohet nga ringjallja e nacionalizmit dhe ethet e pakënaqësisë publike, të nxitura nga kriza e Eurozonës 2008 dhe valët masive të emigracionit të parregullt në vitet 2015-2016, duket se politikanët europianë mund të marrin disa mësime nga Ballkani lidhur me vizionin politik. Ndërkohë që qendra politike po zvogëlohet dhe rebelimi radikal po flet për nevojën e politikanëve për të kuptuar më mirë nevojat e popullsisë se tyre, liderët politikë duhet të ushtrojnë udhëheqje vizionare dhe të mos bien pre e politikës moderne të angazhimit me frikërat e elektoratit, duke u bërë kështu ndjekës të thjeshtë të opinionit publik. Mësimi që vjen nga Ballkani është se koha dhe vizioni strategjik janë gjithçka. Tani Tsipras dhe Zaev janë në radhë për të marrë çmimin Nobel, duke ndjekur shembullin e Bashkimit Europian në vitin 2012.

Marrëveshja e Prespës duhet të përdoret si precedent pozitiv për mënyrën sesi duhen zgjidhen çështjet e vështira dhe mosmarrëveshjet në Ballkan. Ka shumë tensione dhe mosmarrëveshje të ngarkuara emocionalisht, të cilat duhet të adresohen urgjentisht, duke filluar nga ajo më e ngutshmja, midis Kosovës dhe Serbisë.

NJË FITORE E PERËNDIMIT

Anëtarësimi i ardhshëm në NATO për Maqedoninë e Veriut, e cila kishte qenë në pritje të integrimit që nga viti 1999, e vendos atë nën një ombrellë stabiliteti dhe sigurie, në një rajon që ende ka shumë xhepa pasigurie.

Është gjithashtu një sinjal i fortë se modeli tërheqës i Perëndimit është ende i fortë dhe i qëndrueshëm në Ballkan, i aftë për të konkurruar me vlerat demokratike dhe prosperitetin e ofruar nga komuniteti transatlantik. Rusia, megjithëse i mungon një strategji koherente ndaj rajonit, e ka rritur praninë e saj si një aktor oportunist në Ballkan, si pjesë e një loje më të madhe gjeopolitike me Perëndimin. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO mund të konsiderohet si një dështim i Rusisë, pavarësisht nga akuzat për ndërhyrjet e saj në procesin e ndryshimit të emrit, duke shpresuar që të parandalonte këtë rezultat, ngjashëm me atë që ndodhi me Malin e Zi një vit më parë. Një vend i ri i NATO-s në Ballkan është i rëndësishëm në stabilizimin e rajonit, duke forcuar mbështetjen e Perëndimit në Ballkan dhe duke iu përgjigjur ndikimet malinje të aktorëve të tretë.

Në këtë proces, udhëheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian (kryesisht Gjermanisë) tregoi se ndryshimet pozitive mund të ndodhin në Ballkan dhe se angazhimi i drejtpërdrejtë dhe i qëndrueshëm jep rezultat, duke çuar në një stabilitet dhe integrim më të madh rajonal.

Fundi i mosmarrëveshjes së emrit midis Shkupit dhe Athinës është fitore për NATOn, por edhe për BE-në. Anëtarësimi në NATO duhet të ndiqet nga një tjetër çmim, BE. Siç na mëson historia e kohëve të fundit të Europës së Luftës së Ftohtë, anëtarësimi në aleancën politike-ushtarake të NATO-s shpesh është ndjekur me anëtarësimin në aleancën ekonomike dhe politike të Bashkimit Europian.

Samiti i ardhshëm i Këshillit të Europës në verën e ardhshme, i cili do të diskutojë edhe zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, nuk duhet të përsërisë gabimet e shanseve të humbura ne vitet e fundit për të ngritur procesin e zgjerimit në një nivel shumë të merituar politik, nga ai aktual më tepër teknik. Kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europian, rezultati i të cilave mund të ndryshojnë optimizmin aktual për të ardhmen e Ballkanit. Është e qartë se barra më e madhe e ndërmarrjes së reformave serioze politike dhe ekonomike mbetet tek udhëheqësit dhe qeveritë në Ballkan. Ata duhet të veprojnë shpejt që të kenë shanse reale për sukses.

Dr. Valbona Zeneli është drejtore e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Marshall Center dhe të qeverive të SHBA-së dhe Gjermanisë

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

8 − 5 =