Modelet e kapitalizmit rreth botës - Arbëria News

Modelet e kapitalizmit rreth botës

Nga Ledi Daci

Si mund ta përcaktojmë një ekonomi kapitaliste ? Milton Friedman e përshkruan atë si ‘organizimin e aktivitetit ekonomik nëpërmjet sipërmarrjeve private që operojnë në një treg të lirë’(Friedman, 1962). J.M.Keynes ofron një mendim humoristik mbi kapitalizmin :”Kapitalizmi është besimi mahnitës se njeriu më i ligë do të bëjë gjërat më të liga për të mirën më të madhe të të gjithëve” (Albert, 2000).
Divergjencat ndërmjet kulturave, historive apo popujve të ndryshëm sjellin edhe divergjenca në modelet e kapitalizmit. Kështu përveç ndryshimeve mes kapitalizmit në vendet e kontinentit europian, divergjencat janë konstatuar edhe midis kontinenteve si Azia apo Amerika e Veriut. Modeli i kapitalizmit i konstatuar në Europën kontinentale apo vendet Skandinave, dallon me modelin e kapitalizmit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA.
Kështu fillimisht portreti i parë i kapitalizmit në Europën kontinentale është modeli gjerman dhe skandinav. Sipas filozofisë së këtyre vendeve liria e një individi do të thotë që ai të dëgjohet nga komuniteti dhe të respektojë mednimin e komunitetit. Pra nëqoftëse individi nuk ka sukses, do të thotë se kjo është përgjegjësi edhe e komunitetit i cili duhet të ndihmojëindividin.Në emër të parimit të solidaritetit me të tjerët, krijohen një tërësi rregullash dhe detyrimesh që duhen zbatuar nga i gjithë sistemi ekonomik, institucional e social (Civici, 2013). Kështu kapitalizmi social demokrat zbatohet kryesisht në Gjermani, Austri, Danimarkë, si edhe në Skandinavi. Ai karakterizohet nga një partneritet i lartë ndërmjet sindikatave, pronarëve/sipërmarrësve dhe shtetit ; nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë e shtetit në ekonomi dhe në sjelljen e aktorëve ekonomikë ; nga një sistem shumë i zhvilluar i mbrojtjes sociale dhe të drejtave sociale ; nga politika monetare të qëndueshme dhe nga një rol i rëndësishëm i bankave, kryesisht atyre rajonale (Civici, 2014).
Portreti i dytë i kapitalizmit në Europën kontinentale lidhet me historinë e kombit francez. Koncepti i tyre i përpunuar pas revolucioneve republikane është:”të gjithë të barabartë përballë republikës e cila është përgjegjëse për garantimin e kësaj barazie”. Si pasojë e këtij koncepti për lirinë dhe nevojën e garantimit të saj nga “Repubika”, francezët krijuan modelin institucional të zhvillimit dhe të kapitalizmit i cili njihet si “kapitalizmi shtetëror”(Civici, 2013). Ky model zbatohet edhe në vende si Spanja dhe Italia.Ky model privilegjon një rol të madh të shtetit në ndërhyrjen në ekonomi dhe në çështjet publike për të rregulluar organizimin e aktivitetit ekonomik, për të orientuar e kontrolluar tregun, për të garantuar një drejtësi më të madhe sociale, etj. Barazia dhe solidariteti janë vlerat më evidente të këtij modeli (Civici, 2014)
Një model tjetër i kapitalizmit i cili është karakteristikë për vendet si Britania apo Shtetet e Bashkuara përbën modelin anglo-sakson të kapitalizmit. Thelbi i filozofisë së këtyre vendeve është : në qoftë se ti nuk ke sukses, përgjegjësia kryesore qëndron tek aftësitë dhe përpjekjet e tua për të arritur sukses” (Civici 2013). Ky model i kapitalizmit dominohet nga roli i tregut në organizimin e marrëdhënieve ekonomike jo vetëm në prodhim e financa, por edhe në tregun e punës në shërbimet publike të tilla si : shëndetësia, arsimi, kërkimi, fiskaliteti, mbrojtja sociale, etj.Vlerat themelore të këtij modeli janë liria individuale dhe konkurenca e lirë (Civici, 2014). Duke qenë se pikat e forta të këtij modeli do të ishin dinamizmi, inovacioni, përshtatja dhe kontratat ligjore , këto ekonomi varen mjaft nga licencimi ose shitja e inovacioneve për të asistuar transferimin e teknologjisë. Krijuesit e shpikjeve të reja përfitojnë nga licencimi i përdoruesve të shumtë, çka shpjegon prezencën e firmave kapitale aventuriere në ekonomitë e tregjeve liberale : një sukses në vendosjen standarte të parave mund të paguajë për shumë investime të humbura (O’Meara, 2011).
Në vendet e Azisë së Largët kryesisht Tajvani , Koreja e Jugut , Singapori dhe Japonia është evidentuar një model tjetër i organizimit ekonomik nën paradigmën e kapitalizmit. Kështu modeli i zbatuar në këto vende njihet si “kapitalizmi koorporatist” dhe mbështetet në një bashkëveprim dhe komplementaritet të lartë ndërmjet tregjeve të rregulluara, nga një sistem i dobët i mbrojtjes sociale që pranon një shkallë të lartë diferencimi social dhe një sistemi financiar të orientuar drejt marrëdhënieve afatgjata ndërmjet bankave dhe ndërmarrjeve (Civici, 2014).
Ky model ndryshon fundamentalisht nga ai anglo-sakson në disa aspekte dhe baza teorike merret kryesisht nga eksperienca japoneze e cila konsiderohet edhe si pionerja e këtij kapitalizmi. Vendet e industrializuara ndodhen gjithmonë në pozicionin e përpjekjes për balancim të konkurencës së lirë dhe ndalimit të monopoleve. Industria e SHBA është mjaft e përqëndruar me firma monopol si IBM, Xerox apo Boeing. Monopolet nuk kanë tendencë për t’u formuar nëJaponi ; në SHBA, Eastman Kodak është i vetmi lojtar në industrinë fotografike, ndërkohë në Japoni (me një treg sa gjysma e atij amerikan) ka dy konkurentë të vetëm. Sapo zhvillohet një treg i ri në Japoni, firmat nxitojnë të marrin një pjesë të tij – si psh rasti i Sega dhe Sony që sfidojnë Nintendo (O’Meara, 2011). Përtej shkrirjeve, falimentimeve apo daljeve vullnetare, firmat rrallëherë i largohen industrisë. Kjo konkurrencë intensive ka rezultuar në përfitueshmëri më të ulët, por në inovacion e në cilësi më të lartë të prodhimit.
Modeli japonez është përcaktuar nga Banka Botërore si “modeli i 5 elementëve”.Elementi i parëështë përqendrimi te eksportet dhe reduktimi sa më i mundshëm i importeve. Elementi i dytë janë nivelet e larta të kursimit, që plotësojnë nevojat e financimit tëinvestimeve pa iu drejtuar tregjeve ndërkombëtare. Elementi i tretëështë edukimi dhe synimi i çdo familjeje për të kursyer në mënyrë që të investojnë në arsimimin dhe formimin profesional të fëmijëve të tyre, për t’u ngritur sa më lartë në rangjet sociale apo profesionale. Elementi i katërt lidhet me punësimin e përjetshëm të individëve, të cilët e shohin vendin e punës me një këndvështrim krejt tjetër nga një i punësuar në vendet europiane apo amerikane. Elementi i pestë lidhet me besimin e kontributit të shtetit mbi zhvillimin ekonomik e social duke orientuar kursimet dhe investimet e huaja në sektorët më efektivë.
Një aspekt tjetër i modelit aziatik e veçanërisht atij japonez është organizimi i industrive në forma juridike të njohura si “keiretsu”. Këto forma të bashkëveprimit të kompanive në Japoni janë karakteristike edhe në vendet e tjera aziatike. Në dallim nga kompanitë perëndimore, filozofia e kompanive aziatike nuk përqendrohet tek maksimizimi i vlerës për aksionerët, por në objektiva të tilla si garantimi i punësimit tëplotë, integrimi i individit në ambientin punës dhe sigurimi i një rritjeje afatgjatë të kompanisë e cila do t’i shërbejëë rritjes së imazhit të kombit.

Modelet e kapitalizmit na jepen të gatshëm dhe divergjencat mes vendeve e kulturave të ndryshme vihen re edhe tek organizimi ekonomik. Cili model do tëishte duhuri ? Edhe nëse do të përcaktohej modeli i duhur, a do të ishte po aq efektiv nëse do të aplikohej diku tjetër ?
Ekonomive të dala nga sistemi komunist, kryesisht vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, u duhej të zgjidhnin midis portreteve të kapitalizmit. Shqipëria fillimisht përkrahu modelin liberal anglosakson, por duke iu drejtuar më pas një modeli social demokrat të ngjashëm me atë gjerman. Disa prej vendeve kanë përkrahur modelin shtetëror francez (Hungaria, Rusia ). Të tjerë kanë harmonizuar elementë të kapitalizmit gjerman me atë shtetëror francez (Polonia, Bullgaria) , ose elementët e tregut të lirë dhe social demokracisë (Republika Çeke). Vende si Sllovakia dhe Sllovenia janë konsideruar se kanë krijuar modele origjinale specifike të kapitalizmit të cilat përmbajnë nuanca social demokrate. Modelin më i veçantë ofrohet nga vendi i vogël baltik i Estonisë, i cili përbën një përzierje të modelit liberal amerikan, social demokrat gjermano-skandinav dhe atij koorporatist japonez. Disa nga elementët që e diferencojnë Estoninë nga vendet e tjera janë : Ekzistenca e konsensusit të gjerë e të qendrueshëm politik, mungesa e polarizimit ideologjik si edhe besimi e respekti për institucionet, si një vend ku ligjet hartohen, miratohen e zbatohen me një trasnparencë të jashtëzakonshme (Civici, 2014)

Referencat :
Albert M (2000) “ Moving Forward : Programme for a Participatory Economy” AK Press, Edinburgh
Civici A. (2013) “ Shteti apo tregu : Cilin model zhvillimi të zgjedhim ? ” UET Press, Tiranë
Civici A. (2014) “ Transformimi i madh : Nga plani drejt tregut “ UET Press Tiranë
Friedman M (1962) “ Capitalism and Freedom” University of Chicago Press, Chicago
O’Meara G (2011) “How the fundamentals of american and japanese capitalism diverge ?“ Trinity College Dublin

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seven − 4 =