Narkisi - Arbëria News

Narkisi

Arbër Zaimi

Mitet janë stilizime të koncepteve dhe ideve politike e shoqërore. Kështu dhe miti i Narkisit e i Jehonës.

Jo rrallëherë Zeusi (pushteti vetë) vizitonte tokën të shtrihej me nimfat (në një akt subversiv ndaj institucioneve, riprodhim ekstrainstitucional i pushtetit, shpesh revolucionar. Prej atyre riprodhimeve lindnin heronjtë dhe etërit e popujve). E shoqja, Hera (institucioni, tradita e ngurtësuar) tepër xheloze, shpesh e ndiqte për ta kapur e ndëshkuar, por sa herë zbriste në tokë, i dilte para Jehona, e cila e mbante me biseda, e shpërqendronte deri sa Zeusi të largohej prej tokës pa u zënë në faj.

Jehona na ishte një oreadë (nimfë e bjeshkës, orë e malit) fjalëkëndshme dhe me aftësi të forta bisedore. Por kur Hera e mori vesh se si Jehona e ndihmonte Zeusin, ajo e nemi Jehonën që të mos mund të thoshte më asnjë fjalë, pos fjalëve të fundit që dëgjonte (tranziti prej apologjetit të pushtetit subversiv në papagall të thjeshtë të pushtetit institucional, apo në zëdhënës, përsëritës i zërit) Bjeshkët i vizitonin shpesh gjuetarët, e një prej tyre, Narkisi, ishte aq i pashëm sa ia rrëmbeu zemrën Jehonës. Narkisi ishte aq krenar sa që përbuzte cilindo që dashurohej me të.

(Narkisi është vetë pamja pa brendi, heroi më i zbrazët e më i bukur i mitologjisë klasike, produkti i post-politikës së marketingut e i propagandës) Narkisi dikur humbi rrugën në bjeshkë (bjeshka gjithnjë simbolizon realitetin, të errët, të ndërlikuar, të parrëfyeshëm). Jehona e ndiqte fshehurazi. Kur Narkisi vikaste për ndihmë, Jehona përsëriste veç fjalët e fundit.

Dikur Jehona iu afrua Narkisit për t’ia shprehur dashurinë. Por pamundësia e saj për të komunikuar, shoqëruar me krenarinë kryeneçe të Narkisit, sigurisht që solli refuzimin e saj. E dëshpëruar ajo vazhdoi ta shihte Narkisin fshehurazi, nga larg, e prej trishtimit u tret krejt, prej saj mbeti veç jehu.

Kur Afërdita e dëgjoi këtë fyerje që krenaria ia pati bërë dashurisë, vendosi të hakmerret ndaj Narkisit.

Në formën e saj ndëshkuese e nemëse, si Afërdita Nemesis, ajo e joshi Narkisin pranë një pellgu. Aty Narkisi pa pasqyrimin e vetvetes dhe menjëherë ra në dashuri me atë imazh. Por imazhi nuk mund t’ia kthente dashurinë, e Narkisi veç mbeti duke e parë e duke lotuar për atë imazh, i narkotizuar. Ashtu u tret.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two + six =