Negociatat me Shqipërinë, kryeministri grek: Të vështira, por në nivel të mirë - Arbëria News

Negociatat me Shqipërinë, kryeministri grek: Të vështira, por në nivel të mirë

Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar se Greqia mbështet hapjen e kapitujve të anëtarësimit në BE të Shqipërisë, por me kusht që vendi fqinj të përmbushë angazhimet e veta.

Tsipras gjithashtu ka deklaruar se çështja çame nuk ekziston, ndërsa ka kritikuar edhe zërat në vendin e vet që sipas tij bisedimet për mirëmbajtjen e piramidave në kufi, e kanë interpretuar si ripërcaktim të kufijve ndërmjet të dy vendeve.

Shefi i qeverisë greke i ka bërë këto deklarata gjatë konferencës për shtyp që jep tradicionalisht kryeministri i vendit në kuadër të panairit ndërkombëtar të Selanikut.

Tsipras u pyet mbi ecurinë e negociatave Athinë Tiranë dhe nëse ka një afat kohor për konkludimin e këtyre negociatave.

E gjithë deklarata e kryeministrit grek ka si më poshtë:

“Negociatat po zhvillohen nga dy ministrat e jashtëm, janë çështje të vështira, por negociatat ndodhen në një nivel të mirë.

Është e qartë se që të mbështesë Greqia hapjen e kapitujve për anëtarësimin e vendit fqinj, duhet që Shqipëria të përmbushë një sërë angazhimesh. Shumë nga këto angazhime ekzistojnë prej kohësh, që nga viti 2009. E kam fjalën për zonat detare, ndryshimin e teksteve shkollore, varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri.

Dhe sigurisht, një çështje shumë e rëndësishme e reformave janë ato në lidhje me të drejtat e minoritetit grek.

Janë dëgjuar shumë për këto negociata. Shumë nga çka janë thënë nuk kanë lidhje me realitetin. Brenda kuadrit të bisedimeve është edhe mirëmbajtja e piramidave që shënojnë kufijtë me vendin fqinj dhe disa thanë se po shkojmë të bëjmë një ripërcaktim kufijsh.

Gjithashtu, disa insistojnë të fusin nga dritarja çështjen çame. Nuk ekziston një çështje e tillë.

Dhe sigurisht do të thoshja që në këto çështje do të ishte mirë të kishte më shumë konsensus, sepse në çështje kruciale kombëtare duhet të ketë informim, mirëkuptim dhe besim.

Greqia po lëviz me një strategji të qartë të zgjidhjes së problemeve. Jo tërheqja nga vijat kryesore kombëtare, por zgjidhje të problemeve. Me qëllim që të shndërrohet në një vend lider në rajon, një vend që zgjidh probleme, që nuk është faktor problemesh, por faktor zgjidhjesh. Dhe në fund të fundit, të orientohet dhe në çështjen kryesore, që janë marrëdhëniet greko-turke. Aty ku duhet të fokusojmë rëndesën e diplomacisë sonë periudhën e ardhshme”, përfundoi Tsipras.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nineteen − four =