Mbështetje e plotë nga Gjermania për "Autostradën e Kaltër" - Arbëria News

Mbështetje e plotë nga Gjermania për “Autostradën e Kaltër”

Vëmendja e Gjermanisë për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, diagnosis e cila nisi me Konferencën e Berlinit, organizuar gushtin e vitit të kaluar nga Kancelarja Merkel, është kthyer në një aksion të përbashkët të vendeve të rajonit për prezantimin e projekteve me impakt rajonal.

Takimi i djeshëm i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj me Zv. Kancelarin Gabriel, është takimi i dytë më i rëndësishëm mes dy vendeve tona pas atij të zhvilluar mes Kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel dhe është njëkohësisht hapi më konkret në kuadër të procesit të Berlinit.

Numri dy i Europës, Sigmar Gabriel konfirmoi se Autostrada e Kaltër, një projekt tejet i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin, jo vetëm për konektivitetin por edhe për dimensionin e ri që i jep zhvillimit ekonomik dhe të turizmit në rajon, do të ketë të gjithë mbështetjen e Qeverisë Gjermane për të marrë financime nga Komisioni Europian. Autostrada e Kaltër, ose Adriatiko- Joniane lidh disa shtete si Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria e deri në Greqi dhe konsiderohet një urë tejet e rëndësishme lidhjeje e rajonit me Bashkimin Europian.

Pas takimit me zv. Kancelarin gjerman, Ministri Ahmetaj vizitoi një nga landet më të industrializuara të Gjermanisë, atë të Nordrhein-Westfalen (NRW) ku zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me qëllim tërheqjen e investimeve gjermane në Shqipëri.

Në takimin me Ministren e Punëve të Jashtme të Landit Schwall Duren, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit profesional dhe sistemet duale. Ministri Ahmetaj kërkoi ndihmën e palës gjermane për të ofruar ekspertizë dhe trajnime në shkollat profesionale në vend.

Ministri Ahmetaj takoi gjithashtu Sekretarin e Shtetit për Ekonominë, Energjinë, Industrinë, Biznesin e Mesëm dhe Profesionet e Landit, Dr. Günther Horzetsky, i cili përgëzoi qeverinë shqiptare për rrugën e reformave dhe theksoi se reformat, së bashku me sigurinë dhe shtetin e së drejtës janë thelbësore për krijimin e besimit të investitorëve gjermanë për të ardhur në Shqipëri.

“Interesimi i kompanive gjermane për Shqipërinë është gjithnjë në rritje në sektorët e energjisë, turizmit, manifakturës. Mosha e re e forcës punëtore dhe kualifikimi janë ndër të tjera avantazhe të rëndësishme që ju keni” –tha Horzetsky.

Në muajin Mars Sekretari i shtetit planifikon të zhvillojë vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri në të cilën do të diskutohen më konkretisht marrëveshjet e bashkëpunimit në sektorët e lartpërmendur.

Vizita u mbyll me forumin e biznesit me kompanitë shqiptare dhe gjermane të Landit, ku Ministri Ahmetaj prezantoi para bizneseve të pranishme mundësitë dhe avantazhet e investimit në Shqipëri. Një forum i ngjashëm, me një pjesëmarrje të gjerë biznesesh gjermane do të zhvillohet në Tiranë në muajin shtator.

Vizita e Ministrit Ahmetaj në Gjermani konsiderohet e rëndësishme për tërheqjen e investimeve të huaja dhe intensifikimin e bashkë[punimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve në një kohë kur vëmendja e Gjermanisë ndaj rajonit është tejet e madhe edhe për shkak të rolit të Shqipërisë si vend koordinator i procesit të Berlinit.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nine + fifteen =