Një rrëfim i profesorit grek që duhet sqaruar - Arbëria News

Një rrëfim i profesorit grek që duhet sqaruar

Altin Raxhimi

Kjo do pak sqarim. Në një postim tijin prof. Vassilis Nitsiakos i Universitetit të Janinës përmend kujtime fëmijërie në fshatin e vet në kufi me Shqipërinë, Etomilicë, pak a shumë matanë Gramozit. Dhe në një paragraf aty tregon se gjatë regjimit të juntës viteve 60-70, u vinte shefi i kufirit në shtëpi dhe u thoshte të mos dëgjonin Radio Tiranën. Ky ka qenë fenomen interesant ato periudha në zona kufitare të Greqisë me Shqipërinë, e kam dëgjuar dhe nga të tjerë, e kam dëgjuar nga miku im Kostas Trikaliotis ToElato, njohësi më i mirë dhe më sakrifikues i muzikës me klarinetë nga Shqipëria. Më tregonte se i ati e mbante radion tek Gjirokastra. Të vjetrit e atyre maleve në Greqi e kthenin radion këndej jo sepse donin të dëgjonin lajmet, por sepse donin të dëgjonin muzikën popullore me klarinetë apo polifonike, sepse “ishte më e pastër,” “ishte tamam siç bëhej një herë e një kohë në Greqi.” Pastaj e lidha këtë me atë që më tregoi Kosta Verdhi i Κομπανία Βέρδη nga Bularati që tani është bërë ndër orkestrat më në zë të kabave dhe avazeve në Greqi–se kur rritej, dëgjonte nga radiot greke Petro Lluka Halqianë, që ne në Shqipëri do mund ta prezantonim si “Laver Bariu apo Çobani i Greqisë”. Në fakt, po e shkruaj këtë gjë sepse kam idenë nuk kam për t’ja dalë ta bëj gati atë artikull-reportazh mbi muzikën e Shqipërisë së Jugut dhe Greqisë së Veriut. Shqiptarë dhe grekë, vllehë, romë, evgjitë dhe hebrenj, kanë bërë muzikëra të cilat ja merrnin njëri tjetrit, ja shpërndanin njëri tjetrit, ja luanin njëri tjetrit–vërtet sahan. Por për mua personalisht, e bukura edhe e asaj pjese të Shqipërisë, dhe asaj pjese të Greqisë, nuk ishin ingredientët e sahanit, shqiptarët veç, grekët veç, vllehët veç, romët veç, evgjitët veç dhe veç hebrenjtë. Ishte vetë sahani, i cili përzihej vazhdimisht dhe në muzikë na dha kabanë këndej, mirologjinë a vajin andej. Prof. Niciakua më mori në zyrë të vet në Universitet të Janinës parvjet, dhe u ul në tavolinën e tij të punës–pamja si François Truffaut-i tek Back to the Future mbas asaj tavoline rrëmujë letrash e librash dhe nga ekrani dilte një vaj me klarinetë. “Laveri,” më tha.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen − nine =