Ndërron jetë operatori i njohur, poeti Petrit Ruka ndan mesazhin e ndjerë - Arbëria News

Ndërron jetë operatori i njohur, poeti Petrit Ruka ndan mesazhin e ndjerë

 

Ndahet nga jeta operatori Leonard Qendro, dora e te cilit ka qënë  pas disa filmash shqiptare, si drejtor fotografie. Lajmin e ka dhene poeti dhe miku i tij, Petrit Ruka përmes një statusi në facebook.

NJË TJETËR MIK I SHTRENJTË MË IKU…

NARD i dashur paske ikur!…
Sapo e mësova nga njoftimi që paska bërë shoku ynë Mond Topi!
Nuk di çfarë të them…
Herën e fundit që folëm në telefon, më premtove që do të vije patjetër për premierën e filmit të fundit që xhiruam bashkë në Përmet dhe ku ti ishe Drejtor Fotografie.
Kam kaq shumë të them për një miqësi vëllazërore prej më shumë se 30 vjeçare, por sot nuk mundem…
Dhe prej të gjithave tani më vetëtin në mendje vetëm një çast. Ajo nata e fundit e xhirimit në hajatin e kishës së Bënjës…
Kur pasi i përqafova të gjithë pjesëtarët e filmit një nga një, ty të lashë për në fund.
Dhe teksa ishim ashtu, të shtrënguar në gjysmë errësirën e natës në orën 02 të mëngjesit, gjoks më gjoks, të pëshpërita në vesh:
“Nard i dashur, pa ty nuk do të bëhej dot kurrë ky film, vëlla, në këto kushte…
Ti nuk fole… Po unë i ndjeva krahët e tu se si m’i shtrëngove edhe më fort rreth trupit…
Nuk e di për ty, po isha aq i emocionuar sa sytë i kisha me lot.
Dhe jam i bindur se edhe ti ishe si unë, sypërlotur…
Shyqyr që ish errësirë!
Sa do të doja të ndodhte edhe njëherë ai çast…
Por…
Do të ulem një ditë Nardone të shkruaj për ty…
Në paça kohën dhe unë…, se moshatarë ishim…
Sot, këtë çast nuk mundem…
Por të siguroj, vëlla, se sapo e ndeza llullën tënde me filtër, që më solle herën e fundit, me të cilin ca kohë më parë kishe pirë ti duhanin, që po përpiqeshe ta lije…
Po pi me llullën tënde dhe po shoh tymin e saj të bardhë tek u vërtitet këtyre fjalëve të mjera…në ekranin e PC.
Mbase është shpirti yt i madh Leonard Qendro?!

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × one =