Në pritje të Triestes, analistët: Problemet e Ballkanit i zgjidh BE - Arbëria News

Në pritje të Triestes, analistët: Problemet e Ballkanit i zgjidh BE

Samiti i Triestes e ka shtyrë politologun e Institutit të Vjenës, Vladimir Gligorov, ekspert të çështjeve të Ballkanit, të analizojë situatën e BE-së në raport me rajonin.

Në një intervistë për “Deutsche Welle” ai shpjegon se problemet e ngrira duhet të zgjidhen dhe blloku mund të luajë këtu një rol mjaft të rëndësishëm.

“Strategjia e Bashkimit Europian dhe komunitetit ndërkombëtar është bashkëpunimi ekonomik, i cili duhet të nxisë dhe normalizimin politik, megjithatë tani po shihet se ky është një proces i ngadalshëm”, thotë Gligorov.

Në praktikë, thekson ai, asnjë nga problemet e ngrira nuk është zgjidhur përfundimisht, çka kufizon bashkëpunimin si në politikë ashtu edhe në ekonomi.

Edhe sa u përket integrimeve europiane duhet theksuar se në rajon nuk flasin njëzëri, kujton Gligorov. Kjo, sipas tij, do të thotë se bashkëpunimi ekonomik është i kufizuar në një masë të madhe nga konfliktet e ngrira dhe mosmarrëveshjet politike.

“Tregjet e Ballkanit po kështu janë të vogla e nuk ka firma të mëdha, çka e bën të domosdoshme praninë e kompanive të huaja ndërkombëtare”, vlerëson Gligorov.

Eksperti mendon se një treg i përbashkët rajonal do të mund të përshpejtonte dhe procesin e harmonizimit me BE-në. Këtu ai prek temën e bashkimit doganor.

“Duhet të kuptohet se të gjitha vendet, në qoftë se ato bëhen anëtare të BE-së, do të marrin doganën e jashtme të Unionit përsipër”, sqaron Gligorov.

Dhe në këtë kontekst, ai evidenton dy opsione: i pari, të gjitha vendet të mund të pranojnë tarifat e BE-së; i dyti, harmonizimi i regjimit doganor me vendet e treta.

Ndërkohë, Gligorov kujton se kryesisht tarifat në tregtinë me BE-në janë eliminuar, përveç rastit të Kosovës, ku procesi është ende në fazën fillestare.

/ Top Channel

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty − 12 =