NË VLORË, DIKUR, PRITJE DASHURIE…

 

Sapo kisha mbaruar studimet teatrore dhe isha emëruar në Teatrin Profesionist të atij qyteti të bukur…
Më poshtë janë ca copëza nga letrat e mia të hershme…
Edhe letrave tona të dashurisë u vjen koha të deklasifikohen. Është e arsyeshme. Kanë kaluar mbi pesëdhjetë vjet. Tani jemi në një moshë, që në ato letra ne e shohim veten edhe si poetë edhe si personazhë. Ca personazhë pak vuajtës dramatikë që të dhimbsen dhe po aq vuajtës komikë, siç janë shpesh të dashuruarit.
Dhe nuk hezitova t’i publikoj, në këto faqe të fejsbukut.
Ato datojnë në vitet 1965, 66, 67, 68…
Sot është 3 gusht 2017
………………………………………….

Tashmë bë shumë kohë, e dashur, që ti je mendimi i parë pas çeljes së syve. Dhe diku kam lexuar se mendimi i parë është zgjatja e mendimit të fundit para se të t’i mbyllte gjumi.

***
Ti mbase e mban mend por unë kam qejf të ta rikujtoj dialogun tonë, të para një viti këtu, në stacion të autobusave… Ti zbrite dhe u habite që kisha dalë të të prisja.
“Uaaa, mami! Si e dije ti që unë do të vija?”
“Isha i sigurtë që do të vije.”
“Habitem. Ku e dije që do të vija sot?! Dhe pikërisht me këtë autobus?! Se unë, e marra, desha të të bëja një të papritur. Si e more vesh?!” ngulmoje ti kureshtare.
“Kam metodën time,” ta ktheja unë.
“Metodë? Thuaj që dikush më ka tradhtuar. E ti flet për metodë!”
“Asnjë tradhti, e dashur! Është një metodë e thjeshtë: dal përdit e pres çdo autobus!”

***
E pe sa të shkurtëra janë netët në Vlorë? Herën tjetër…herën tjetër unë do të të marr dhe do të të shpie në Pol! Në njërin nga polet! Thonë që atje nata vazhdon gjashtë muaj!

***
Aujourd’hui il fait si froid. Mais si froid, que je me demande comment se-peut-il que je ne me trouve pas chez toi?!!
Cette lettre est en français, et la raison n’est pas cela de faire un peu de pratique… Je veux seulement t’ avouer dans une autre langue ce que je t’ai repetè mille fois en albanais…. Shqipes ia kam sjellë në majë të hundës!… Je t’aime comme un fou!…

***
Eja, ëmbla ime!.. Eja të të shoh. Imagjinata është pak. Të kam shkruar edhe më parë se jam i uritur.…. Është përkufizim i egër, por nuk gjej një më të saktë për gjendjen time. Unë në këta vite jam ushqyer rregullisht me dritëzën e shpirtit tënd, me aromën e trupit tënd dhe me linjat e shtatit tënd. Unë kam thithur erën e flokëve të tu dhe kam përpirë gugëzimin e të qeshurës tënde. Të kam prekur me gishta fytyrën dhe e kam shijuar dyfish atë; edhe me sy edhe me mollëza, siç e shijojnë të verbërit. Me të gjitha këto isha mësuar të ushqehesha mirë. E tani jam i uritur…

***
E dashur unë kam arritur në një fazë, saqë cfarëdo të të shkruaj ato më dalin letra dashurie! Unë nuk të drejtohem dot pa dashuri. Unë të them “të dua” me dashuri! Do të të them “si u gdhive?” me dashuri! Do të të them “më hekuros këmishën” – ta them me dashuri. Jo siç mund ta thonë të tjerët!

***
Mos dëshiron që të më vish pa pritur? Hiqe nga mendja! Ti je e vetmja femër në botë që nuk vjen dot papritur. Se unë të pres dhe pritja ime nuk bën pushim asnjë sekondë!

***
Të pres! Të pres! Të pres! Më ke thënë për nesër. Nëse të ndodh gjë e nuk vjen, ma njofto me një telegram. Po ti e di mirë që unë të pres ty dhe jo telegramin! Pra të lutem mos ma dërgo. Ose po deshe të më çmendësh, dërgoje dhe pastaj eja të më takosh kur të duash!… Por kij parasysh se këtu, në çmendinën e Vlorës vizitat bëhen vetëm të Enjteve!

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 5 =