Objektiv i lehtë për lojëra të mëdha - Arbëria News

Objektiv i lehtë për lojëra të mëdha

Nga Grid Rroji

Vrania e Parisë po propagandon fort se në intervistën me Taker Karlson Trampi paska përmendur shqiptarët. Në fakt ishte Karlson ai që përmendi shqiptarët ndërsa diskutimi ishte për malazezët. Qëllimi është i qartë, klanet vllaho-bizantino-jeniçere në bashkëpunim me agjentin e serbëve që kontrollon katundarët shqiptarë sidomos në Veri, po kërkojnë të manipulojnë shqiptarët për arsyet e një zgjedhjeje që e kanë bërë bashkë me kohë, rikthimin pranë ëndrrës së të qenit vasalë të Moskës me kontroll autonom në bahçen e tyre.

Nga ana thelbësore ajo që shprehu gati brutalisht e  për arsye të caktuara presidenti amerikan është një devizë e mirënjohur në qarqe shtetarësh: aleancat funksionojnë për aq kohë sa aleatëve ju përputhen interesat, mnjf nuk janë çështje idesh të përbashkëta se kur vjen puna tek mbijetesa idetë nuk e shpëtojnë shtetin. Pra, vende të vogla në aleanca të mëdha duhet të jenë të vetëdijshëm se siguria e përbashkët vlen deri sa çmimi për mbrojtjen e të voglit(të dobtit) është në proporcion me interesat e të madhit(të fuqishmit). Po u tejkalua çmimi (nqse kundërpërgjigja ndaj prekjes së të dobtit aleat nuk i përputhet krahasimisht ruajtjes së interesave të të fuqishmit mbrojtës), i dobti do bënte mirë të kishte një plan B. Rastet e Gjeorgjisë, Ukrahinës tregojnë se po kalkuluan se përgjigja mund të shkaktojë luftë midis të fuqishmëve, aleatët ofrojnë mbështetje morale, politike e diplomatike por nuk rrezikojnë interesat e veta për të mbrojtur të tuat. Ky është në fakt thelbi i strategjisë së luftës asimetrike që Putini ka perfeksionuar, ndërhyn deri aty sa kalkulon se çmimi për Perëndimin nuk e tejkalon mosdëshirën për luftë.

Në rastin tonë, ne jemi fushë e hapur, pa shtet funksional, pa ushtri, me shërbime të të gjithë botës që luajnë lojnat e veta në mes të Tiranës, me një pari antishqiptare, shoqëri të tulatur e hutuar nga krimi, dhe mendësi të kriminalizuar. Pra jemi objektiv shumë i thjeshtë për tu bërë fushëbetejë e lojërave më të mëdha se këllqet tona. Aleancat janë të vlefshme, por nuk zëvendësojnë aftësinë e shtetit. Këtë e dinë mirë këta që na sundojnë por shpresojnë se duke ndërruar padronë, siç kanë bërë historikisht do mbeten në pushtet.Ndaj dhe nuk duhet të biem në grackën e mashtrimeve të tyre, ska çna duhen problemet e brendshme amerikane, apo artikulimet ndonjëherë të papërpunuara të presidentit. Duhet të shohim nga vetja dhe të punojmë për të shpëtuar kombin shqiptar kundër të gjithë këtyre që na urrejnë e sundojnë. Të tjerat janë Vranie për të na hedhë hi syve.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

sixteen − four =