NË UDHËKRYQIN E SHNDRRIMIT: ÇFARË KOMBI SHQIPTAR DO TË KEMI NË TË ARDHMEN? - Arbëria News

NË UDHËKRYQIN E SHNDRRIMIT: ÇFARË KOMBI SHQIPTAR DO TË KEMI NË TË ARDHMEN?

Ka shumë pyetje të rëndësishme me të cilat duhet të përballen shqiptarët. Por pa dyshim njëra ndër pyetjet më të rëndësishme është kjo: “çfarë kombi shqiptar do të kemi në të ardhmen?”  Kjo është një pyetje shumë e qartë dhe e dallueshme nga pyetjet e zakonshme që përqëndrohen në shkaqet pse jemi në këtë gjendje, kush është shkaktari, kush janë paraardhësit tanë pellazgë apo ilirë e me radhë. Pyetja është e ftohtë dhe logjike dhe e shtruar per zgjidhje. Natyrisht do të ketë edhe një nivel tjetër, më të thellë, në të cilin do të pyetet në se do të ketë komb shqiptar në të ardhmen apo njerez qe flasin shqip dhe ia mbushin mendjen vetes se kane shqiptare. nuk mundesh me kene shqiptar ne se nuk don shtetin tend. ashtu do te asimilohesh ne dy breza. Vetem shteti i yt te jep nder, liri, siguri dhe identitet.

Në të ardhmen do të ketë një grup etnik shqiptar, brenda të cilit do të ketë gjithmonë njerëz që do të jenë të bindur për idenë kombëtare shqiptare. Ideja kombëtare shqiptare me një fjali përmblidhet kështu: “të gjithë ata, që besojnë se janë të një fare e gjaku shqiptar duhet të kenë shtetin e tyre kombëtar.” Mirepo pyetja është se identiteti do të mbeshtetet në etnine, e cila do të jetë baza, por frymën do ta marre nga feja, kultura, politika dhe influencat e shteteve te huaja.

Në një shkrim të mëparshëm kam analizuar disa nga drejtimet në të cilat po kanalizohet shpërbërja e kombit shqiptar. Mirëpo, edhe pse nuk do të kemi një komb të përbërë nga të gjithë shqiptarët që janë sot dhe që, me vetëdije, me shtirje, apo thjesht se i bien shkurt e numërojnë veten për shqiptar, do të kemi një komb shqiptar dhe grupe etnike fetare shqiptare ose … disa kombe shqiptare me baze fetare.

Si duhet kuptuar kjo gjë? Në rrugën e tyre kombet krijohen por edhe shpërbëhen. Shpërbërja ndodh kur njëri nga katër proceset e mëposhtme e çon bashkësinë e caktuar në drejtimin e kundërvënies me të tjerët. Këto janë katër diferencime që me kohë çojnë në krijimin e identiteteve të ndryshme. Një, dallimet kulturore që kryesisht lidhen me gjuhën dhe kulturën dhe që çojnë në kultivimin e vlerave dhe traditave të ndryshme dhe që në varësi nga intelektualët bëhen thelbësore. Së dyti, dallimet në identitetin që lidhen me fenë që cojnë në krijimin e bashkësive të mbyllura që po ashtu kanë mendësi të dallueshme, janë endogame dhe ideologji të ndryshme dhe ku vendosin klerikët. Së treti, dallimet politike që lidhen me shtetin, dhe me rolin që ai ka në formimin e kombit dhe të qytetarëve dhe këtu rolin kryesor e luajnë politikanët. Së katërti, janë transformimet e thella ekonomike e shoqërore që cojnë në ripërzierje të grupimeve të ndryshme etnike, qoftë për shkak të luftës, të shtetit, të pushtimit e me radhë ku rolin e luajnë të huajët dhe paraja.

Shpërbërja e jonë si komb po vazhdon në rrugën e vet të pandalshme sepse në të katër drejtimet e shpërbërjes jemi shumë të avancuar dhe në dukje pa kthim. Le ti marrim dhe ti analizojmë me qetësi proceset duke nisur nga fundi. Transformimi i shqiptarëve kudo që janë ka cuar në një përzierje në të cilën na ka ndërruar fara dhe etnia. Me kenë shqiptar, për dikë është shtetësi e për dikë është etni. Për dikë tjetër është edhe konveniencë. Në Kosovë dhe në Maqedoni, mendësia sunduese është etnike. Por në shtetin shqiptar është shtetërore. Lëvizja e jashtëzakonshme migratore gjatë këtyre 30 viteve, në të gjithë trojet, si nga brenda-jashtë vendeve, por edhe brenda vendeve, e ka përshtjelluar dhe turbulluar identitetin.

Në nivelin politik, transformimet e thella shoqërore dhe ekonomike kanë çuar në krijimin e shtresëzimeve midis shqiptarëve kudo që janë. Në Shqipëri, paria është shumë etnike, me shumicë toske dhe që nuk e sheh identitetin kombëtar shqiptar si parësor. Duke qënë në kontroll të shtetit, të vetë parisë dhe të opozitës që është pjellë e saj, kjo pari tejet e stërvitur dhe pa parime morale ka një agjendë antishqiptare dhe antikombëtariste. Si një vegël e interesave kozmopolitane dhe e sindikatës ndërkombëtare të krimit, synimi i saj është ndërtimi i një shoqërie miletesh ku ata të jenë sundimtarët dhe shqiptarët, por edhe të tjerët, të jenë skllevër. Përmes legjitimimit e fuqizimit të bashkësive etnike, kantonalizimit, taktikave ‘përcaj e sundo’, vllavrasjes, manipulimit, blerjes dhe injorancës së kultivuar qëllimisht, krimit, dhe cnjerëzimit paria po ia arrin qëllimit të saj të shpërbërjes së shqiptarëve. Në Kosovë e në Maqedoni, paria sunduese shqiptare është në thelb kombëtariste por është peng i interesave të huaja, i mendësisë katundare, i untisë për para dhe i nivelit të ulët të saj. Me dashje pa dashje, edhe ata po ndjekin thuajse të njëjtën agjendë, anipse me mënyra të tjera. Por rezultati është thuajse i njëjtë. Gjithkund norma sunduese është shpërbërja e shqiptarëve, ndërtimi i strukturave etnike që do të paralizojnë shqiptarët dhe zhvlerësimi i idesë kombëtare shqiptare.

Në nivelin e feve, të gjithë po lëvizin në drejtime të kundërta e të papajtueshme. Strukturat e bashkësive fetare në shtetin shqiptar, si katolikët, ortooksët,evangjelistët dhe muslimanët i kanë qëndrat e tyre jashtë shtetit shqiptar. Trashëgimtarët e jenicerëve e kanë qëndrën në Shqipëri por mendësinë nuk e kanë etnike shqiptare sepse nuk punojnë për kombin por për kontrollin e shtetit. Këto tridhjetë vite këto struktura fetare janë konsoliduar dhe janë fuqizuar, qëllimisht nga paritë që duan të mbajnë tufat e shqiptarëve bashkë në vatha të caktuara. Por agjendat e bashkësive fetare që drejtohen nga të huajt ose nga njerëz në shërbim të të huajve nuk janë në shërbim të kombit shqiptar. Këto kanë çuar në kristalizimin e getove reale dhe imagjinare të shqiptarëve që japin e marrin kryesisht me njerëz të besimit të tyre. Ajo pak lustër shekullarizmi dhe kombëtarizmi ne shtetin që duhej te ishte shteti shqiptar është duke rënë si leskër bojë muri.

Në nivelin e kulturës dhe të identiteteve lufta e egër që është zhvilluar për të shkatërruar shqiptarët si komb ka dhënë rezultate. Ndarjet e theksuara në Toskë e në Gegë janë theksuar edhe më tepër. Në sytë e të ashtuquajturve intelektualë, që shpesh janë thjesht maskarenj dhe gëlbaza mediatike, shqiptari me nder e me vlera nuk duhet të ekzistojë. Duke qënë thjesht arrivistë, dhe njerëz pa karakter, këta lehës të shumtë në të gjithë trojet shqiptare, disa të paguar e disa vullnetarë, shumë në shërbim me vetëdije e shumë nga marrëzia dhe injoranca, kanë minuar dhe rrënuar cdo themel respekti për kombin, turpin, nderin, vlerat, familjen, historinë dhe shtetin kombëtar. Nuk majftojnë vetëm gazetat e mediat e Tiranës por janë edhe ato të Prishtinës e të Shkupit që janë në unison dhe kundër idesë kombëtare.

Në këtë rrugë ku jemi nisur, atëherë, ka këto elementë që të cojnë në mendimin se shpërbërja ka shkuar shumë larg. Ka pak gjëra që i lidhin ortodoksët, katolikët dhe muslimanët shqiptarë me njëri tjetrin. Dhe duke qënë se pasiguria po rritet e po vazhdon të intensifikohet, duke qënë se paritë janë antishqiptare, duke qënë se bashkësitë fetare po ofrojnë mbështetjen kryesore dhe qëndrore për kuptimin e nderit dhe të identitetit, duke qënë se ndarja në miq-armiq ka arritur një pikë mospajtimi të qartë, duke qënë se shtetet kanë dështuar, duke qënë se projektet e transformimit kanë dështuar, duke qënë se intelektualët kanë dështuar tërësisht, dhe duke qënë se injoranca e kultivuar qëllimisht i ka cuar njerëzit të kërkojnë një identitet të sigurtë, duke qënë se trysnia e huaj për kontroll mbi shqiptarët është e papërballueshme, duke qënë se po ndërron vetë ADN dhe kuptimi i farës dhe etnisë, ka nisur një mpiksje identitare e frikshme që bëhet e kuptueshme vetëm kur mbahen parasysh vetëm planet e atyre që mendojnë dyqind vjet përpara të tjerëve.

Me i ra shkurt, nuk ka një komb shqiptar sepse nuk ka një ide mbarëkombëtare shqiptare dhe njerëz që punojnë për atë ide në mënyrë të organizuar dhe pa asnjë kusht. Tani jemi kthyer disa dhjetravjecarë mbas dhe jemi sërish një grup etnik, thellësisht i përcarë, në disa shtete, dhe me lidhje shumë të dobëta identitare. Ndërsa shteti shqiptar po lëviz drejt një shteti skllevërish shumë etnik nën kontrollin e sindikatës ndërkombëtare të krimit, ku do të ketë skllevër shqiptarë nga të gjithë fetë, shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës po lëvizin drejt fesë islame dhe po kthehen në muslimanë shqiptarë. Dalja si parësore e fesë është një nga shqetësimet kardinale që do të jetë edhe përcaktuese për identitetin kombëtar shqiptar të së ardhshmes.

Në këto kushte përplasja, në një mënyrë ose në një tjetër, është e paevitueshme, dhe për disa që duan të mbajnë grigjën e tyre të skllevërve bashkë edhe e dëshirueshme. Ajo mund të ndodhë me gjak, ose do të ndodhë në anë të bashkësive të konsoliduara. Por nuk ka dyshim se do të cojë në ndarjen e në konsolidimin e bashkësive fetare-kulturore-rajonale sepse këto identitete që po mbivendosen mbi njëri-tjetrin, në mungesë të një shteti kombëtar, do të çojnë në kristalizimin e një identiteti të ndryshëm kombëtar për secilën bashkësi. Si pasojë, mund të kemi deri në tre kombe të ndryshme shqiptare që do të luftojnë secili të ketë tash në fillim autonominë dhe më pas edhe shtetin e vet.

Fatkeqësia e jonë më e madhe nuk është se bashkësitë fetare iu janë mbështetur interesave të huaja dhe të gjithë fuqitë e mëdha që janë të interesuara në këtë arealin shqiptar i shohin shqiptarët dhe proceset përmes interesave të tyre. Fatkeqësia e jonë më e madhe është se nuk po pranojmë të shohim se jemi dreka e darka e dreqit, se po na shtyjnë në vllavrasje dhe se nuk është e largët dita kur do të vrasim njëri tjetrin. Nuk e kemi për herë të parë. Ama, fatkeqesia me e madhe eshte se për herë të parë mbas rrëzimit të shteteve të fuqishme ish-komuniste, nga kjo përplasje, ne dhjetevjecarin e ardhshem do të dalë një ose disa kombe shqiptare që rrënjët do ti kete ose do ti kenë në fenë dhe kjo për mua, që besoj në kombin etnik shqiptar, anipse e pashmangshme, është më e rëndë se vdekja.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × one =