Në radhë për të qenë kriminel i nderuar, i respektuar dhe…. i lumtur - Arbëria News

Në radhë për të qenë kriminel i nderuar, i respektuar dhe…. i lumtur

Nga Anri Bala

Vërtet qenkeni të lumtur e të gëzuar! Keni festë të gjithë, edhe ju…. që nuk lini orë e vend pa e sharë Shqipërinë, edhe ju… që nuk keni lënë xhep pa i’a zhvatur Shqipërisë, edhe ju… që nuk keni lënë plagë pa i’a gërryer me thikë, edhe ju… hallexhinjë me sy përpjetë nga qielli, që ziheni e duartrokisni mashtruesit, që kanë vënë nga një flamur në vend të shamisë, në xhepin e tyre të pistë.

 Ju, duhet të vini duart në kokë e të vajtoni, kur dëgjoni megafonë të çpuar, që flasin për dashuri prostitutash, për atdheun dhe kombin. Ju dhe unë, duhet të klithim me dhembje, kur shikojmë e dëgjojmë ata, që e nxijnë Shqipërinë nga “dashuria”. Aq zi ma bëjnë vendin të mbushur me “krime” dhe kriminelë, sa që më duket vetja, se një nga ata jam dhe unë, pa bërë asgjë.

Mirëpo, jemi kaq shumë të akuzuar nga “dashnorët e karriges”, sa s’është çudi. Legjitimisht, më shkon mendja tek ata që e kanë për detyrë t’i ndalojnë dhe të na shpëtojnë nga nëpërkëmbja e dinjitetit, e të mos i lejojnë të flasin këta kriminelë të mbuluar me pushtet dhe ofiqe, që përpëliten të na bëjnë magji, para syve me festa e statuse.

Të na qorrojnë duke na shurdhuar, që ne t’i kërkojmë diku gjetkë kriminelët e vërtetë. Pra, thjeshtë kërkojnë të humbasin gjurmë, me gisht në prapanicën dhe llum gjirizi në gojën e tyre. Më shkon mendja tek ata, që duhet t’i ndalojnë me ligjin në fuqi shpifësat, mashtruesit, të veshur me petkun e politikanit, që vetëm në Shqipëri është “mburojë” prej çeliku dhe mburojë e sigurtë.

Faji nuk është aspak i tyre, faji është i yni, që lejojmë të na fyejnë inteligjencën dhe të na mendojnë se jemi budallenj e të pa gdhendur, fshatarë nga Humbëtira. Në të vërtetë, ne duam, por jemi të pamundur, sepse vetëm “çelësat e kashtës” kemi mbajtur për vete. Kurse kërbaçin, haraçin dhe policin, ua kemi dhënë pjesës më të pagdhendur dhe të paskrupullt të këtij vendi… (pa)drejtësisë.

Ndjehesh i zhgënjyer dhe i mashtruar, kur i shikon në surrat dhe i krahason me fotot e tyre bardhë e zi… të dikurshme. Të përvuajtur dhe për tu mëshiruar, me një çantë lecke për bukën dhe librat, por sot arrogant e birbo, kodosh dhe kurvarë, të lyer dhe larë me flori… me zgjyrën e poshtërsisë. Si nuk të shikon syri një të vetëm… politikanë, prokurorë apo gjyqtarë me fytyrë njerëzore, në ato stalla ku gjoja bëhet drejtim dhe drejtësi?!

Ndoshta jam i gabuar, por nuk vuaj nga “daltonizmi”, por edhe ndoshta vuaj, sepse daltonizm quhet edhe të mos pasuri vizion dhe unë kam një vizion kolektiv, si gjithë qytetarët e vendit tim: I poshtri është i shëmtuar gjithmonë…. e për cilindo që e njeh… deri në palcë.
Pritja, se diçka do bëhet edhe për ne “delet”, më duket si një ëndërr, që pret ta shohësh. E nëse do e shikosh, përsëri ëndërr është, përfundimisht… asgjë nuk do të ndodh!

Nuk është se jam pesimist, por i frikësuar. Jam i tmerruar, që kur kriminelit i jepet e drejta të zgjedhi, që të mos “vrasi” e traumatizoi me “çekiç” viktimat e tij, por t’i hajë paratë e hallexhiut, t’i gëzojë e të lumturohet, me kushtin e vetëm: Të largohet nga vendi i krimit me dëshirë!

Gëzuar festën o të gënjyer, me një lajm të mrekullueshëm: Radha madhe tek KLD-ja e Presidentit të “ve”, jo me gra, por me gjyqtarë e prokurorë!

Janë gjithë ata, që kërkova të ndalonin kriminelët e pandëshkuar politik, që kanë guximin t’ua faturojnë krimet dhe poshtërsitë e tyre çdo njeriu, që u duket si një rrezik për misionin e tyre antishqiptarë.

Duam apo nuk duam ne, këta ligjëshkatërrues e jo ligjëzbatues nuk ndalojnë askënd, sepse duhet ne t’i kishim ndaluar ato, kohë më parë.
Tani të gjithë janë në rolin e policit, që e ka kapur dhe nuk e lëshon hajduti, ndaj punët janë keq. Kryepolicin e ka kapur kryehajduti me kryevrasesin dhe kryemashtrusin dhe nuk e lëshojnë, sepse është e vetmja mburojë për ta. Por a do të arrijë t’i shpëtojë?! Nuk besoj se do mundet! Por veten e tyre po, sepse ne jemi vendi i çudirave.

Ligji i vettingut që u jepte të drejtën anëtarëve të dorëhequr të kupolës së (pa)drejtësisë, të mos kalojnë në procesin e kontrollit të dosjeve, pasurive dhe pastërtisë së figurës, përkthehet kështu edhe për ne analfabetët nga Humbëtira: Zotërinj kriminelë! Mbani radhën për të qenë kriminela të nderuar, respektuar… dhe të lumtur!

Kjo nuk është drejtësia që duam! Kjo është padrejtësia, që do të na varrosë për së gjalli… nëse do ta lejojmë!

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × two =