Një shembull për t’u emuluar aty ku ka gjurmë shqiptare - Arbëria News

Një shembull për t’u emuluar aty ku ka gjurmë shqiptare

Nga Akri Çipa

Më shumë brenda vetëdijes sonë se sa përtej saj, ekziston bindja se si shqiptarë e kemi të vështirë të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për plane të mëdha që i tejkalojnë pakënaqësitë e vogëla individuale. Ne shqiptarët, supozimi vazhdon, jemi të aftë të gjenerojmë ide, por nuk kemi iniciativën dhe rrallëherë (për të mos thënë asnjëherë) nuk jemi dakord për rrugën që duhet ndërmarrë në materializimin e ideve. Për fatin tonë të keq, historia ka mjaft raste që e konfirmojnë këtë sentencë. Plot raste në të cilat kemi dështuar të ravijëzojmë një plan për ecurinë e faktorit shqiptar. Dhe plot raste në të cilat kemi dështuar si mikrokomunitete për të lënë një gjurmë domethënëse në komunitetet ku kemi zënë rrënjë.

Për fat të mirë, historia nuk është lëndë e ngurtë, por formësohet në vazhdimësi. Kjo natyrë i jep asaj aftësinë për t’u pasuruar dhe neve mundësinë për të rregulluar gabimet e të shkuarës. Duke tejkaluar anën sasiore të gabimeve, pasi mendimet në rrafshin sasior gjithmonë sjellin dhimbje koke, vlen të përqëndrohemi tek cilësia e përpjekjeve për të korrigjuar ato gabime.

Parada emigrantve në New York i përket këtyre përpjekjeve të ndriçuara për të përmirësuar historinë. Në datën 9 qershor, komuniteti shqiptar krijoi një spektakël tërheqës teksa marshonte në avenjunë e gjashtë. Si event i cili tashmë është bërë traditë, parada shqiptare tejkalon celebrimin e thjeshtë të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York dhe dëshmon marrëdhënien simbiotike që ka ky mikrokozmos me komunitetin e gjerë të qytetit dhe të shtetit në fjalë.

Dëshmia më e bukur e kësaj marrëdhënieje simbiotike pasqyrohej tek pjesëmarrja për herë të parë në paradë e policisë së qytetit të New York-ut. Përfaqësuesit e NYPD përshëndetën përgjatë paradës bashkëngjitur me anëtarët e “NYPD Illyrian Society”, organizatës së policëve me origjinë shqiptare në NYPD. Përkushtimi dhe kontributi i pakushtëzuar që oficerët shqiptaro-amerikanë shfaqin në përditshmërinë e tyre profesionale bashkohej në paradë me simbolikën e përfaqësimit dinjitoz të një komuniteti që mëton të integrohet duke ruajtur elementet identitare. Mergata shqipetare përfaqësonin krenarisht në të njëjtën kohë si elementin shqiptar, ashtu dhe një nga departamentet më të mëdhenj të policisë në SHBA dhe në botë, duke krijuar një urë solide ndërmjet komunitetit shqiptar dhe qytetit dhe shtetit të New York-ut.

Ky element i paradës nuk dëshmoi thjesht një lidhje të fortë ndërmjet përforcuesve të ligjit të qytetit dhe të anëtarëve të këtij komuniteti që kanë rrënjë dhe prejardhje shqiptare. Organizimi i shkëlqyer i policëve shqiptaro-amerikanë në NYPD shërben si një model frymëzues për të gjithë qytetet dhe shtetet amerikane ku ka përfaqësues të ligjit që kanë prejardhje shqiptare. Ndoshta edhe më tepër, ai vlen si një model frymëzues për të gjithë qytetet dhe shtetet amerikane ku ka shtetas me prejardhje shqiptare të gjithfarë komunitetesh profesionale.

Evente të tilla si ky i fundjavës që shkoi kanë një vlerë të shtuar. Përtej festivitetit të një dite, organizime të tilla krijojnë një “blueprint” për mënyrën e konsolidimit të komuniteteve shqiptare në komunitetet e gjera amerikane. Për fat të mirë, historia formësohet në vazhdimësi.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 × 3 =